Buxheti i vitit 2012 mundëson thellimin e reformave në arsim - Diskutim në Kuvendin e Shqipërisë (Seanca parlamentare e datës 25.11.2011)
Dy vitet e fundit ishin vite buxhetore jo të lehtë për vendin tonë, për shkak të ndikimit të krizës financiare që ka prekur rëndë shumë vende, madje edhe fqinjët tanë. Sidoqoftë, ekonomia shqiptare u tregua vitale dhe i qëndroi mirë krizës. Qëndrueshmëria e ekonomisë sonë është meritë e një menaxhimi eficient të buxhetit, duke u dhënë përparësi investimeve në sektorët më prioritarë dhe duke reduktuar shpenzimet e administratës. Por, mbi të gjitha, qëndrueshmëria ekonomike e vendit edhe në këtë periudhë krize, është fryt i punës dhe djersës së qytetarëve të vendit tonë dhe i iniciativës sipërmarrëse të biznesit shqiptar.
Edhe pse situata makroekonomike e vendit është pozitive, ajo duhet parë e lidhur dhe jo e pandikueshme nga ajo e vendeve që na rrethojnë dhe më gjerë. Ky është konteksti në të cilin është planifikuar Buxheti 2012. Për rrjedhojë, ky buxhet duhet vlerësuar si buxhet realist dhe mbështetës për zhvillimin ekonomik të vendit, në mënyrë të veçantë, për zhvillimin e sektorëve prioritarë. Ai shfaqet sërish si një buxhet me një fytyrë sociale, parë kjo nga rritja e shpenzimeve për sektorët publik dhe nga politikat e ruajtjes së vendeve të punës në sektorin publik dhe vazhdimit të rritjes së pagave.
Dëshiroj të theksoj që në fillim se buxheti i vitit 2012 për arsimin mundëson thellimin e reformave dhe përmbushjen e objektivave kryesorë dhe prioritarë, të parashikuar në strategjitë për arsimin parauniversitar dhe për arsimin e lartë.
Buxhetet e dy viteve të fundit mundësuan arritjen e disa treguesve sasiorë në arsimin shqiptar, që janë plotësisht të krahasueshëm me ato të vendeve të BE-së. Rreth 80% e nxënësve të klasës së parë kanë vijuar, për së paku një vit, arsimin parashkollor. 91-92 % e nxënësve që përfunduan me sukses arsimin 9-vjeçar, vijuan arsimin e mesëm. Regjistrimet në arsimin e mesëm profesional u rritën çdo vit me 9 dhe 11%, në krahasim me vitin 2009. Në arsimin e lartë publik u pranuan rreth 42000 studentë në vitin 2010 dhe rreth 50000 studentë në vitin 2011, në të gjitha ciklet e studimeve universitare, me kohë të plotë dhe të pjesshme. Mbi 70% e maturantëve përfituan një vend studimi në arsimin e lartë publik. Me fondet e buxhetit 2010 dhe 2011, konkretisht Programit të Fondit të Ekselencës, u mbështetën 48 dhe 83 kandidatë për studimet e doktoratës në universitetet më të mira të botës. Grupi i parë i kandidatëve të mbështetur nga Fondi i Ekselencës ka mbrojtur doktoratat jashtë vendit dhe është kthyer. Në vitin 2013 do të jenë rreth 200 të rinj të talentuar që do të kenë përfunduar studimet e doktoratës në universitetet e huaja, çka do të thotë që, pas rreth një dekade, ne do të kemi rreth 200 profesorë të rinj të formuar në shkolla perëndimore, që do të kontribuojnë për përgatitjen e studentëve dhe do të hulumtojnë në fusha të ndryshme të shkencës. Krahas kandidatëve për doktorata, ky program mbështet edhe maturantë dhe studentë të shkëlqyer që pranohen në 15 universitetet më të mira të botës për studime universitare. Ky është një investim i madh, në kuptimin e vërtetë të fjalës, për të ardhmen, që po bën shoqëria shqiptare. Buxheti 2012 parashikon 100 milionë lekë për Fondin e Ekselencës, çka garanton financimin e 90-100 kandidatëve.
Buxheti i vitit 2012 mbështet politikën konstante të Qeverisë Berisha për përmirësimin e statusit të mësuesve dhe pedagogëve. Buxheti parashikon rritje të pagave edhe në vitin 2012. Numri i vendeve të punës në arsimin parauniversitar mbetet i njëjtë. Transferta e pakushtëzuar e arsimit të lartë përfshin një rritje me 400 – 500 vende pune. Krahas pedagogëve të rinj me kohë të plotë, universitetet do të kenë mundësi të angazhojnë, përmes të ardhurave të tyre, një numër të konsiderueshëm pedagogësh me kohë të pjesshme për të përballuar rritjen e numrit të studentëve. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e doktorantëve (në sistem kemi rreth 2800 doktorantë) duhet të angazhohet në procesin mësimor, çka i shërben edhe kualifikimit të tyre.
Buxheti i vitit 2012 garanton skemën ekzistuese të rimbursimit të teksteve shkollore për nxënësit e familjeve në nevojë, jetimët, paraplegjikët, tetraplegjikët, fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë në detyrë, nxënësit e familjeve në emigracion, fëmijët e grupeve të disfavorizuara, të minoriteteve etj. Këtë vit u aplikua me sukses skema e dhënies falas të paketës së plotë të teksteve nxënësve të komunitetit rom dhe atij egjiptian. Gjithashtu, u plotësuan të gjitha kërkesat e paraqitura nga shoqatat e mësimit plotësues për fëmijët e familjeve në emigracion. U dërguan 8500 tekste mësimore të reja për fëmijët e emigrantëve, kryesisht në Greqi dhe Itali.
Me buxhetin e vitit 2012 mbështeten plotësisht bursat e nxënësve e të studentëve, si dhe subvencioni i ndërmarrjeve të trajtimit të studentëve. Me përparësi do të mbështeten me bursë jo vetëm nxënësit e familjeve me ndihmë sociale, por edhe nxënësit konviktorë që vijnë nga 16 rrethe të zonës verilindore dhe juglindore të vendit dhe vijojnë shkollat profesionale. Gjithashtu, bursë kanë përfituar të gjithë nxënësit konviktorë që janë regjistruar në degët e teknologjisë së informacionit, ndërtimit, bujqësisë dhe pyjeve.
Në vitin 2012 do të vazhdojë ndërtimi dhe rikonstruksioni i 131 objekteve shkollore me financim të brendshëm, në kuadër të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, me financim të huaj, në kuadër të Projektit CBA, që realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore, Bankën Europiane të Investimeve dhe Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Europës, si dhe me financim të programit IPA i BE-së.
Brenda vitit 2012, sistemit i shtohen 131 objekte të reja apo rikonstruktuara. Prej tyre, 10 projekte u përkasin universiteteve publike, ku Universiteti i Durrësit do të jetë përfitues i dy godinave të reja, njëra në kampusin e ri në Durrës dhe tjetra në filialin e tij në Peshkopi. Gjithashtu, Universiteti i Shkodrës do të ketë një godinë të re për Fakultetin e Ekonomisë. Universiteti i Tiranës ka përfunduar projektin e kampusit dhe mund të fillojë ndërtimin e godinës së parë. Ndërkohë, Qeveria i ka transferuar Universitetit të Tiranës dy godina të tjera nga objektet e Ministrisë së Mbrojtjes, që do të fillojnë të rikonstruktohen gjatë vitit 2012, çka nënkupton një rritje të kapaciteteve në hapësira për rreth 3000 studentë. Godina të tilla u janë transferuar edhe universiteteve të Korçës, të Vlorës, të Elbasanit e të Gjirokastrës dhe gjatë vitit 2012 do të fillojë puna për rikonstruksionin e tyre. Të gjitha investimet infrastrukturore në universitete do t’i shërbejnë jo vetëm rritjes së kapaciteteve në auditorë, por edhe rritjes së cilësisë së studimeve universitare, që përbën objektiv madhor.
Në arsimin parauniversitar, investimet e parashikuara lejojnë ndërhyrje me rikonstruksione për objekte që paraqiten në gjendje emergjente dhe ndërtime të reja në njësi vendore që kanë nevojë më të madhe.
Investimet e vitit 2012 do të fokusohen me përparësi në arsimin profesional, që përbën prioritetin kryesor në fushën e arsimit. Ato janë investime të planifikuara në kuadër të Programit IPA. Këtë vit ka filluar ndërtimi i 5 shkollave të reja profesionale që duhet të përfundojnë brenda vitit 2012. Ndërkohë, gjatë vitit 2012 do të fillojë, sërish në kuadër të Programit IPA, zgjerimi dhe rikonstruksioni i 3 shkollave të tjera të arsimit profesional. Përmes këtyre investimeve në godina rritet me rreth 15% kapaciteti i sistemit të arsimit profesional. Reforma e thellë e arsimit profesional është përcaktuar si prioriteti kryesor i arsimit në kuadër të Programit IPA. Synimi është që të rritet pjesëmarrja e nxënësve dhe e të rriturve në arsimin profesional dhe të zgjerohet oferta akademike për arsimin profesional në drejtime dhe profile që u përgjigjen më mirë kërkesave të tregut të punës.
Buxheti i vitit 2012 siguron bashkëfinancimin e projekteve me organizatat partnere. Projekti kryesor është ai “Cilësi dhe Barazi në Arsim” (CBA), ku Qeveria shqiptare është bashkëfinancuese me 40% të fondit total.
Në kuadër të këtij projekti, do të mbështeten investimet në 13 projekte për shtrirjen e teknologjisë së informacionit në arsim që i shërbejnë fazës së dytë, asaj të çuarjes së internetit në çdo klasë dhe mësimit të mbështetur edhe në teknologjinë e informacionit.
Investim tjetër shumë i rëndësishëm në kuadër të projektit CBA është edhe ai për ngritjen e laboratorëve mësimorë në arsimin bazë (250 laboratorë) dhe atë të mesëm (280 laboratorë), gjithsej 530 laboratorë. Pra, rreth 25% e shkollave përfitojnë laboratorë në lëndët natyrore.
Gjithashtu, në vitin 2012 do të financohen 10 laboratorë mësimorë-kërkimorë në universitetet publike, me një vlerë prej rreth 10 milionë lekë secili, që do t’u shërbejnë, në mënyrë të veçantë, studentëve të masterit dhe doktoratës, si dhe projekteve të kërkimit shkencor të pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve.
Buxheti 2012, i planifikuar për projektin CBA, përfshin edhe Reformën e planit dhe të programeve mësimore të arsimit bazë. Për këtë qëllim janë angazhuar rreth 100 mësues, pedagogë dhe studiues në 8 komisione sipas fushave/lëndëve dhe në një komision qendror, që po punojnë për reformimin e planit dhe të programeve mësimore mbështetur në traditën e arsimit tonë kombëtar dhe në përvojën e vendeve më të suksesshme në arsim. Në vitin 2012 përfundon procesi i hartimit dhe i diskutimit publik të kurrikulës së re.
Projekti CBA mbështet me asistencë teknike Reformën Financiare të Arsimit të Lartë. Në këtë kuadër, ka përfunduar hartimi i Dokumentit Politik (White Paper), në formën e Planit të Veprimit Kuadër, si dhe i dokumenteve të tjera për aspekte të veçanta të reformës. Kjo reformë synon, në radhë të parë, rritjen e cilësisë dhe krijimin e mundësisë reale për çdo maturant për të studiuar, pavarësisht nga gjendja e tij sociale. Ajo do të pilotohet, në të gjitha etapat e saj, në universitetet publike. Për këtë qëllim, viti 2012 do të jetë viti i fazës përgatitore, gjatë së cilës:
- do të ngrihet sistemi i kredisë studentore;
-do të përfundojë ngritja e sistemit të menaxhimit elektronik akademik (baza e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve);
-do të përfundojë ngritja e sistemit të menaxhimit financiar dhe
-do të përfundojë hartimi i paketës ligjore dhe nënligjore të nevojshme për zbatimin e modelit të ri të financimit të arsimit të lartë.
Investimi për kërkimin shkencor dhe zhvillimin (R & D) në tërësi është në nivelin rreth 0.35% të PPB-së. Ai ka pësuar një rritje, por ende është larg nivelit të dëshiruar (në strategjinë e kërkimit dhe teknologjisë është parashikuar 0.6% e PPB-së).
Buxheti i vitit 2012 mbështet kuotën prej 220 milionë lekë, që duhet të paguajmë në Programin Kuadër 7 të BE-së (FP 7). Numri i aplikimeve nga vendi ynë është rritur ndjeshëm edhe gjatë vitit 2011, por shkalla e suksesit mbetet ende e ulët, çka kërkon intensifikimin e bashkëpunimit të grupeve tona kërkimore me homologët e tyre të vendeve të tjera, modernizimin e shpejtë të infrastrukturës laboratorike si dhe promovimin me përparësi të të rinjve të talentuar dhe me përvojë ndërkombëtare në sistemin e arsimit të lartë.
Të nderuar kolegë,
Në përfundim, dëshiroj të nënvizoj edhe njëherë se ky buxhet është realist dhe jo vetëm që mbështet investimet dhe reformat prioritare, por edhe e mbron vendin nga kriza financiare. Prandaj ju ftoj ta votojmë atë.
Faleminderit!







