Tiranë, më 14 prill 2008

“Shqipëria anglofone”: Anglishtja me koeficient të lartë, rritet numri i maturantëve që do të japin anglishten si lëndë me zgjedhje.

Plotësimi i formularit A1: 8.700 kërkesa për anglishten, 120% rritje nga 2007

“Rritet me 120% numri i maturantëve që do të japin provim me zgjedhje gjuhën e huaj anglisht. Në 10 korrik, kur do të mbahen provimet me zgjedhje, 8.700 maturantë që kanë plotësuar formularin A1, ose 30 % e numrit total të tyre, do të testohen për zotërimin e anglishtes.

Një vit më parë, këtë provim e dhanë 7.238 maturantë ose 22% e tyre.

Rritja e numrit të maturantëve që do të japin provim anglishten është një nga efektet e matshme të nismës “Shqipëria Anglofone”, të lançuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës në mars 2007.

Kjo është një nga nismat e MASH për këtë lëndë, që favorizon ata kandidatë që janë shumë të mirë në anglisht, një mekanizëm që të rinjtë të mësojnë anglishten apo ta kenë të paktën gjuhë të huaj të dytë, për të qënë sa më kompetitivë në tregun global të punës. Kandidatët e tjerë që nuk kanë një anglishte të mirë, apo janë njohës të një gjuhë tjetër të huaj, nuk janë të diskriminuar. Ashtu si edhe vitet e kaluara, ata duhet të zgjedhin lëndët ku janë më të aftë dhe që janë zgjedhur më tepër nga fakultetet që duan të ndjekin, për shkollë të lartë.
Një nga prioritetet e kësaj qeverie është që shqiptarët të kenë një zotërim të mirë të gjuhës angleze. Anglishtja është padyshim “lingua franca” e shekullit të 21-të dhe jemi të mendimit se zotërimi i saj është absolutisht i domosdoshëm nëse duam të jemi kompetitivë në ekonominë globale.”

Koeficient i lartë për anglishten në të gjithë fakultetet. Cfarë do të thotë kjo?

Të gjitha degët e fakulteteve publike, përvec lëndëve të profilit të tyre, kanë koeficientuar me 1.3 edhe lëndën e anglishtes. (pra p.sh. letërsia përvec lëndëve të tjera shoqërore ka koeficientuar edhe anglishten me 1.3, ndërsa lëndët natyrore me 1.0. Matematika edhe pse degë natyrore ka koeficientuar edhe anglishten me 1.3, ndërsa lëndët shoqërore me 1.0) Kjo do të thotë se kandidatët që përzgjodhën anglishten si lëndë me zgjedhje, nese dalin me rezultate te mira ne kete lende, kanë mundësi që rezultati i tyre të koeficientohet me 1.3 duke arritur kështu një pikaverazh më të lartë.

Gjuha shqipe

Për herë të dytë këtë vit, mbi 30. 000 maturantë do të testohen edhe për njohuritë në gjuhën shqipe. Në dekadat e shkuara, ndryshe nga norma botërore, gjuha amtare ishte përjashtuar nga kurrikulat e arsimit të mesëm të përgjithshëm, dhe si pasojë nxënësit nuk testoheshin për gjuhën shqipe as në provimet e maturës. Në testimin për provimin e detyruar të gjuhë-letërsisë, 20% e kërkesave do të jenë për gjuhën shqipe, një lëndë e cila në të ardhmen, së bashku me programin zyrtar do të jetë një ndër lëndët kryesore në provimet e Maturës.

MATURA 2006

Formulare A1
27. 642
Gjithsej Anglisht
2. 971 Ose 11%

MATURA 2007
Formulare A1
32. 302
Gjithsej Anglisht
7. 238 Ose 22%

MATURA 2008
Formulare A1
Mbi 30.000
Gjithsej Anglisht
Mbi 8.700 Ose 30%

Shqipëria Anglofone

1. Prej dy vitesh, Anglishtja si lëndë me zgjedhje në Maturën Shtetërore, për të gjitha universitetet publike të vendit, ka koeficientin e lartë 1.3 për pranimet në universitete.

2. Vitin e kaluar shkollor anglishtja u fut zyrtarisht si gjuhë e huaj e detyruar, edhe në klasat e 3 dhe të 4 me nga dy orë në javë për secilën klasë. Kjo vlen edhe për 2 gjuhët e tjera Frengjishtja dhe Italishtja, por numri i nxënësve që mësojnë anglisht përbëjnë rreth 70% të nxënësve që mësojnë një gjuhë të huaj. Kjo ka sjellë që në vitin shkollor 2006 - 2007 të ketë një rritje prej 7% të nxënësve në mësimin e gjuhës angleze në Ciklin e Ulët. (Frengjishtja këtë vit është nje nga lëndët me zgjedhje)

3. Përmes reformës së Altertekstit, është bërë e mundur që shtëpitë të huaja botuese të konkurrojnë edhe kete vit me tekstet e tjerë, duke pritur të miratohen dhe të futen në përdorim, krahas shtëpive botuese vendase. Një anë tjetër e reformës është përmirësimi i anës metodike të teksteve duke shtuar fletoret e punës, si dhe cilësive teknike të tyre.

4. Hapja e degëve së gjuhës angleze në Universitete (si ne Durres ) gradualisht do të plotësojë nevojat me mësues të gjuhës angleze.