Shqipëri-Maqedoni, fillon ekzekutimi i Marrëveshjes në fushën e Arsimit
Me synim zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë në fushën e arsimit dhe shkencës, sot është nënshkruar nga ministri ynë i Arsimit, z. Genc Pollo dhe ministri i Arsimit maqedon z Sulejman Rushiti , programi ekzekutiv për vitet 2007-2010 i Marrëveshjes midis dy qeverive për Bashkëpunimin në këtë fushë, të nënshkruar në vitin 2001.
Gjatë ceremonisë ministri Pollo tha:
“Jam këtu me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë për programin ekzekutiv të bashkëpunimit arsimor dhe shkencor midis dy vendeve për vitet 2007-2010.
Mendoj se më këtë program ekzekutiv ne vëmë edhe një gur të rëndësishëm më tej, në ndërtesën e bashkëpunimit shumë të mirë që ekziston në përgjithësi midis vendeve tona, por në veçanti në fushën e arsimit dhe shkencës. Dhe ne kemi shumë gjëra për të bërë sëbashku, kemi nevojë për të shkëmbyer përvojën, ndodhemi në gjendje pak a shumë të ngjashme dhe me probleme dhe sfida që ngjasojnë njëra me tjetrën.
Vizita e kolegut Rushiti në Tiranë, është një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve tona në fushën e arsimit, për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve politike midis dy qeverive tona, por edhe konkretisht për të dhënë mes këtij programi një mundësi më shumë për shkëmbimet midis profesorëve, midis kërkuesve shkencorë, midis nxënësve dhe mësuesve tanë, sepse jam i sigurt që përmes këtyre shkëmbimeve të dyja palët do të kenë mundësi të përfitojnë shumë.
Dhe ky është rast për të parë mundësitë e shkëmbimeve të tjera, për të krahasuar programet dhe kurrikulat tona, tekstet, për të parë mënyrën e menaxhimit të shkollave të të gjitha niveleve në dy vendet tona, sepse kështu mendoj se mund te përfitojmë dhe të gjejmë zgjidhje më të përshtatshme, sepse përvoja e theksuar një herë është e vlefshme për atë që do ta theksojë tani. Dhe njëherë faleminderit, dhe jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu me ministrin Rushiti para jush.”
Ndërsa ministri i Arsimit të Maqedonisë z. Sulejman Rushiti u shpreh se
“Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve dhe miqësisë të dy vendeve, ndërkohë që z. Basha është aktualisht në Maqedoni për një vizitë homologut të tij.
Kjo dëshmon edhe një herë se të dy vendet tona janë të bindur se do ta vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin. Jemi të bindur se projekte të tilla të përbashkëta, janë të nevojshme, në radhë të parë për zhvillimin e vendeve tona, për shkak se vijmë nga një traditë e ngjashme dhe kemi sfidat e ngjashme.
Në sferën e arsimit dhe kërkimeve shkencore, mendoj se bashkëpunimi është shumë i nevojshëm dhe nuk ka munguar deri tani. Shpresoj se pas firmosjes së këtij dokumenti ky bashkëpunim do të marrë një kualitet tjetër. Mendoj se mund të mësojmë shumë nga njeri-tjetri dhe qeveria maqedone është e bindur se investimi në arsim është investimi i sigurt për të ardhmen. Sigurisht që do të ofronim edhe përvojën tonë, por edhe sigurisht do të merrnim përvojën e Republikës së Shqipërisë në drejtim të arsimit por edhe në sfera të tjera.
Është kënaqësi që jam me z. Genc Pollo, gjithmonë kënaqësi që takohemi në rajon dhe në vende të tjera për politikat e përbashkëta, për rrugën që duhet të ecim për sfidën që kemi dhe mendoj se kemi një përgjegjësi të madhe sepse kemi përgjegjësinë për ardhmërinë.”
Sipas këtij programi dy ministritë :
1. Do të inkurajojnë dhe mbështesin vendosjen e lidhjeve direkte midis strukturave përkatëse në nivel ministror, institucionesh arsimore parauniversitare, universitare, shkollash të tjera të larta dhe institucionesh kërkimore.
2. Do të shkëmbejnë ekspertë të fushave të arsimit, shkencës dhe të fushave të tjera akademike për vizita studimi dhe forma të tjera të bashkëpunimit shkencor. 3. Secila palë do të ofrojë çdo vit 5 (pesë) bursa për studime pasuniversitare, 7 (shtatë) bursa për studime universitare si dhe 2 (dy) bursa për pjesëmarrje në kurset e gjuhës dhe të kulturës, që organizohen çdo verë në të dy vendet.
4. Do të mbështesin binjakëzimin midis shkollave me synimin për të forcuar frymën e paqes dhe të bashkëpunimit.
5. Duke pranuar rëndësinë e një paraqitjeje të drejtë të historisë dhe të gjeografisë të të dy vendeve në tekstet shkollore, dy ministritë homologe do të shkëmbejnë informacion rregullisht për programet mësimore të këtyre lëndëve.
|