Fjala e plotë e Ministrit Tafaj në ceremoninë e diplomimit të studentëve dhe festën e 60-vjetorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës
I nderuar zoti Rektor,
Të nderuar dekanë, profesorë dhe pedagogë,
Të dashur studentë dhe prindër e familjarë të studentëve,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj që më ftuat për të ndarë me ju ditën e festës së Jubileut të 60-vjetorit. Gëzuar Festën!
Të dashur diplomantë!
Dita e diplomimit është një ditë e paharruar në jetën dhe karrierën e çdo individi që ka përfunduar arsimin e lartë. Për ju sot kjo ditë është më e veçantë, sepse përkon edhe me ditën e Jubileut të 60-vjetorit! Unë ju kërkoj ndjesë që në fjalën time do të jem midis jush si diplomantë dhe universitetit që bëhet 60 vjeç.
Gëzuar këtë ditë të shënuar për ju dhe familjet tuaja! Suksese në karrierën tuaj, në cilëndo fushë që ta zgjidhni atë!
Të dashur studentë,
Unë mendoj se ju keni bërë një zgjedhje shumë të mirë, kur keni vendosur të studioni në UBT, që është një ndër institucionet më të vjetra shqiptare në fushën e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor.
Ky universitet është qendra kryesore e arsimit dhe e kërkimit shkencor në vend, në fushat e bujqësisë, blegtorisë, ushqimit, pyjeve, peshkimit dhe zhvillimit rural, që përbëjnë sektorë përparësorë të ekonomisë shqiptare.
Si ish-student, si pedagog dhe tani si ministër kam kënaqësinë që, në këtë ditë të shënuar të universitetit tonë, t’u shpreh mirënjohje të thellë të gjithë ish-profesorëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët punuan me përkushtim për përgatitjen e specialistëve dhe të shkencëtarëve që kanë përfunduar studimet në këtë universitet.
Ky universitet ka dhënë një kontribut të shquar në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Këtu janë diplomuar me mijëra specialistë të bujqësisë, të cilët kanë punuar me përkushtim dhe profesionalizëm në të katër anët e vendit në sektorin e bujqësisë, një ndër sektorët më të vështirë, ndoshta pas atij të nëntokës.
Institucioni paraardhës i UBT-së, Instituti i Lartë i Bujqësisë, është themeluar nga një grup profesorësh të shkolluar në shkollat më të mira perëndimore. Struktura dhe organizimi i studimeve mbështetej në atë të shkollave homologe perëndimore. Më vonë ai u përball, si të gjitha shkollat e larta të vendit, me ndikimin dhe trysninë e ideologjizimit dhe të vetizolimit të vendit, çka u shoqërua me ndryshime të ndjeshme, që e larguan nga modeli fillestar perëndimor, dhe ndikoi dukshëm në zhvillimin akademik të universitetit.
Në dhjetorin e vitit 1990 studentët dhe profesorët e Institutit u bashkuan me ata të Universitetit të Tiranës dhe u bënë aktorët kryesorë të përmbysjes së diktaturës dhe të vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Studentët dhe profesorët sollën shoqërinë e lirë dhe demokratike për shqiptarët. Pjesë e kësaj lëvizjeje dhe e kërkesave të studentëve e të profesorëve ishte edhe krijimi i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Një ndër projektet e para të Qeverisë së Parë Demokratike, pas zgjedhjeve të marsit 1992, ishte ristrukturimi i UBT-së me mbështetjen e Qeverisë së ShBA-së dhe asaj të RFGJ-së. Përmes këtij projekti, dhe projekteve të tjera që pasuan, veçanërisht në kuadër të Programit TEMPUS, UBT-ja iu nënshtrua një reforme të thellë dhe paraqitet sot me një strukturë dhe organizim institucional dhe akademik të krahasueshëm me atë të homologëve të tjerë të vendeve perëndimore. Ai ka realizuar një reformë të thellë të studimeve, mbështetur në Procesin e Bolonjës.
Unë dëshiroj të shpreh mirënjohje për të gjithë rektorët, dekanët, përgjegjësit e departamenteve dhe profesorët e universitetit, të cilët kanë punuar dhe punojnë me përkushtim për reformimin dhe modernizimin e universitetit.
UBT-ja sot ka rreth 12 600 studentë (së paku 2 herë më shumë se në vitin 2004) që studiojnë në pesë fakultete dhe 71 programe të cikleve Bachelor, Master dhe Doktoratë.
Kapacitetet e universitetit janë rritur ndjeshëm. Vetëm në 5 vitet e fundit janë investuar 6.7 milionë USD për infrastrukturë (godina të reja, rikonstruksione). Në kuadër të projektit CBA, ky universitet ka përfituar 20 laboratorë mësimorë kërkimorë, me një vlerë totale prej 1.7 milionë USD. Universiteti është shquar për aplikime për projekte në kuadër të programeve ndërkombëtare. Vetëm në kuadër të Programit TEMPUS ka fituar 30 projekte. Gjithashtu, UBT-ja ka fituar, në pesë vitet e fundit, rreth 40 projekte nga Fondi për Shkencën. Projekti i madh i Ullirit dhe Arrorëve, i mbështetur krejtësisht nga buxheti i shtetit, jo vetëm që krijon një hapësirë krejt të re për zhvillimin akademik dhe kërkimin shkencor të UBT-së, por rrit ndjeshëm edhe rolin e këtij institucioni në zhvillimin e sektorëve prioritarë të ekonomisë së vendit tonë.
Rritja e buxhetit për arsimin e lartë për vitin 2012 më lejon mua që t’ju garantoj për mbështetjen e mëtejshme, me përparësi, të planit afatgjatë të investimeve të UBT-së.
Të dashur studentë,
Ju po studioni në fusha të rëndësishme të shkencave biologjike të aplikuara dhe të ekonomisë, që prekin kryesisht fushat e ushqimit, bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, mjekësisë veterinare dhe mjedisit. Këto janë fushat direkte, nëse mund t’i përkufizojmë kështu, por dhe të ndërthurura me një sërë fushash të tjera, si: shëndetësia, turizmi, territori dhe peizazhet natyrore etj.
Kjo do të thotë që studimet universitare në UBT po bëhen gjithnjë e më shumë ndërdisiplinore, çka krijon një bazë të sigurt për rritjen e cilësisë.
Ju sot përfundoni studimet dhe diplomoheni në ciklin e parë të studimeve – Bachelor. Shumë prej jush janë ende të paorientuar se çfarë do të bëjnë më tej.
Unë mendoj se ju keni mundësi të mëdha për zgjedhje. Ata që nuk do të vazhdojnë më tej studimet, mund të punësohen, të vetëpunësohen ose të krijojnë bizneset e tyre në fushat e bujqësisë, pyjeve, mjedisit dhe peshkimit.
Sektorët e sipërpërmendur kanë përparësi në mbështetjen edhe nga programet e BE-së. Kjo mbështetje do të shumëfishohet me marrjen e statusit të vendit kandidat të BE. Parakusht për të përfituar mbështetje për sipërmarrjen është një kualifikim i certifikuar.
Universiteti ofron mundësi për vazhdimin e studimeve në ciklin e dytë për ata që dëshirojnë të vijojnë më tej studimet. Forma e “Masterit profesional” ofron mundësi të mëdha për ata që dëshirojnë të fitojnë një specializim të ngushtë dhe shumë afër tregut të punës. Ndërsa “Masteri i shkencave” u shërben atyre që dëshirojnë të kenë një formim më të orientuar në kërkim shkencor.
Ne mbështesim me përparësi programet e studimeve që janë të orientuara drejt tregut të punës dhe sigurojnë një punësim më të shpejtë të të rinjve.
Të nderuar kolegë,
Modernizimi i UBT-së është një sfidë jo e lehtë dhe afatgjatë. Unë mendoj se synimi kryesor duhet të jetë bërja e tij një Qendër e fuqishme e Ekselencës jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në kërkimin shkencor dhe transferimin e teknologjisë e të njohurive nga laboratori, stacioni eksperimental te fermeri, sipërmarrësi, rrjeti i këshillimor etj.
Reforma e sistemit të kërkimit shkencor i ka përforcuar UBT-së lidershipin në fushat kërkimore të bujqësisë, blegtorisë, ushqimit, pyjeve, bioteknologjisë së bujqësisë dhe ushqimit, mjekësisë veterinare dhe agroturizmit. Rritja e kapaciteteve kërkimore ka krijuar premisa më të mira për të rritur eficiencën e aplikimeve dhe për përfitimin nga programet ndërkombëtare të kërkimit, në mënyrë të veçantë nga Programi Kuadër 7 i BE-së.
Nga ana tjetër, çdo ditë e më shumë po rritet nevoja e trajnimit të fermerëve dhe sipërmarrësve në këta sektorë si dhe nevoja e konsulencës së nivelit të lartë. Mendoj se UBT-ja duhet ta shfrytëzojë mirë këtë hapësirë për të zhvilluar edhe funksionin e tretë brenda misionit të vet: shërbimet në formën e trajnimeve, transferimit të njohurive dhe teknologjisë.
Puna e palodhur dhe përkushtimi i madh që ju ka karakterizuar në reformimin e UBT-së në dy dekadat e fundit do të jetë edhe kyçi i suksesit edhe në reformat e ardhshme për modernizimin e këtij universiteti. Unë jam optimist dhe ju premtoj mbështetjen e Ministrisë dhe të Qeverisë në të gjitha reformat.
Bashkëpunimi intensiv ndërkombëtar me universitetet e shumë vendeve europiane dhe më gjerë ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen një mbështetje e fuqishme për modernizimin e UBT-së.
Të dashur studentë dhe prindër e familjarë të studentëve,
Në përfundim dëshiroj edhe njëherë t’ju uroj diplomimin.
Të nderuar kolegë, drejtues dhe profesorë të UBT-së,
Gëzuar festën dhe suksese të mëtejshme në punën tuaj në të mirë të studentëve, universitetit dhe zhvillimit të sektorëve prioritarë të ekonomisë që mbulon UBT!
Ju faleminderit!







