Zhvillohet Konferenca Rajonale e Europës Juglindore për Arsimin: Fuqizimi i kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë nga bashkëpunimi bilateral në atë pan-Evropian
Zhvillohet Konferenca Rajonale e Europës Juglindore për Arsimin: “ Fuqizimi i kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë – nga bashkëpunimi bilateral në atë pan-Evropian”
Në kuadër të Konferencës
Rajonale të Europës Juglindore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe
UNESCO, organizuan në datat 21-22 Maj 2010 në Tiranë, Konferencës
Rajonale të Europës Juglindore në nivel teknik në sesion e parë dhe në
nivel ministerial në sesion e dytë të, me fokus forcimin e bashkëpunimit
rajonal në fushën e kërkimit shkencor dhe Arsimit të Lartë: “Fuqizimi i
kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë – nga bashkëpunimi bilateral në
atë pan-Evropian”.
Në këtë aktivitet përshëndeti Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha,
Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, ministrat e arsimit
të vendeve të rajonit, drejtues të Institucioneve kërkimore shkencore të
vendit dhe të vendeve mike të pranishme në konferencë, drejtues të
universiteteve, studiues, pedagogë, etj.
Në fjalën e tij Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj
falënderoi organizatorët , të cilët përzgjodhën Tiranën për organizmin e
një konference, e cila trajton një çështje kaq të rëndësishme siç është
kërkimi shkencor dhe inovacioni.
Ministri Tafaj, theksoi se kjo konferencë është një ngjarje e
rëndësishme për kërkimin shkencor dhe zhvillimin si dhe për komunitetin e
shkencëtarëve dhe kërkuesve të vendit tonë. Në këtë kontekst, Ministri i
Arsimit dhe Shkencës shtoi se arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë
prioritet i qeverisë shqiptare, e cila e konsideron investimin për
arsimin dhe shkencën si garanci për zhvillimin e gjithanshëm të
ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare drejt ekonomisë dhe shoqërisë së
mbështetur në dije.
Në fjalën e tij, Ministri Tafaj u shpreh:
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar ministra,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar kryetarë dhe antarë të delegacioneve,
Të nderuar kryetarë të akademive, rektorë, profesorë, kërkues,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari dëshiroj tu shpreh edhe njëherë mirëseardhjen në Tiranë dhe të
falenderoj ministrat dhe kryetarët e delegacioneve që arritën të gjejnë
hapësirë në axhendat e tyre shumë të ngjeshura, madje edhe me aktivitete
internacionale, që të marrin pjesë në këtë konferencë, për të cilën
Shqipëria ka nderin të jetë vendi pritës. Dëshiroj të falenderoj
bashkëorganizatorin e kësaj konference, UNESCO-n, përkatësisht Zyrën e
saj në Venecia.
Konferenca e sotme është një ngjarje e rëndësishme për kërkimin shkencor
dhe zhvillimin si dhe për komunitetin e shkencëtarëve dhe kërkuesve të
vendit tonë. Mendoj se takime/konferenca të tilla rajonale janë shumë të
nevojshme për ne të gjithë, pasi sot, në këtë bota kaq globale, vendet
tona përballen me sfida të shumta dhe të ngjashme edhe në fushën e
kërkimit dhe arsimit të lartë.
Zonja dhe zotërinj,
Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë prioritet i qeverisë shqiptare,
e cila e konsideron investimin për arsimin dhe shkencën si garanci për
zhvillimin e gjithanshëm të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare drejt
ekonomisë dhe shoqërisë së mbështetur në dije.
Në 5 vitet e fundit Shqipëria e dyfishoi buxhetin për arsimin dhe
shkencën dhe ai u përdor për të rritur numrin e studentëve gati 2,5
herë. Ne po përpiqemi të kapërcejmë atë prapambetje që ka trashëguar
vendi në numrin e studentëve dhe të diplomuarve në raport me popullsinë.
Vetëm këtë vit akademik që po mbyllet universitetet publike të vendit
kanë pranuar gati 10000 studentë në nivelin mastet dhe rreth 1000
studentë në doktoratë, ndërkohë që përpara 5 vjetësh ky numër ishte gati
8 – 10 herë më i ulët.
Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor gjenden sot në fazën e implementimit
të reformave të thella të cilat kanë rëndësi madhore për të ardhmen e
zhvillimit të vendit tonë, si një vend antar i NATO-s dhe që synon të
integrohet me shpejtësi në BE.
Rezultati kryesor i reformës së kërkimit shkencor është fillimi i
ndërtimit të një sistemi të ri të shkencës, ku arsimi i lartë dhe
kërkimit shkencor janë më të integruar. Kolona kryesore mbajtëse e këtij
sistemi janë tani shkollat e larta. Sipas sistemit të vjetër që kishim
trashëguar, shkollat e larta ishin institucione të dorës së dytë, ndërsa
akademitë dhe institutet e tyre ishin parësore. Ky model dështoi në të
gjitha vendet e lindjes, përfshi edhe vendin tonë, por la një pasojë
shumë të rëndë: prapambetjen e institucioneve të arsimit të lartë.
Nga kjo reformë janë krijuar qendra kërkimore të reja në fusha
prioritare të shkencës, si albanologjia, energjia, uji, teknologjia e
informacionit, bioteknologjia, ushqimi, gjeoshkencat dhe mjedisi, të
cilat do të mbështeten me përparësi.
Gjithashtu, u krijuan edhe 12 Qendra dhe agjenci të Transferimit të
Teknologjive në fushat e ndryshme të ekonomisë së vendit. Jemi të
vetdijshëm që sistemit të shkencës në vendin tonë i mungon kolona tjetër
shumë e rëndësishme, ajo e sipërmarrjes private në kërkim dhe zhvillim.
Kjo kolonë është në hapat e para të zhvillimit të saj dhe meriton një
vëmëndje të veçantë.
Gjithashtu, produkt i kësaj reforme është edhe ngritja e Agjencisë së
Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), misioni i së cilës është
koordinimi, mbështetja dhe nxitja e rritjes së nivelit të kërkimit
shkencor ne rang vendi e me tej nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe
pan-evropian.
Vitin e kaluar Qeveria shqiptare miratoi Strategjinë e Kërkimit
Teknologjisë dhe Inovacionit (2009-2015) si dhe të Planit të Punës në
zbatim të saj, e cila përmban objektiva ambicioze për fuqizimin e
kërkimit dhe teknologjisë përmes 5-fishimit të investimit, jo vetëm nga
buxheti por edhe nga sektori privat si dhe programet internacionale, si
dhe një sërë politikash që lidhen me zhvillimin e burimeve njërëzore,
reformat strukturore, modernizimin e infrastrukurës së kërkimit si dhe
intensifikimin e bashkëpunimit internacional.
Nxitja e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të
kërkuesve Shqiptarë në programe rajonale si SEE.ERA.NET.PLUS, dhe
ËBC-INCO.NET, është një nga objektivat kryesore të kësaj strategjie. Nga
ana tjetër, hapi i hedhur me nënshkrimin e memorandumit për përfshirjen
e Shqipërisë si vend i asociuar në Programin e 7-të Kuadër të Kërkimit
shkencor dhe Zhvillimit Teknologjik (FP7), krijoi një hapësirë tjetër
për kërkuesit Shqiptarë që mund dhe duhet shfrytëzuar më mirë për
rritjen e bashkëpunimit pan-Evropian. Ngritja e strukturës së AKTI-it
do të kontribuojë në promovimin më të mirë të programeve dhe rritjen e
pjesëmarrjes së kërkuesve shqiptar në to.
Në këtë kontekst, unë dëshiroj të nënvizoj domosdoshmërinë e
intesifikimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e kërkimit shkencor.
Rajoni ynë është një rajon jo i madh dhe problematika e kërkimit
shkencor ka ngjashmëri të madhe, për të mos thënë që shumë fusha kanë
rëndësi të njëjtë, vecanërisht, energji, mjedisi, resurset hidrike, etj.
Unë mendoj se bashkëpunimi rajonal mund të intensifikohet përmes:
Përmes programeve të përbashkëta të doktoraturës. Një model do të ishte
një Program Nxitës i Kërkimit shkencor rajonal në kuadrin e studimeve
doktorale, sic kryen ndërmjet universiteteve të vendeve europiane. Kjo
nismë do të rriste cilësinë e kërkimit shkencor dhe do të lehtësonte
transferimin e dijes në rajon.
Përvoja e suksesshme me programin TEMPUS ka krijuar një traditë
bashkëpunimi ndërmjet shkencëtarëve të rajonit dhe atyre të
universiteteve simotra në BE. Për rajonin tonë është e rëndësishme të
përfitojmë nga kjo përvojë duke ndërtuar mbi të projektet tona
ndërrajonale.
Bashkëpunimit rajonal do t’i shërbente edhe bashkërendimi i përpjekjeve
të shkencëtarëve tanë në aplikimin për projekte qe mbeshteten nga
programet e ndryshme të kërkimit dhe zhvillimit si FP7.
Studjuesit e vendeve tona duhet të nxiten të ndërmarrin nisma kërkimore
nëpërmjet fondeve të vecanta të zhvillimit rajonal.
Së fundi ne duhet të konkretizojmë bashkëpunimet tona në fushat
kerkimore me interes të përbashkët, duke mos përjashtuar edhe
bashkefinancimin;
Të synojmë arritjen e marreveshjeve dhe MoU me objektiva më konkrete ne
fushen e kerkimit dhe zhvillimit.
Shpresoj që edhe shkëmbimi i eksperiencave dhe diskutimet në këtë takim
të shërbejnë si një nxitje e mëtejshme në rritjen e bashkëpunimit
rajonal dhe atë pan-Evropian. Unë besoj se integrimi rajonal
nëpërpërmjet programeve arsimore dhe marrëveshjeve ekonomiko-politike
është një hap i mëtejshëm drejt integrimit europian për të gjitha vendet
aspiruese.







