Fjala e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë z. Sulejman Rushiti
Nënshkrimi i programit ekzekutiv të Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në fushën e Arsimit dhe Shkencës
1 qershor 2007
“Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve dhe miqësisë të dy vendeve, ndërkohë që z. Basha është aktualisht në Maqedoni për një vizitë homologut të tij.
Kjo dëshmon edhe një herë se të dy vendet tona janë të bindur se do ta vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin. Jemi të bindur se projekte të tilla të përbashkëta, janë të nevojshme, në radhë të parë për zhvillimin e vendeve tona, për shkak se vijmë nga një traditë e ngjashme dhe kemi sfidat e ngjashme.
Në sferën e arsimit dhe kërkimeve shkencore, mendoj se bashkëpunimi është shumë i nevojshëm dhe nuk ka munguar deri tani. Shpresoj se pas firmosjes së këtij dokumenti ky bashkëpunim do të marrë një kualitet tjetër. Mendoj se mund të mësojmë shumë nga njeri-tjetri dhe qeveria maqedone është e bindur se investimi në arsim është investimi i sigurt për të ardhmen. Sigurisht që do të ofronim edhe përvojën tonë, por edhe sigurisht do të merrnim përvojën e Republikës së Shqipërisë në drejtim të arsimit por edhe në sfera të tjera.
Është kënaqësi që jam me z. Genc Pollo, gjithmonë kënaqësi që takohemi në rajon dhe në vende të tjera për politikat e përbashkëta, për rrugën që duhet të ecim për sfidën që kemi dhe mendoj se kemi një përgjegjësi të madhe sepse kemi përgjegjësinë për ardhmërinë.
Pyetjet
Në Maqedoni përzgjedhja e teksteve shkollore sipas ligjit bëhet në këtë mënyrë: shpallet konkurs dhe prodhohen tre tekste shkollore për një lëndë. Kështu që marrëveshja që jemi duke arritur, debati, diskutimi bëhet në këtë drejtim: që në këto konkurse të mund të konkurojnë autorë nga vende të ndryshme, pra të mos jetë konkursi vetëm brenda për brenda shtetit por të konkurojnë me autorë shqiptarë nga Maqedonia, autorë maqedonas e kështu me radhë.
Nuk mund të bëhet fjalë për përzgjedhje të teksteve shkollore, nga ana e ministrit apo të ministrave, por ne do të mundësojmë që gara të jetë e hapur të ketë një konkurrencë të vërtetë vlerash. Dhe kjo konkurrencë vlerash të mos mbyllet në kufijtë shtetërore, por të zgjerohet në rajon edhe nga shtetet fqinjë; të kemi mundësinë që një tekst që mund të ketë vlera të padiskutueshme, për kiminë p.sh., të mund të konkurrojë në të dy vendet.” |