Faqja e parëNjoftime për Shtyp

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, në konferencën me temë “Arsimi Shqiptar në moshën digjitale”

03-04-2012
Ministri Tafaj tek Konferenca 3 Prill

Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi konferencën me temë “Arsimi Shqiptar në Moshën Dixhitale” me pjesëmarrjen e veçantë të zotit Sali Berisha. Morën pjesë në këtë konferencë edhe ministri për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit zoti Genc Pollo, znj. Kseniya Lwovsky, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, rektorë, dekanë, pedagogë, drejtues të drejtorive dhe zyrave arsimore, mësues, nxënës. Kryeministri Sali Berisha, përgëzoi organizatorët e kësaj konference  me një temë shumë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Shqipëri dhe zhvillimin e vendit në tërësi.
Në fjalën e tij ministri Tafaj, falënderoi kryeministrin Berisha për pjesëmarrjen në konferencë, për mbështetjen e vazhdueshme,  përfaqësuesen e Bankës Botërore Kseniya Lëovsky rektorët, pedagogët, drejtues të arsimit mësuesit dhe nxënësit. 
Ministri Tafaj theksoi se Teknologjia e Informacionit dhe e komunikimit vlerësohet si mjeti medial më i fuqishëm i edukimit në këtë shekull. PC dhe Interneti në çdo shkollë është një realitet dhe një histori suksesi. Një realitet që u bë motori kryesor i ndryshimit dhe modernizimit të arsimit tonë. Interneti dhe PC në shkolla u bënë edhe një shtysë e fuqishme e shtrirjes së IT në të gjitha qytetet dhe, në mënyrë të veçantë, zonat rurale të vendit.
Minsitri Tafaj nënvizoi se: “Po ndryshon me shpejtësi kurrikula e mbështetur në ICT ku të gjithë mësuesit e lëndës ICT janë trainuar dhe mësuesit e lëndëve të tjera po aftësohen për përdorimin e ICT në programet e lëndëve përkatëse, provimet po digjitalizohen (provimi i shtetit është një model i mirë), janë ndërtuar sistemet elektronike për regjistrat kombëtarw të nxënësve, studentëve, mësuesve dhe pedagogëve. Çdo student do të ketë një numër kombëtar regjistrimi. Po ndërtohet sistemi elektronik i aplikimit për maturën shtetërore dhe pranimet në universitete. Diploma e Maturës Shtetërore u lëshua vjet për herë të parë në nivel kombëtar. Administrimi dhe menaxhimi i sistemit arsimor po modernizohet në të gjitha nivelet e tij. Rrjeti telematik po shtrihet në  universitete.”
Ministri Tafaj u shpreh se objektivi i shpallur nga Kryeministri Berisha, “Internet në çdo klasë”, ka filluar të zbatohet që këtë vit, 1000 klasa do të lidhen me internet dhe do të kenë 1 PC dhe 1 projektor, që do të mundësojnë përdorimin e përmbajtjes elektronike, nga një bibliotekë dixhitale në çdo lëndë dhe mësimdhënien e mësimnxënien interaktive.
Një hap tjetër i rëndësishëm që do të rrisë partneritetin shkollë-prind do të jetë ndërtimi i portalit kombëtar të arsimit ku mësuesit, nxënësit, prindërit komunikojnë ndërmjet tyre. Në kuadër të kësaj strategjie dhe reformës së kurrikulës së arsimit bazë, do të fillojë mësimi i njohurive në ICT që në klasën e parë të shkollës fillore.
Në përfundim të fjalës së tij ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, falënderoi edhe tri bankat për bashkëpunimin e frytshëm në realizimin e projekteve të ICT në arsim.

Foto-Galeri

Fjala e plotë e Ministrit Tafaj 

 

Faqja e parëNjoftime për Shtyp