Tiranë, më 12 prill 2008

 

Vlerësimi i testeve të maturës në 4 qendra rajonale.

Testi i secilit maturant do të korrigjohet në bazë të një standardi të vetëm për gjithë Republikën.

Në ndryshim me një vit më parë, testet e plotësuara nga maturantët do të korrigjohen jo më në një qendër vlerësimi në Tiranë, por nga 4 të tilla edhe në Elbasan, Shkodër e Fier.

Celja e tre qendrave të reja të vlerësimit kryhet për të patur një administrim më të mirë e të sigurt të procesit. Për këtë proces do të angazhohen 30-40 vlerësues më shumë se vitet e mëparshme, por ashtu si më parë, vlerësuesit do të vijnë nga Tirana dhe nga rrethet e vendit.

4 qendrat e vlerësimit do të jenë:

a) Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”

b) Në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”

c) Në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja:

d) Në Fier në godinën e Drejtorisë Arsimore.

Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MASH dhe Agjensia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) do të përzgjedhin në godinat e sipërpërmenduara mjedise të përshtatshme e të sigurta, ku vlerësuesit e testeve do të punojnë të izoluar.

Mënyra se si do të përzgjidhen testet për tu vlerësuar do të jetë e rastësishme dhe me short dhe do të vendoset nga AVA. Por asnjë nga këto qendra rajonale nuk do të korrigjojë testet e saj (p.sh. testet e rrethit Fier nuk do të korrigjohen në qendrën e vlerësimit të Fierit).

AVA do të bëjë intervistimin dhe përzgjedhjen përfundimtare të vlerësuesve për secilin provim dhe më pas do ti trajnojë vlerësuesit, për një korrigjim korrekt e standard të testeve. Në mbarim të trajnimit vlerësuesit do të certifikohen.

Gjithashtu, për drejtimin teknik të procesit të korrigjimit, AVA do të caktojë në secilën qendër e për secilin provim dy specialistë, që do të përzgjidhen dhe do të trajnohen në periudhën 15 prill-1 qershor.

Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier do te duhet te marrin masa për lirimin e mjediseve të korrigjimit në godinat e sipërpërmendura dhe për ruajtjen e tyre me shërbim 24-orësh me polici ose roje civile gjatë periudhës së korrigjimit të provimeve nga 10 qershor-25 korrik 2008.

Për secilin provim të Maturës Shtetërore 2008, në secilën nga 4 qendrat e vlerësimit do të funksionojë në mënyrë permanente një grup administratorësh të testeve i përbërë nga një përfaqësues të AVA-s një përfaqësues të MASH dhe një përfaqësues i DAR përkatëse.