Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, mori pjesë në Forumin Botëror të Edukimit 2012 që po zhvillon punimet në Londër nga data 9 deri 11 janar 2012
Fjala e plotë e ministrit, zotit Myqerem Tafaj,
Të nderuar kolegë ministra,
Të nderuar zonja dhe zotërinj
Më vjen mirë të shfrytëzoj këtë hapësirë diskutimi si një mundësi të shkëlqyer për të prezantuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt modernizimit të sistemit të saj arsimor dhe teknologjik.
Ne kemi bërë hapa të ndjeshëm në arsim, sepse Qeveria Shqiptare, në agjendën e saj, arsimin e ka përcaktuar si një nga prioritetet kyçe. Për rrjedhojë, ne kemi ndërmarrë dhe po realizojmë një numër reformash për të rritur cilësinë në arsim dhe për të promovuar ekselencën në vend.
Një nga reformat madhore është integrimi i sistemit TIK (teknologji informacioni dhe komunikimi) me sistemin arsimor, që shërben si një motor për modernizimin e arsimit. Ne synojmë një Shqipëri digjitale. Në këtë kontekst, kemi bërë të mundur që të gjitha shkollat shqiptare të kenë akses interneti.
Një reformë tjetër madhore është masivizimi i arsimit, rritja e aksesit në të gjitha nivelet e arsimit, nga kopshtet e arsimit parashkollor në universitete. Aktualisht, 80% e nxënësve tanë të klasës së parë kanë ndjekur të paktën 1 vit në kopsht; për të dytin vit shkollor, niveli i pranimeve nga arsimi bazë në arsimin e mesëm është mbi 91%; në arsimin e lartë kemi një raport 40 studentë për 1000 banorë – një arritje e shkëlqyer për Shqipërinë.
Në kuadër të reformave, në shkollat tona funksionon menaxhimi i decentralizuar, ndërsa universitetet publike të vendit gëzojnë një nivel të lartë autonomie.
Sot, nxënësit dhe mësuesit tanë përdorin një program kurrikular të përmirësuar, përshtatur me zhvillimet e reja në teknologji dhe në tregun e punës. Programet e reja mësimore kanë në qendër nxënësin.
Provimet kombëtare (Matura Shtetërore) të shkollës se mesme në Shqipëri janë tashmë të standardit europian, me 4 provime të detyruara për të marrë diplomën, ndër to edhe provimi i gjuhës së huaj. Pritet që nxënësit tanë të flasin të paktën 2 gjuhë të huaja. Në përfundim të cikleve të studimit, nxënësit e shkollës së mesme dhe studentët që diplomohen në nivel universiteti, përfitojnë diplomën e pajisur me kodin elektronik dhe numrin e matrikullit që është i veçantë për çdo nxënës dhe student, të regjistruara në bazën e të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Përveç këtyre, Shqipëria merr pjesë në testimet ndërkombëtare të organizuara nga PISA. Në vitin 2009, Shqipëria shënoi 5 vende më lart, krahasuar me renditjen e mëparshme në PISA dhe u rendit si një nga 3 vendet me progresin më të madh në reformat arsimore.
Menaxhimi në arsim në Shqipëri mbështet gjithnjë e më tepër mbi sistemin e informacionit. Tani përdoren programe elektronike me aplikime të integruara dhe të sofistikuara, të cilat ndihmojnë vendimmarrjen për çështje të ndryshme shkollore. Dy module të rëndësishme, si SIMS (sistemi i menaxhimit të infrastrukturës shkollore) dhe GIS (sistemi informative gjeografik), po përdoren gjithnjë e më tepër për të marrë të dhëna të sakta nga sistemi shkollor, në mënyrë që të informohemi qartë, të gjejmë zgjidhjet e duhura për problematikat e ndryshme dhe të planifikojmë sa më mirë investimet në sistemin arsimor.
Ndërkohë, një nga sfidat që kemi përpara, është reforma në arsimin dhe formimin profesional (AFP) që luan një rol thelbësor në formimin teknik të profesionistëve tanë, duke i përgatitur me aftësi teknike që kërkohen sot në tregun dinamik të punës.
Arsimi i lartë në Shqipëri është i strukturuar sipas sistemit të Bolonjës, programet dhe ciklet universitare organizohen në përputhshmëri me sistemin europian të krediteve.
Gjithashtu, një ndër risitë e tjera që ne jemi duke prezantuar në arsimin e lartë, është skema e re e financimit, e cila është e qendërzuar te nevojat e studentit.
Në vitin 2010 u miratua Korniza Shqiptare e Kualifikimeve (KShK), e cila përputhet me Kornizën Europiane të Kualifikimeve. Sipas kritereve të KShK-së, është miratuar lista e profesioneve të rregulluara në Shqipëri, ku secili nga 10 profesionet është i kushtëzuar me dhënien e një provimi kombëtar, si një kriter kualifikues për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit.
Në thelb, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë po punojnë për të promovuar një kulturë të re të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Kurrikula e re e arsimit bazë synon që njohuritë për kompjuterin të jepen që në shkollën fillore. Lënda e TIK-ut është bërë pjesë e kurrikulës qysh në klasën e 7-të. Ne kemi 17 shkolla të mesme profesionale të profilizuara në TIK. Gjithashtu, TIK-u është një ndër degët më të kërkuara në universitetet tona. Në fakt, numri i studentëve të regjistruar në degën TIK ka ardhur gjithnjë e në rritje.
Duke synuar rritjen e standardeve dhe të cilësisë në arsim dhe duke synuar integrimin e TIK-ut me arsimin, ne vazhdojmë të eksplorojmë potencialet që ofron teknologjia e sotme për të përmirësuar mësimdhënien dhe mësimnxënien.
Dinamizmi që mbart teknologjia, sjell sfida në fushën e arsimit dhe të vetë teknologjisë. Për pasojë, ne do të vazhdojmë të përshtatim arsimin dhe programet mësimore me tregun dinamik të punës dhe me risitë teknologjike; do të fuqizojmë dhe do të modernizojmë më tej arsimin dhe formimin profesional si një mekanizëm që ndihmon në punësimin e të rinjve tanë, si dhe do të rrisim cilësinë në arsim, duke rritur investimet në zhvillimin e burimeve njerëzore që veprojnë në këtë fushë dhe investimet në infrastrukturën arsimore.
Në përfundim, zonja dhe zotërinj, Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s, e cila aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, bashkohet me vendet e tjera për të promovuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke investuar gjithnjë e më shumë në arsim dhe në teknologji.
Realiteti është që ne përballemi me presionet e konkurrencës në tregun rajonal, të cilat duhet t’i minimizojmë duke fuqizuar forcën punëtore nëpërmjet arsimimit dhe aftësive teknologjike.
Ne besojmë se një arsim i orientuar dhe i gërshetuar me TIK përbën një faktor thelbësor që ndihmon Shqipërinë për t’u përballur me rrymën e ndryshimeve që teknologjia sjell çdo ditë, dhe do të ndihmojë më tej në përgatitjen e brezave të rinj profesionistësh, të cilët u përgjigjen në vijimësi standardeve të reja më të larta.
Ju faleminderit!







