Tiranë, më 12 janar 2007

 

Drejtuesit universitarë : Partnerë me MASH në nismën për procedurat e vlerësimit të provimeve

Sot në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës është organizuar një takim me rektorë, dekanë dhe përfaqësues të tjerë të Shkollave të Larta, për të diskutuar rreth çështjes së procedurave të vlerësimit të provimeve në universitete.
Ashtu siç u deklarua një javë më parë, ky është takimi i dytë që MASH ka ndërmarrë me grupet e interesit, kësaj radhe me drejtuesit universitarë, për të marrë idetë dhe mendimet e tyre, të shprehura parimisht si pozitive për një vlerësim sa më korrekt e transparent të provimeve semestrale në Shkollat tona të Larta.
Gjatë takimit ministri Pollo tha:
“Jemi takuar së bashku në mbledhje të shumta për të diskutuar çështje me rëndësi të Arsimit të Lartë, si: linjat e përgjithshme të reformës së tij, Master-plani 10-vjeçar që kemi përgatitur, ligji i ri për Arsimin e Lartë, reforma në pranimet në universitete në vijim të Maturës Shtetërore, nevojat afatshkurtra dhe afatgjata të Shkollave të Larta, etj.

Sot do të doja të bisedonim për një çështje shumë të mprehtë për të cilën opinioni publik i vendit është shumë i ndjeshëm; do të doja të bisedonim për korrektesën, transparencën dhe objektivitetin e procesit të vlerësimeve gjatë provimeve në universitetet tona.
Studime e sondazhe të ndryshme, një pjesë e të cilave janë kryer nga vetë universitetet, nuk tregojnë një gjendje të mirë e të shëndoshë në universitetet tona. Dëshmohet neglizhencë në zbatimin e rregullave, përtej kësaj abuzivizëm, dhe përtej abuzimit, edhe korrupsion apo mitmarrje. Unë jam në një mendje me ju, se shpesh këto çështje trajtohen në mënyrë të ekzagjeruar, fryhen vend e pa vend nga disa media, apo ndonjë shoqatë. Por gjithsesi ne e dimë dhe jemi të bindur që problemi ekziston. E dimë edhe se ky problem në arsim është jo vetëm më i ndjeshëm, por edhe shumë i dëmshëm për shoqërinë se sa kur shfaqet në sektorë të tjerë të administratës. Dhe e them këtë sepse viktima në rastin tonë janë studentët e sotëm dhe shoqëria e nesërme; Ata edukohen që të punojnë me hile dhe me mashtrime në bankat e shkollës dhe profesionistët e nesërm e shoqëria në përgjithësi, vështirë se do të bazohen në themele të shëndosha, të moralshme dhe do të punojnë mbi baza etike.
Përpara kësaj situate ne kemi dy qëndrime të mundshme: I pari, i aplikuar gjerësisht dhe në mënyrë konsistente nga qeveria e vjetër; është ai i heshtjes, i mohimit të problemit dhe i laissez-faire-it korruptiv. Opsioni tjetër, që ne e kemi përqafuar aktivisht është përcaktimi i qartë i objektivit se, jo vetëm provimi por kudo arsimi ynë, jo vetëm universitar por i gjithi, duhet të dominohet nga korrektesa dhe transparenca. Në përmbushje të këtij objektivi ne përcaktojmë problemin, në mënyrë të saktë, objektive dhe faktike, dhe tentojmë të gjejmë zgjidhjen e tij.
Lidhur me provimet semestrale, në vijim të shqetësimeve që përmenda, kemi ngritur një grup pune në MASH me pedagogë nga universitetet e vendit; një grup i cili ka vlerësuar situatën në universitete dhe fakultete, ka studiuar gjithashtu praktikat tona të Maturës Shtetërore, të universiteteve tona dhe praktikat më të mira evropiane, dhe ka dalë me disa rekomandime konkrete. Unë do të falënderoja shumë anëtarët e këtij grupi të mbledhur nën drejtimin e profesor Emil Lamanit në Universitetin Politeknik dhe Prof. Niko Peja nga Universiteti i Tiranës, ku kanë kontribuar edhe profesorët: Ymer Luga dekan nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Niko Pojani Universiteti Politeknik i Tiranës, Lili Sula nga Universiteti i Tiranës, Vladimir Spaho nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Zvdekani Fatmir Mema nga Universiteti i Tiranës, Liri Hajdari nga Qendra Kombëtare Arsimore e Vlerësimit të Provimeve, Enkeleda Olldashi nga Universiteti i Tiranës, Liman Varoshi nga Universiteti i Elbasanit dhe Genci Shehu nga Universiteti i Durrësit. Kuptohet që sugjerimet e bëra nga grupi i punës nuk janë uniformë sepse fakultetet kanë specifikat e tyre, diçka që mund të vlejë diku, nuk mund te aplikohet diku tjetër dhe të kuptohemi që këtë gjë ministria e nxit, por janë universitetet që duhet ta konceptojnë e ta zbatojnë. Dhe partnerët tanë ne këtë përpjekje te rëndësishme jeni vetë ju.
Gjithashtu grupi i punës konkludon se rregulloret edhe kështu siç janë, mund të krijonin një gjendje shumë më të mirë në rast se do të zbatoheshin me rigorozitet. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur dhe për këtë përgjegjësinë e mbani ju, drejtuesit përkatës në njësitë përkatëse të universitetit duke filluar nga shefi i departamentit, te dekani e deri te rektori. Kuptojmë që kjo nuk është një punë e lehtë. Administrata publike në vendin tonë shpesh me të drejtë kritikohet se nuk zbaton ligjet fort të mira. Kjo është një përpjekje e vështirë por që duhet kryer pa diskutim dhe për këtë ministria është e gatshme t’ju ndihmojë përmes përkrahjes direkte, kontrolleve dhe përmes masave të tjera.
Ne të gjithë e dimë që rishikimi i procedurave dhe praktikave në provimet e fund-vitit, është një aspekt akut, ndryshimet në të cilin do të vazhdojnë të ndihen që në këtë semestër për të vazhduar sidomos në përfundimin e vitit akademik. Por të tërë e dimë që rritja e standardeve në universitetet tona është një synim i yni i madh, që do të kërkoje më shumë kohë, energji dhe financa. Sigurimi i cilësisë është gjithashtu një tipar qendror në procesin e Bolonjës në të cilin universitetet tona po përfshihen në mënyrë gjithmonë e më aktive. Dhe përmes këtij sigurimi të cilësisë do të zgjidhen në mënyrë më të drejtë e të qëndrueshme problemet që ne sot përmendëm por edhe shumë probleme të tjera për të cilat të gjithë ne bashkë jemi të ndërgjegjshëm. Por gjithsesi në raportet midis afatshkurtrës dhe afatgjatës e dimë që diku duhet të fillojmë për të ecur më tutje.
Gjithashtu edhe studentët dhe organizatat e tyre të zgjedhur në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, këshillat studentorë, kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë përpjekje. Para pak ditësh, ishim në këtë sallë shumë të interesuar për korrektesën e provimeve duke cituar raste abuzivizmi, duke sjellë sugjerime të grupit të punës për rekomandimet e tyre dhe për të deklaruar rolin aktiv që ata duhet të luajnë në përgjithësi në jetën universitare. Por kjo në bashkëpunim me ju, për reformën e duhur të procesit të vlerësimit, prandaj bashkëpunimi juaj me studentët është esencial në arritjen e qëllimit tonë.”
Z. Shezai Rrokaj, rektor i Universitetit të Tiranës pas prezantimit të propozimeve nga kryetari i grupit të punës u shpreh se: “Që nga viti ’99, vit që kaloi ligji për Arsimin e Lartë ne kemi bërë disa rregullore. Mendoj se universitete të ndryshme kanë bërë përmirësimet e tyre gjatë kësaj periudhe. Sipas ligjit, ne jemi të ngarkuar të bëjmë reformën kurrikulare. Besoj se propozimet tuaja vijnë në formën e një partneriteti dhe ne e mirëpresim partneritetin. Unë personalisht i besoj figurës së profesorit pa mohuar se ka edhe profesorucë, të cilët edhe ju z. ministër e dini se janë të paktë në raport me profesorët e ndershëm. Por jemi të pafuqishëm të marrim masa ndëshkimore ndaj tyre. Një ndër masat do të ishte të punësonim pedagogë sipas standardeve por e rëndësishme është zbatimi i rregullores aktuale dhe pas miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë duhet ti vihemi punës për të hartuar rregulloret e reja. “

Përparim Hoxha, rektor i universitetit Politeknik të Tiranës:
“30% të neneve që ne kemi në rregulloren e universitetit i dedikohen dhënies së provimeve. Rregullat janë shumë të mira por nuk janë zbatuar dhe përgjegjësia është e jona, nisur nga unë i pari. Këtë nismë duhet ta shohim me kurajë dhe nga ky seminar sensibilizues, duhet të bëjë të reflektojë secilin prej nesh sepse rregullat nuk na mungojnë.”

Z. Mahir Hoti rektor i Universitetit të Shkodrës:

“Kjo nismë e ministrit duhet të përcaktohet si Kujtesë, si element shkundje për Shkollat e Larta. Ne i pranojmë sugjerimet pasi disa nga rregullat që kemi nuk realizohen. E rëndësishme është që duhet të marrim përvojën nga njeri-tjetri dhe nga universitetet e tjera dhe ky debat duhet të fillojë nga departamentet, sepse askush më mirë se ata nuk e dinë mënyrën se si duhet bërë provimi. Unë mendoj se duhen alternuar të dy mënyrat e dhënies së provimit me shkrim dhe me gojë, por jam i mendimit se duhet ruajtur forma e dhënies së provimit me shkrim, pasi është më pak subjektiv dhe në këtë drejtim duhet punuar me sekretimin e fletës së provimit.
Në kohët e sotme janë shumë studentë që nuk i kontrollojmë dot me gojë, gjithsesi në lëndën time unë i alternoj (gjeografi) të dyja sepse është vetë lloji i lëndës që e kërkon këtë; nga na tjetër kemi studentë të shkencave të komunikimit të cilët gjatë gjithë viteve të studimeve nuk janë dëgjuar se si argumentojnë a logjikojnë për një problem të caktuar. “

z. Agim Kukeli, rektor i universitetit të Durrësit dha disa përvoja konkrete të zbatuara në universitetin 1-vjeçar, i cili po përballet me sezonin e parë të provimet janar-shkurt 2007 dhe tha se:
“Ne ndryshe nga universitetet e tjera, duke qenë një universitet i ri, kemi vlerësuar studentët në bazën e “Të të mësuarit gjatë gjithë Jetës” dhe kemi bërë një vlerësim gjatë gjithë vitit akademik. Disa praktika të tjera në Universitetin e Durrësit janë p.sh.: çdo lëndë në universitetin tonë është semestrale dhe jo vjetore; Gjithashtu, është parashikuar në rregullore se pas 6 muajsh të vlerësimit, fletët e provimeve të mbajtura në arkiv të rishikohen nga pedagogë të fushës dhe të pavarur. Kryesisht provime kryhen me shkrim dhe me fletë të sekretuara. Mendoj se propozimet që prezantoi z. Lamani janë të drejta dhe të zbatueshme. Mendoj se duhet të marrim eksperiencë edhe nga universitetet private. “
Gjatë takimit të fundit në MASH me Këshillat Studentorë, kryetari i Qeverisë Studentore Shqiptare, z. Tahir Lamçe përkrahu nismën dhe përshëndeti propozimet e paraqitura. Ai tha se mbështeste shumë iniciativën e MASH dhe u angazhua të bashkëpunonte që propozimet e grupit të punës të jenë sa më funksionale në fakultete.
Në fillim të dhjetorit 2006, është ngritur pranë MASH një grup pune, për çështjen e vlerësimit të provimeve të fund-semestrit në Shkollat e Larta, përfundimet e të cilit janë bërë tashmë publikë.
Kjo nismë erdhi pas problemeve dhe ankesave të shumta të studentëve e familjarëve të tyre, kundrejt këtyre testeve dhe është në vijim të nismave të MASH për eliminimin e korrupsionit dhe abuzimit, për sundimin e korrektesës dhe meritës, në mënyrë që të kthehet e të forcohet besimi i publikut në institucionet arsimore.