Mësues, nxënës, studentë e pedagogë marrin pjesë në ditën “Për një mjedis të pastër”
20-04-2012
Realizimi i veprimtarive “Për një mjedis të pastër” të shpallur nga Kryeministri Berisha, sot më 20 Prill 2012, u kurorëzua me sukses, në të gjitha shkollat e vendit.
Mësues dhe nxënës, studentë dhe pedagogë u vunë në krye të punëve “Për një mjedis të pastër”. Ata pastruan mjediset pranë shkollave, rrugëve, parqeve, plazheve në bregdet, brigjeve të lumenjve në qendrat e banuara, sipas një plani të detajuar dhe të mbështetur nga pushteti vendor, së bashku me institucione e organizata të ndryshme joqeveritare.
Programi “Për një mjedis të pastër” sapo ka nisur dhe shkollat tona u bënë nismëtare në realizimin e veprimtarive të planifikuara edhe në bashkëpunim me komunitetin dhe pushtetin vendor, i cili u tregua i gatshëm të ndihmojë me mjete pastrimi, qese plastike, doreza, gëlqere për lyerjen e mjediseve etj. Ishin vetë shkollat që kishin përcaktuar qysh më parë terrenet më të domosdoshme për pastrim, grumbullim mbetjesh, dhe gjelbërimin e tyre.
Gjatë këtij aktiviteti u vu re një pjesëmarrje e gjerë e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe studentëve dhe ajo çka përbën risi të veprimtarisë, dalja në rrugë e nxënësve dhe në mjediset përreth shkollave bëri që dhe një pjesë e komunitetit të përfshihet vullnetarisht përkrah fëmijëve për pastrimin e territorit, të rrugicës, lagjes dhe shesheve përpara pallateve.
Veprimtaritë “Për një mjedis të pastër” sapo kanë filluar dhe do të përbëjnë një moto të vazhdueshme në të ardhmen për shkollat dhe universitete tona.
Me ketë rast, Ministri Tafaj, gjen rastin të falënderojë të gjithë mësuesit e nxënësit, studentët dhe pedagogët, që u bënë promotorë, në ditën e shpallur nga Qeveria Berisha, “Për një mjedis të pastër” duke hedhur hapin e parë sot më datën 20 Prill e duke e vijuar atë, për të qenë pjesë e integruar e botës së qytetëruar, me një shtëpi të pastër, me një shkollë të pastër, me një auditor të pastër, me një lagje e qytet të pastër.







