Tiranë, më 5 maj 2007

Udhëzimi i MASH: Shkelësit e vjetshëm, jo më administratorë provimesh

Me qëllim konsolidimin e Maturës Shtetërore dhe rritjen e rigorozitetit dhe transparencës në procesin e vlerësimit të jashtëm, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nxjerrë një udhëzim drejtuar shkollave dhe njësive arsimore rajonale për analizën e rezultateve të Maturës Shtetërore 2006.

Vitin e kaluar, menjëherë pas përfundimit të provimeve të Maturës 2006, MASH ngriti komisionet e evidentimit të parregullsive gjatë provimeve, të quajtur shkurt KOPOTED. Në bazë të Kodit të Punës MASH ndërmori masa të ndryshme disiplinore ndaj administratorëve të parregullt apo që lejuan kopje gjatë provimeve të Maturës 2006.

Pas rezultateve të nxjerra edhe nga Agjensia e Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve (AVA), MASH udhëzon Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore Rajonale që administratorët e mjediseve ku kanë rezultuar probleme, të mos aktivizohen si të tillë në Maturën Shtetërore 2007.

“Lista e zezë” e mjediseve të Maturës Shtetërore 2006 ku ka patur probleme, është shpërndarë tashmë në çdo Drejtori dhe Zyra Arsimore Rajonale.

Synimi i MASH është që të rrisë shkallën e përgjegjësisë së shkollave dhe mësuesve në vlerësimin e nxënësve, me objektiv vlerësimin sipas meritës.