Nxënësit
.
Udhëzim për vitin shkollor 2012-2013 në sistemin arsimor parauniversitar
********************
ARSIMI PARASHKOLLOR
Edukimi parashkollor në Republikën e Shqipërisë është publik dhe privat. Ai përbëhet nga çerdhet dhe kopshtet. Çerdhet janë institucione në vartësi të pushtetit vendor dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (0 - 3) vjeç. Kopshtet janë institucione në vartësi të MASH dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (3 - 6) vjeç. Arsimi parashkollor nuk është i detyruar. Ka dy lloje kopshtesh, kopshte gjithëditore dhe kopshte gjysmëditore. Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit.
Procesi mësimor edukativ në arsimin parashkollor zhvillohet mbi bazën e programeve edukative të miratuara nga MASH. Misioni i kopshtit është, që në bashkëpunim me prindërit, të realizojë edukimin dhe zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe t’i parapërgatit ata për në shkollë. Në kopshtet që ndodhen në zonat e banuara nga minoritetet, procesi edukativ dhe mësimor zhvillohet në gjuhën amtare.
ARSIMI BAZË
Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare.
Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar.
Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX).
Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.
ARSIMI MESËM
Arsimi i mesëm nuk është i detyrueshëm.
Arsimi i mesëm në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga Gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga Shkollat e mesme profesionale.
Gjimnazet me kohë të plotë. Sipas Ligjit të Arsimit Parauniversitar Nr. 7952, Neni 30; Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore.
Struktura e re e gjimnazit dhe plani i ri mësimor u zbatuan për herë të parë në vitin shkollor 2009 -2010.
Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore.
Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve.
Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.







