Arsimi Profesional
Arsimi Profesional
Arsimi Profesional, vijon mbas Arsimit bazë 9 - vjeçar dhe synon përgatitjen e nxënësve për përvetësimin e njohurive dhe aftësive profesionale praktike. Ai jo vetëm përgatit specialist të aftë për punë, por edhe nxënës që mund të vazhdojnë arsimimin e lartë.
Duke filluar nga viti shkollor 2009-2010, Arsimi Profesional funksionon me strukturë të re mbi bazën e Ligjit Nr 10011 dt. 30.10.2008, “Për disa Ndryshime në ligjin Nr 8872, dt. 29.3.2002 “Për Arsimin dhe Formimin Profesional në Republikën e Shqipërisë”, me nivele dhe kohë zgjatje sipas Strukturës së arsimit në Republikën e Shqipërisë.
Struktura e re e arsimit profesional (gjithsej 41 shkolla), bazohet në strukturën e kualifikimeve profesionale, të rekomanduara nga Korniza Shqiptare e Kualifikimeve.
Në Arsimin Profesional ofrohen shkollime profesionale afatgjata, (2, 3 dhe 4 vjeçare) dhe, duke filluar nga viti shkollor 2009-2010, zbatohet një strukturë e re arsimore me tri nivele. Kjo strukturë është në përputhje me Klasifikimin Ndërkombëtar Standard të Arsimit (ISCED), me Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK) dhe me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KEK), si më poshtë:
a) Arsimim Profesional bazë në Nivelin I (ISCED 3C, Hyrje në punësim), i orientuar sipas drejtimeve të gjera profesionale (22 drejtime), me kohëzgjatje dy vite. Është ekuivalent me Nivelin II në KSHK dhe KEK. Ofron certifikatë të përgatitjes bazë profesionale (punonjës gjysmë i kualifikuar /ndihmës) dhe lejon kalimin në Nivelin II të AP ose në tregun e punës. Skeletkurrikulat përmbajnë lëndë të kulturës së përgjithshme (40%), lëndë të teorisë profesionale (30%), module të praktikës profesionale (30%), si dhe module praktike me zgjedhje.
b) Arsimim Profesional në Nivelin II (ISCED 3C), i orientuar sipas disa profileve profesionale për çdo drejtim profesional, me kohëzgjatje 1 vit. Është ekuivalent me Nivelin III në KSHK dhe KEK. Ofron certifikatë të përgatitjes profesionale të punonjësit të kualifikuar. Lejon kalimin në Nivelin III të AP ose në tregun e punës. Skeletkurrikulat përmbajnë lëndë të kulturës së përgjithshme (30%), lëndë të teorisë profesionale (20%), module të praktikës profesionale (50%) si dhe module praktike me zgjedhje. Për nxënësit që preferojnë të fitojnë maturën shtetërore të përgjithshme dhe të vijojnë studimet e larta në drejtimet akademike, ofrohet një “Kurs-kalimi” (1 vjeçar) me përmbajtje të orientuar nga kultura e përgjithshme.
c) Arsimim teknik/menaxherial në Nivelin III (ISCED 3A), i orientuar sipas drejtimeve (ose profileve) profesionale. Ka kohëzgjatje 1 vit. Është ekuivalent me Nivelin IV në KSHK dhe KEK. Në përfundim të këtij niveli shkollimi profesional nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore profesionale dhe provimit të praktikës profesionale të integruar. Ofron certifikatë të teknikut (ose menaxherit) në profesionin përkatës, si dhe diplomën e maturës shtetërore profesionale. Lejon kalimin në tregun e punës, në arsimin e lartë universitar ose në arsimin post-sekondar.
d) Arsimim teknik (ose menaxherial) në Nivelin III (ISCED 3A), si bllok i veçantë i orientuar sipas drejtimeve/profileve profesionale të posaçme (jo për të gjitha profesionet). Është me kohëzgjatje 4 vjeçare, pas përfundimit të arsimit të detyruar. Është ekuivalent me Nivelin IV në KSHK dhe KEK. Në përfundim të këtij niveli shkollimi profesional, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore profesionale dhe provimit të praktikës profesionale të integruar. Ofron certifikatë të teknikut (ose menaxherit) në profesionin përkatës si dhe diplomën e maturës shtetërore profesionale. Lejon kalimin në tregun e punës, në arsimin e lartë universitar ose në arsimin post-sekondar.
e) Arsimim profesional post-sekondar në Nivelin IV (ISCED 4B), si bllok i veçantë i orientuar sipas profileve specialiteteve profesionale të posaçme. Është me kohëzgjatje (1-2) vjeçare, pas përfundimit të arsimit të mesëm (të përgjithshëm ose profesional). Është ekuivalent me Nivelin V në KSHK dhe KEK. Ofron certifikatë të kualifikimit profesional në profesionin përkatës dhe mundëson kalimin në tregun e punës.
Që nga viti shkollor 2009-2010, shkollat profesionale po punojnë me Skelet kurrikulat e rinj të Nivelit I, të përgatitura nga Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional (AKAFP), në 22 drejtime mësimore.
Në Nivelin e II të AFP për çdo drejtim mësimor do të ketë dy e më shumë profile që do të hapen sipas nevojave të biznesit.







