Udhëzimi i MASH: Diplomat e studentëve këtë vit do të shoqërohen me një suplement
Ministri i Arsimit dhe Shkencës ka udhëzuar Shkollat e Larta të pajisin të gjithë studentët në përfundim të ciklit të parë të studimeve, së bashku me diplomën Bachelor, edhe me Shtojcën e Diplomës (Suplementin e Diplomës), e cila duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe dhe angleze.
Në kuadër të refomës që ka përfshirë të gjithë sistemin e arsimit tonë të lartë, mbi bazën e Deklaratës së Bolonjës, Shtojca e Diplomës zë një vend të rëndësishëm.
Dhënia e Shtojcës së Diplomës krijon hapësira të mëdha për studentët, për studime në nivele të ndryshme të Arsimit të Lartë në Evropë, për transferime të studimeve, por edhe njohje dhe ekuivalentim më të shpejtë të diplomës.
Realizimi cilësor dhe praktik nga Institucionet tona Arsimore të Larta i Shtojcës së Diplomës do të ndihmojë për të realizuar:
· platforma akademike më të mira dhe më cilësore,
· do të kërkojë një programim më modern të procesit mësimor akademik, të infrastrukturës bashkëkohore laboratorike dhe të bibliotekave
· do të krijojë mundësi për një universitet të hapur me kurrikul të krahasuar në nivel evropian, etj.
Kjo shtojcë do të përmbajë:
a) Informacion identifikimi për mbajtjen e kualifikimeve
1. Mbiemër, emër
2. Data, vendi, rajoni i lindjes
3. Numri rendor i studentit, ose kodi
b) Informacion identifikimi i kualifikimit
1. Emërtimi i kualifikimit (i plotë, i shkurtuar)
2. Emërtimi i titullit (i plotë, i shkurtuar)
3. Fushat kryesore të studimeve të nevojshme për kualifikim
4. Emri i institucionit të vlerësimit të kualifikimit, statusi, tipi, kontrolli
5. Gjuhët e instruksionit/shqyrtimi
c) Informacion për nivelin e kualifikimit
1. Niveli i kualifikimit
2. Koha zyrtare e programit
3. Kërkesat hyrëse
d) Informacion për brendinë, përmbajtjen dhe rezultatet e fituara
1. Mënyra e studimit
2. Programi i detajuar
3. Skema e diplomimit, niveli i udhëheqjes
4. Klasifikimi i përgjithshëm
e) Informacion për funksionin e kualifikimeve
1. Hyrje në studimin e mëtejshëm
2. Statusi profesional
f) Certifikimi i shtojcës së Diplomës si dhe modalitete të tjera
Shtojca e Diplomës (The diploma Supplement) zë fill në prill të vitit 1997, kur përfaqësuesit e Arsimit të Lartë të disa vendeve evropiane, nënshkruan Konventën e Lisbonës. Më vonë, në qershor të vitit 1999, në deklaratën e Bolonjës, Njohja dhe Ekuivalentimi i Diplomave, si dhe Shtojca e Diplomës u përshinë në 6 objektivat e rëndësishme të saj.
Ajo u trajtua dhe u pa në këndvështrimin e një mundësie të re dhe të rëndësishme për mobilitetin e studentëve në universitete të ndryshme të kontinentit evropian por edhe më tej, për një dimension të ri të shkëmbimit të kurrikulave dhe të programeve mësimore, krahasimi me nivelin, standardet dhe rrugët e mundshme për pasurimin e tyre.
Lëvizja e lirë e studentëve në të tre ciklet e studimit, u kërkua që të mbështetej në një dokumentacion të gjerë zyrtar , ligjor dhe akademik.
Vetëm mbi këtë bazament Shtojca e Diplomës do tu përgjigjej të gjithë personave që kanë kryer studimet e larta dhe dëshirojnë të punojnë në një vend të Evropës e më gjerë.
Në shumë vende të zhvilluara të Evropës, krijimi i një mundësie të tillë dhe fitimi i Shtojcës së Diplomës është pritur me sukses.
Shtojca e Diplomës, por edhe udhëzimi i ri i MASH-it me procedura më të thjeshta për Njohjen e Diplomave të huaja, shënojnë një hap të ri në zbatimin e Deklaratës së Bolonjës, që do të krijojnë lehtësira për të gjithë studentët, për lëvizjen dhe punësimin e tyre në vende të tjera të kontinenti evropian e më gjerë.
|
|