Programi Cilësi dhe Barazi në Arsim “Konferenca e tetë për rishikimin 6-mujor të realizimit të programit vjetor të reformës”
Programi “Cilësi dhe Barazi në Arsim”
Konferenca e tetë për rishikimin 6-mujor të realizimit të programit vjetor të reformës
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj mori pjesë në Konferencën e Tetë për Rishikimin e 6-mujorit të Realizimit të Programit vjetor të Reformës “Cilësi dhe Barazi në Arsim”.
Në fjalën e tij, Kreu i Arsimit, paraqiti reformat e ndërmarra së fundmi në sistemin arsimor, duke theksuar orientimin dhe përmbushjen e standardeve evropiane që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndoshjen e demokracisë, në rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike, në parandalimin dhe pakësimin gradual të varfërisë, në forcimin e kohezionit social dhe në qeverisjen efikase.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Tafaj, nënvizoi se arsimi është prioriteti ynë kombëtar, dhe se programin e CBA-së e kemi shpallur përparësinë tonë brenda sistemit arsimor, duke e konsideruar si një mundësi për të përmbushur objektivat afatmesme në fushën e arsimit dhe të shkencës.
Kompleksiteti i reformave, sipas kësaj konference, ka përfshirë një ristrukturim tërësor të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të institucioneve qendrore të varësisë, të Drejtorive dhe Zyrave Arsimore, të krijimit të institucioneve të reja si Inpektoriati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP), të shndërimit të Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimi në Qendrën e Zhvillimeve Arsimore në nivele politikëbërjeje për Arsimin Parauniversitar dhe Arsimin e Lartë, publik dhe privat.
Reformën e kurrikulës në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, Ministri Tafaj, e vlerësoi si burimin themelor të efektivitetit të këtij sistemi që përputhet me standardet dhe kompetencat kyçe evropiane, me përshtatjen ndaj tregut të punës, me fuqizimin e teknologjisë dixhitale dhe me aftësinë e nxënësve dhe studentëve për sipërmarrje.
Duke analizuar komponentët e reformës shumëdimensionale dhe ndikimin e tyre në forcimin e cilësisë së sistemit arsimor, Ministri Tafaj, garantoi se ky është intinerari ynë për përballuar sfidat e shumta që kemi përpara.
Në këtë kontekst, Ministri Tafaj, falënderoi bashkëpunimin serioz me Programin e CBA-së dhe me të gjithë partnerët e tjerë dhe përshëndeti kontributin e tyre në ecjen përpara të reformave në fushën e arsimit.
Në këtë konferencë përshëndetën përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Evropiane të Investimeve, të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës.







