Faqja e parëNjoftime për Shtyp

Fjala përshëndetëse e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2012 - 2013

09-09-2012
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj

Të dashur nxënës,
Të nderuar mësues,
Të nderuar prindër,

Nesër nis udhën viti i ri shkollor 2012-2013.
 
Dita e parë e shkollës është një festë e bukur që ndjehet në çdo qytet dhe fshat të vendit, sepse çdo familje e ka një lidhje të fortë me shkollën. Ndaj, në këtë ditë të veçantë, mbushur me gëzim dhe urime për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve që ulen në bankat e shkollës, gjej rastin të uroj të gjithë fëmijët e kopshteve, nxënësit dhe mësuesit :
Suksese në vitin e ri shkollor!

Urimi i parë, si gjithnjë, shkon për ju vogëlushë, ju nxënës që uleni për herë të parë në bankat e shkollës, për ju që përcilleni nga dora e nënës dhe shtrëngoni dorën e mësueses apo mësuesit për të nisur rrugën e gjatë, por të bukur të dijes. Ju keni sot në duar abetaren mbarëkombëtare.

Një urim për të gjithë ju, nxënësit e klasave e tjera, që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për t’u bërë edhe më të aftë për t’i shërbyer vetes, së ardhmes dhe familjes suaj.
Në këtë fillimviti shkollor kam kënaqësinë të shpreh një urim për ju mësuese dhe mësues, që meritoni mirënjohje dhe nderim, që punoni me përkushtim për të ndriçuar mendjet e fëmijëve.
Profesioni i mësuesit më shumë se sa i tillë është një mision i madh, misioni i edukatorit që përgatit brezat e rinj, të denjë si shqiptarë dhe qytetarë europianë. Kujdesi i posaçëm që ka treguar dhe po tregon qeveria Berisha për rritjen e pagave dhe përmirësimin e statusit të mësuesit, është një garanci më tepër për të rritur motivimin dhe përkushtimin në punën tuaj fisnike çdo ditë e më tepër.
Në këtë ditë të parë të shkollës ju falënderoj dhe ju uroj edhe ju, prindër, që i keni qëndruar dhe i qëndroni afër shkollës, për të bashkëpunuar, për të përgatitur, për të arritur dhe për të ndarë suksesin e shkollës dhe shkollimit të fëmijëve së bashku me mësuesit.
Sivjet e fillojmë këtë vit shkollor të përfshirë në entuziazmin e festimit të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Që në ditën e parë të vitit të ri shkollor shkollat tona do të kthehen në skena të këngëve dhe poezive më të bukura për atdheun, kombin dhe figurat e shquara të tij. Konkurset, garat, veprimtaritë e ndryshme jashtëshkollore do t’i japin ritmin dhe bukurinë që meriton ky jubile e kjo festë e madhe.

Shkolla jonë fillon vitin e ri shkollor me një ligj të ri për sistemin arsimor parauniversitar. Ky ligj tepër bashkëkohor dhe modern ka në qendër dhe vihet në funksion të realizimit të interesave të nxënësve, të kompetencave, shprehive dhe aftësive të tyre, të cilat do t’i shërbejnë formimit të tyre si qytetarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike si dhe rritjes së shanseve për punësim, karrierë dhe, në tërësi, për një jetë më të mirë.

Në këtë vit shkollor reforma në përmbajtje e programeve, planeve mësimore dhe gjithë kurrikulës së arsimit 9-vjeçar do të jetë një diskutim i madh që do të shtrihet në çdo shkollë e ku do të marrin pjesë gjërësisht mësues, nxënës e prindër. Në thelb të kurrikulës së arsimit bazë qëndrojnë kompetencat themelore të të nxënit, ndër të cilat zotërimi në nivel të lartë i gjuhës shqipe është kryesorja. E gjithë paketa e re kurrikulare do të fillojë të zbatohet në vitin shkollor 2013/14.
 

Motoja ‘Arsim cilësor për të gjithë’ do të udhëheqë të gjitha këto përpjekje për të realizuar standardet e të nxënit edhe në këtë vit shkollor.
Përvoja e fituar vitin e kaluar për përfshirjen e mbi 80% të fëmijëve në kopshte dhe vitin parapërgatitor do të na shërbejë që të synojmë tërheqjen e çdo fëmije 5-vjecar në klasa përgatitore për të realizuar një proces të frytshëm edukimi dhe arsimimi të të gjithë fëmijëve, në veçanti të fëmijëve të familjeve në nevojë dhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Që në kopsht, në ciklin fillor dhe atë të mesëm të ulët, të gjithë punonjësit e arsimit, mësueset dhe mësuesit do të punojnë me përkushtim dhe profesionalitet për ta kthyer shkollën në vatër të ngrohtë , në shtëpi dhe familje të dytë për nxënësit, në vendin ku çelin dhe lulëzojnë prirjet e tyre.  
Unë dëshiroj t’i garantoj nxënësit dhe prindërit se në shkollat tona do të gjejnë mjedise të tilla, një klime shumë miqësore dhe mësimdhënës shumë më të kualifikuar.
Nuk ka nxënës pa një prirje, pa një dhunti. Gjithkujt i jepet më shumë në një fushë të dijes e të jetës. Në çdo klasë dhe shkollë do të punohet me përkushtim për të zbuluar, nxitur dhe ushqyer vazhdimisht e me dashuri këto prirje që do të përcaktojnë më vonë rrugët e jetës së fëmijëve tanë. Orëve të këshillimit dhe orientimit të karrierës në arsimin bazë dhe atë mesëm do t’u jepet hapësira dhe rëndësia e duhur, për të arritur qëllimin tonë që, pas përfundimit të arsimit bazë nxënësit të jenë të aftë për të zgjedhur cilën formë të arsimit të mesëm do të vijojnë si nxënës te shkollës së mesme dhe, pas maturës, të jenë të aftë të zgjedhin drejtimin ose programin universitar që do të vijojnë.

Sot % e pjesëmarrjes së nxënësve që, pas pertundimit të shkollës 9-vjecare, vazhdojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional po rritet me shpejtësi.

Zgjerimi dhe modernizimi i arsimit profesional mbetet prioriteti ynë. Numri i nxënësve në shkollat profesionale po rritet çdo vit. Këtë vit pritet një rritje më e madhe e numrit të nxënësve në krahasim me dy vitet e fundit. Katër shkolla profesionale të reja me një kapactitet rreth 2800 nxënës vihen në shërbim të nxënësve dhe mësuesve. Paketa e bursave për nxënësit e shkollave profesionale po zgjerohet. Të gjitha shkollat profesionale dhe ato me shkëputje nga puna janë orientuar për të hapur dyert për të rinj që sot janë në punë dhe dëshirojnë të kualifikohen e të formohen në profesione e fusha të ndryshme.

Duke shprehur bindjen dhe besimin e plotë se ky vit shkollor i 100-Vjetorit të Pavarësisë do të jetë i mbarë dhe i suksesshëm, dita e parë e shkollës na fton të gjithëve t’i përvishemi punës së bashku: politikëbërës, administratorë në nivelin qendror dhe atë vendor, nxënës, mësues e prindër për të arritur qëllimin e përbashkët e për të shënuar arritje të reja.

Ju uroj edhe një herë:
Suksese në vitin e ri shkollor 2012 - 2013 !

 

Faqja e parëNjoftime për Shtyp