Mesazh i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës me rastin e fillimit te vitit të ri akademik 2011-2012
09-10-2011Mesazh i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës
Nesër fillon viti i ri akademik 2011/2012. Me këtë rast dëshiroj të përshëndes dhe t’ju uroj të gjithë studentëve dhe pedagogëve:
- Suksese në vitin akademik 2011-2012 !
Së pari, dëshiroj të uroj studentët që nisin këtë vit udhën e bukur universitare.
Qeveria ka miratuar për këtë vit akademik rreth 34500 vende studimi (kuota) për nivelin e parë të studimeve universitare (Bachelor) në universitetet publike. Prej tyre 25000 kuota janë në sistemin me kohë të plotë. Deri tani janë regjistruar rreth 23000 studentë në sistemin me kohë të plotë. Javën që vjen shpallet formulari i ri A3 që do tu japë mundësi studentëve që nuk kanë fituar një vend studimi të rikonkurojnë. Pastja fillojnë regjistrimet në sistemin me kohë të pjesshme. Ky numër kuotash bën të mundur që mbi 70 % e maturantëve që kanë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, të kenë mundësi reale për të vijuar studimet në universitetet publike.
Ndërkohë, janë miratuar edhe rreth 15500 kuota për studime universitare të nivelit të dytë, duke i dhënë përparësi studimeve të orientuara në profesione, pra programeve që u japin më shumë shanse të rinjve për punësim të shpejtë!
Pra, në këtë vit akademik sistemi i arsimit të lartë publik do të pranojë rreth 52 mijë studentë të rinj në të tre ciklet e studimeve, shifër kjo që është e barabartë me numrin total të studentëve që kishte Shqipëria në vitin 2004.
Ndërkohë, institucionet e arsimit të lartë jopublik kanë krijuar kapacitete reale për të pranuar një numër të konsiderueshëm studentësh duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në rritjen e investimit tërësor kombëtar për zhvillimin e arsimit të lartë shqiptar, dhe në zhvillimin e shpejtë të burimeve njërëzore në vendin tonë.
Shqipëria po u afrohet me shpejtësi vendeve të përparuara për raportin që zënë të diplomuarit ndaj numrit total të popullsisë aktive për punë.
Të nderuar pedagogë, profesorë dhe drejtues të fakulteteve dhe universiteteve, Përkushtimi dhe puna juaj e palodhur bëri të mundur LIBERALIZIMIN e arsimit të lartë në vendin tonë.
Tani të gjithë ne bashkë përballemi me një sfidë të vështirë dhe afatgjatë: Rritja e cilësisë dhe krijimi i kulturës për vlerësimin e cilësisë në cdo institucion të arsimit të lartë! Ju jeni faktori kyç edhe në këtë përballje!
Profesorati i vendit tonë po rritet me shpejtësi, për shkak të një investimi të madh që kanë bërë familjet shqiptare në dy dekadat e fundit për shkollimin e të rinjve, jo vetëm brenda vendit por edhe në shkollat më të mira të botës. Zgjerimi i shpejtë i sistemit të arsimit të lartë dhe rritja e cilësisë kërkojnë edhe shtimin e numrit të pedagogëve. Qeveria shqiptare po investon me përparësi për përshpejtimin e kualifikimit të brezit të ri të pedagogëve përmes Fondit të Ekselencës. Këtë vit janë mbështetur rreth 70 kandidatë për studimet e doktoratës në universitetet nga më të mirat e botës.
Cilësia kërkon më shumë auditore, laboratorë, biblioteka dhe kapacitete të tjera. Qeveria është e angazhuar për rritjen e investimeve në arsimin e lartë. Ajo i ka akorduar kampuse pesë universiteteve publike. Universitetit të Tiranë i u transferuar dy godina të tjera me kapacitete të mëdha. Me FZHR të vitit 2011 ka filluar financimi i 6 projekteve të reja të mëdha të arsimit të lartë. Vetëm në vitet 201-2011 janë financuar 51 laboratorë mësimorë shkencor.
Rritja e cilësisë kërkon investime më të mëdha për kërkimin shkencor. Universitetet janë institucionet kryesore të sistemit tonë të kërkimit shkencor. Prandaj ato duhet të kthehen në qendra të fuqishme kërkimore që duhet të rrokin fusha dhe tema kërkimore shumë të rëndësishme për vendin, si albanologjia, energjia, IT, ushqimi dhe bujqësia, pasuritë nëntokësore, turizmi, mjedisi, etj. Universitetet duhet të krijojnë grupet kërkimore në mënyrë që të rrisin aplikimet për fonde kërkimore në kuadër të programeve të mëdha të BE.
Universitetet tona zhvillojnë një bashkëpunim të gjërë internacional, i cili, deri tani ka qenë i orientuar kryesisht në reformën e studimeve sipas standardeve të Procesit të Bolonjës. Tani ka ardhur koha që ky bashkëpunim të orientohet më shumë në kërkimin shkencor. Rritja e cilësisë nuk mund të arrihet pa një internacionalizim të shpejtë të universiteteve, cka nënkupton shkëmbim intensiv të profesorëve dhe studentëve, më mënyrë të vecantë të atyre të nivelit master dhe doktoratë, si dhe diploma të përbashkëta. Disa nga universitetet tona publike këtë vit festojnë 60 vjetorin e krijimit të tyre. Ato duhet të fillojnë tani të ofrojnë kurse edhe për studentët e huaj dhe të sjellin më shumë profesorë të huaj në auditoret e tyre.
Të dashur studentë dhe pedagogë,
Arsimi i lartë shqiptar është në periudhën e zhvillimit më të vrullshëm të tij. Gara e dijes është sfida më e vështirë e këtij shekulli.
Edhe njëherë Ju uroj suksese në vitin e ri akademik.







