Faqja e parëNjoftime për Shtyp

Ministri Tafaj zhvillon një vizitë pune dyditore në Austri dhe nënshkruan marrëveshje për bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik mes dy vendeve

02-05-2012
Ministri Tafaj në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrin Federal të Shkencës dhe Kërkimit Shkencor, z. Karlheinz Tochterle

Më datat 1 dhe 2 maj 2012, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj, zhvilloi një vizitë pune në Vjenë, Austri. Gjatë kësaj vizite, Ministri Tafaj zhvilloi takime pune me Ministren Federale të Arsimit, Artit dhe Kulturës të Austrisë, Znj. Claudia Schmied si dhe me Ministrin Federal të Shkencës dhe Kërkimeve Shkencore, Z. Karlheinz Töchterle.
Në takimin me Ministren Schmied u bisedua mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit parauniversitar dhe në veçanti të atij profesional nëpërmjet shtrirjes së modelit të shkollave austriake në Tiranë. Bashkëbiseduesit vlerësuan se binjakëzimi i shkollave është një mundësi ende e pashfrytëzuar për shkëmbimin e eksperiencave dhe njohjen reciproke nëpërmjet kontakteve njerëzore.
Gjatë takimit me Ministrin Töchterle, u vlerësua bashkëpunimi tradicional ndërmjet dy vendeve tona në fushën e shkencës dhe veçanërisht të albanologjisë. Ministri Tafaj ftoi studentët austriakë të albanologjisë të studiojnë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë. Të dy ministrat nënvizuan rëndësinë e studimeve në fushën e turizmit kulturor. Në fund të takimit Ministri Tafaj dhe Ministri Töchterle, në një ceremoni të rastit, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Austrisë.
Po në kuadër të kësaj vizite, Ministri Tafaj mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të lartë të botës akademike dhe shkencore të Austrisë, ndërmjet të cilëve Presidenti i Akademisë së Shkencave të Austrisë, Dr. Helmut Denk, zëvendësrektori i Universitetit të Vjenës, Prof. Dr. Heiz Fassmann dhe drejtori ekzekutiv i Agjensisë Austriake për Mobilitet dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Dürrstein.
Në këtë tryezë u shkëmbyen mendime dhe informacion mbi mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit shkencor në kuadër dypalësh dhe shumëpalësh, zgjerimin e bashkëpunimit të universiteteve, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe profesorëve si dhe shkëmbimin e informacionit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira, në vijueshmëri.
Në fund të vizitës së tij, Ministri Tafaj zhvilloi një takim me studentë dhe lektorë shqiptarë, të cilët studiojnë dhe punojnë në universitetet e Vjenës. Kryefjala e kësaj bisede ishte mundësia e kontributit të tyre në arsimin, shkencën dhe ekonominë shqiptare, si dhe mbështetja e Qeverisë Shqiptare për mbarëvajtjen e studimeve të tyre në Austri dhe rekrutimin e tyre në tregun shqiptar të punës në kuadër të programit “Brain Gain”.

Foto-Galeri

Faqja e parëNjoftime për Shtyp