Main pageSpeeches

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, mori pjesë në konferencën “Strategjia e Bashkimit Europian 20/20 për kërkimin, inovacionin, arsimin dhe trainimin”, organizuar nga MASH dhe KE

Date
2011-11-08
Speaker
Myqerem Tafaj
Event

Zonja dhe zotërinj,

Së pari, dëshiroj të falenderoj dejtoritë e Edukimit, të Kërkimit dhe Inovacionit të Komisionit Europian si dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë për bashkëpunimin dhe për organizimin, këtu në Tiranë, të kësaj veprimtarie të rëndësishme për promovimin e programeve të rëndësishme të KE në fushën e arsimit, trainimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit. Këto programe prekin drejtpërdrejt jo vetëm studentët dhe pedagogët e shkollave të larta, por edhe përfaqësuesit e biznesit dhe aktorët e tjerë që veprojnë në fushat e sipërpërmendura.

Të nderuar pjesëmarrës,

Shqipëria është e vendosur në rrugën e saj të integrimit në BE. Përmbushja e kësaj aspirate kërkon reforma të thella në të gjithë sektorët për t’iu përafruar gjithnjë e më shumë standardeve të BE. Arsimi, shkenca, teknologjia dhe inovacioni janë fushat që u paraprijnë të gjithë fushave të tjera, sepse ato përcaktojnë shpejtësinë e zhvillimit të kapitalit human, i cili përcakton, në fund të fundit, dhe ecjen e shpejtë në të gjitha fushat e tjera të ekonomisë dhe shoqërisë të mbeshtetuar në dije.

Arsimi është prioritet madhor i Qeverisë shqiptare. Ai i është nënshtruar reformimit të thellë dhe shumëplanësh, duke pasur si objektiv kryesor krijimin e shanseve të barabarta për shkollim të nxënësve dhe studentëve, pavarësisht statusit të tyre social si dhe rritjen e cilësisë së shkollimit. Treguesit e aksesit në të gjitha nivelet e arsimit janë të krahasueshëm me ato të vendeve të zhvilluara. Në sistemin tonë arsimor, pas fazës së parë të revolucionit të teknologjisë në informacionit është në zhvillim faza e dytë – ajo e të mësuarit mbi bazën e tekonologjisë së informacionit. Në të gjitha nivelet e arsimit ka nisur një reformë e thellë për modernizimin e përmbajtjes (reforma kurrikulare) dhe rritjen e cilësisë së shkollimit, në përputhje me standardet europiane. Në arsimin e lartë u adaptua sistemi i studimeve universitare në përputhje me Procesin e Bolonjës në të gjitha ciklet. U zbatuan për herë të parë programet Brain Gain dhe Fondi i Ekselencës për rritjen e burimeve njërëzore në arsimin e lartë. Sistemi i kërkimit shkencor u reformua në përputhje me modelet perëndimore dhe ai u integrua me arsimin e lartë, duke bërë që universitetet të jenë shtylla kryesore e sistemit të kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit.

Rritja e aksesit në arsimin përbën vetëm hapësirën për krijimin e potencialit të nevojshëm njerëzor të shkolluar të vendit. Cilësia e shkollimit përcakton nëse kjo hapësirë do të krijojë një potencial të vërtetë njerëzish të kualifikuar që do t’i paraprijë zhvillimit të shpejtë ekonomik dhe shoqëror të vendit. Rritja e cilësisë kërkon reforma të mëtejshme që do të udhëhiqen nga standardet që përcaktohen në politikat e BE, gjithsej 7 Iniciativa kryesore politike (Flagship initiatives) dhe, në mënyrë të sintetizuar, në “Strategjinë Europa 2020”. Këtu po përmend vetëm disa prej objektivave të saj: investimi për kërkim, teknologji dhe inovacion - 3% e GDP; 35% e vendeve të punës do të kërkojnë arsim të lartë; 20% e studentëve duhet të kryejnë një pjesë të studimeve jashtë vendit;  ulja në nën 10% të përqindjes së të rinjve 18-24 vjeç që nuk vazhdojnë arsimin e mesëm; etj.

Cilësia në arsimin e lartë është e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit. Ajo është e grantuar vetëm kur universitetet dhe shkollat e larta do të bëhen qendra të vërteta të kërkimeve dhe studimeve, të transferimit të teknologjisë dhe të njohurive.
Por, për vende të vogla, sic është Shqipëria dhe resurset që ajo ka, kjo sfidë bëhet shumë më e vështirë, por jo e papërballueshme. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve që përballen me një kërkesë shumë më të lartë për shkollim tretësor në raport me resurset e saj, ndryshe nga grupi i vendeve të zhvilluara ku kërkesa për shkollim tretësor është më e ulët ne raport me resurset që ato kanë.

Programet e BE janë një mbështetje e fuqishme për të gjitha reformat në fushat e arsimit, shkencës dhe inovacionit.

Shqipëria ka qenë e suksesshme në aplikimet në Programin TEMPUS. Projektet në kuadër të këtij program kanë mundësuar reformimin strukturor dhe akademik të universiteteve tona publike. Thuajse gjithë pedagogët dhe shumë studentë kanë pasur mundësinë të kualifikohen në kuadër të këtij programi. Në një farë mënyre, ky program ka vendosur urat e bashkëpunimit jo vetëm midis universiteteve, por edhe profesorëve e studentëve me homologët e tyre në universitete europiane.

Në këtë kuptim Programi TEMPUS ka krijuar një bazë shumë të mire, e cila duhet shfrytëzuar me seriozitet për partneritetin në kuadër të Programit FP 7. Shqipëria ka statusin e vendit të asociuar në Programin e FP 7-të, ç’ka do të thotë një hapësirë e madhe për kërkuesit shqiptar. Por, suksesi i aplikimit mbetet ende shumë i ulët (rreth 12%), për shkak të përvojës së pakët për të shkruar projekte kërkimore në standarde të tilla dhe infrastrukutrës së mangët laboratorike në shkencat natyrore dhe teknike. Vitet 2012 dhe 2013 janë dy vitet e fundit të FP 7 dhe programi pasues do të jetë Horizon 2020. Nëse ne nuk do të rrisim shkallën e suksesit në fazën e mbetur të FP 7, do ta kemi shumë të vështirë që të jemi të suksesshëm në këtë progam.
Për këtë është e domosdoshme që në të gjitha universitetet të ngrihen dhe fuqizohen njësitë e koordinimit të projekteve kërkimore me pedagogë të trainuar mirë. Këto njësi duhet të ndihmojnë të gjithë kërkuesit dhe departamentet në gjetjen e partnerëve, përgatitjen e aplikimit, implementimin e projektit dhe transferimin e outputit të tij në formën e teknologjive apo njohurive.

Rritja e cilësisë së formimit universitar dhe kërkimit shkencor presupozojnë një bashkëpunim intensiv internacional. Në këtë kontekst ne ende shfrytëzojmë pak programet e tjera të BE-së: si Erasmus Mundus, Marie Curie, Jean Monnet. Në mënyrë të vecantë programi Erasmus ofron shanse shumë të mëdha për studentët e masterit dhe doktoratës si dhe ato të postdoktoratës.

Inicitativa tjetër shumë e rëndësishme e BE është ajo “Youth in move” (Të rinjtë në lëvizje), e cila është një paketë masash për orientimin e arsimit të përgjithshëm dhe atij profesional ndaj tregut të punës për të rritur shanset e të rinjve për punësim. Meqënëse ju të gjithë jeni përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, unë dëshiroj të theksoj efektet e kësaj pakete edhe në orientimin e studimeve universitare drejt tregut të punës (zhvillimi i degëve dhe programve që i përgjigjen më mirë kërkesave të ekonomisë dhe tregut të punës)  dhe, nëse do të përdorim këtë term, “profesionalizimin” e studimeve universitare, ç’ka nënkupton një forcim të formimit praktik të studentëve gjatë kohës së studimeve si një rrugë efikase për të rritur shanset e të rinjve për punësim pas studimeve universitare (pra i çojnë të rinjtë në punë!). Në këtë kuptim, një rëndësi të vecantë paraqet orientimi i universiteteve drejt degëve dhe programeve zhvillimi i studimeve profesionale pas-sekondare si dhe orientimi i masterit në fusha profesionale që i përgjigjen më mirë tregut të punës.

Iniciativa tjetër "An agenda for neë skills and jobs" (Një axhendë për aftësi të reja dhe vende pune) kërkon të modernizojë tregun e punës dhe të zhvillojë aftësi dhe shprehi profesionale gjatë gjithë jetës.
MASH dhe Ministria e Punës bashkëpunojnë ngushtë me Delegacionin e BE-së për zhvillimin e arsimit dhe formimit professional (AFP) dhe unë përfitoj nga rasti ta falendëroj Ambasadorin Sequi. Sidoqoftë, kjo mbetet sfida më e vështirë dhe më e rëndësishme në gjithë sektorin e arsimit dhe atë të punës. AFP kërkon investime të mëdha në infrastructure, të mësimdhënies dhe formimit praktik, përshtatje të kurrikulës ndaj kërkesave të tregut të punës si dhe reformim të përgatitjes së mësuesve, etj.
Zonja dhe zotërinj,
Rritja e pjesëmarrjes tonë në programet e BE është e domosdoshme për modernizimin e arsimit, kërkimit dhe inovacionit në vendin tonë, jo thjesht për shkak të resursve shumë të kufizuara që ka vendi ynë, por edhe të knoë – hoë.
Hap i parë dhe shumë i rëndësishëm është informimi gjithnjë i aktualizuar i stafeve të universiteteve mbi përmbatjen dhe mundësitë e programeve të ndryshme. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se ky seminar dyditor përbën një shans të shkëlqyer për t’u informuar dhe për të biseduar me ekspertët e ardhur. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj edhe njëherë të dy zonjat që janë në panel: zj Helene Skikos e DG Edukimi & Kultura si dhe zj. Tanja Friderichs nga DG Kërkimi & Inovacioni, për ndihmën e madhe që na kanë dhënë në promovimin e programeve në vendin tonë.
Zoti Ambasador Sequi, ju falenderoj edhe njëherë për bashkëpunimin dhe ndihmën.
Faleminderit.