Kurorëzohet me sukses Abetarja e përbashkët
17-05-2012
Sot në Prizren, në një ceremoni festive, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, prezantuan abetaren e përbashkët, kurorëzim i suksesshëm i marrëveshjes së bashkëpunimit të dy ministrive të arismit të dy vendeve.
Në këtë ceremoni në qendrën sportive “Sezai Surroi” në Prizren në prani të presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, të pjesëmarrësve të shumtë, qeveritarë, politikanë, deputetë, nxënësve, qytetarëve, përshëndetën kryeministrat Berisha dhe Thaçi.
Kryeministri Berisha, duke përgëzuar punën e dy ministrive përkatëse dhe autorëve hartues të këtij teksti, ndër të tjera tha, “Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund ti bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve”
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi Abetaren e përbashkët si libër bazë të kulturës dhe si një arritje historike.
Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës do të thellojnë bashkëpunimin në njehsimin e planeve, programeve dhe teksteve mësimore.







