Arsimimi i të rriturve
Në kuadrin e zbatimit të parimit të të nxënit gjatë gjithë jetës, arsimi i të rriturve, në Shqipëri, realizohet në disa forma kryesore nëpërmjet:
• Programeve të posaçme të arsimit të detyruar që ofrohen për persona në moshë mbi 16 vjeç dhe që nuk e kanë përfunduar arsimin e detyruar;
• Programeve të posaçme të arsimit të mesëm që ofrohen nga gjimnazet me kohë të shkurtuar për të rritur dhe që janë të interesuar të përfundojnë arsimin e mesëm;
• Sistemit formal të kurseve të formimit profesional (Vocational training), që ofrohen për të rinjtë dhe të rriturit nga qendrat publike dhe jo-publike të formimit profesional, të njohura nga MPÇSSHB;
• Programeve (formale dhe jo-formale) të zhvillimit të personelit, që e zbatojnë institucionet publike për trajnimin dhe kualifikimin e personelit të tyre;
• Programeve informale të trajnimit që zbatojnë ndërmarrje dhe biznese private për zhvillimin profesional të personelit të tyre;
• Sistemit jo-formal të trajnimeve që ofrohen për kategori të ndryshme të të rriturve nga institucione publike dhe jo-publike si dhe nga organizata të ndryshme (sidomos projektet e donatorëve dhe OJF-të);
• Veprimtarive të të nxënit informal dhe të shkëmbimit të përvojave që ofrohen për të rriturit në forma të shumëllojshme.
IAL ofrojnë programe të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Këto programe shërbejnë për specializime afatshkurtra, plotësime, thellime dhe freskime të njohurive. Ato mund të jenë dhe programe të kërkimit të avancuar të cilat ndihmojnë individët në rritjen e kualifikimit dhe të aftësive të tyre profesionale.
Në kuadër të programeve të të mësuarit gjatë gjithë jetës, IAL organizojnë edhe forma të tjera të ndryshme të mësimit si, shkolla verore (ose veprimtari të ngjashme) në përfundim të të cilave lëshojnë certifikatat përkatëse.
AKAFP është institucioni që mbështet teknikisht MASH në zhvillimin e politikave për arsimimin e të rriturve dhe të të mësuarit gjatë gjithë jetës.
.







