Ministri Pollo shpall fillimin e zgjedhjeve në universitete
Procesi nis më 1 tetor 2007
Ministri i Arsimit dhe Shkencës me anën e një urdhri shpalli dje fillimin e procesit zgjedhor në Institucionet publike të Arsimit të Lartë (IAL).
Në mbështetje të ligjit të ri “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, (të miratuar në maj) më 1 tetor 2007 fillon procesi zgjedhor për organet dhe autoritetet drejtuese në Institucionet publike të Arsimit të Lartë.
Sipas këtij urdhri të ministrit, procesi i zgjedhjeve fillon më 1 tetor 2007 me ngritjen e komisioneve të zgjedhjeve, regjistrimin e kandidaturave, fushatën zgjedhore dhe aktin e votimit, periudhë kjo, e cila paraprakisht mund të zgjasë afro 4 javë.
Ky proces do të zhvillohet mbështetur në rregulloren e zgjedhjeve, e cila pas konsultimeve miratohet nga MASH. Rregullorja do t`u vihet në dispozicion Institucioneve publike të Arsimit të Lartë jo më vonë se dy javë përpara fillimit të këtij procesi, ndërsa aktualisht projekt-rregullorja po shqyrtohet nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH).
E reja në këto zgjedhje universitare është pjesëmarrja për herë të parë e studentëve në proces, vota e të cilëve do të koeficietohet me 20%.
Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë Nr.9741, datë 21.5.2007
Nenet për zgjedhjet në universitete
Neni 21
Zgjedhja e organeve dhe e autoriteteve drejtuese
në institucionet publike të arsimit të lartë
1. Në institucionet publike të arsimit të lartë organet dhe autoritetet e tyre drejtuese zgjidhen.
2. Organet drejtuese të një institucioni publik të arsimit të lartë përcaktohen si më poshtë:
a) senati akademik përbëhet nga anëtarë, personel akademik, personel joakademik dhe studentë, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institucionit;
b) këshilli i fakultetit përbëhet nga anëtarë të personelit akademik, të personelit joakademik dhe studentë, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të fakultetit;
c) këshilli i instituteve të kërkimit dhe zhvillimit përbëhet nga anëtarë të personelit të tyre akademik dhe përfaqësues të personelit joakademik, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institutit;
ç) këshilli i kolegjit profesional përbëhet, në shumicën e tij, nga anëtarë të personelit akademik, të personelit joakademik dhe studentë, të zgjedhur drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të kolegjit. Në përbërje të këtij këshilli bëjnë pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, sipas llojit të programeve të studimit që kolegji profesional ofron;
d) senatet akademike dhe këshillat e fakulteteve, të instituteve dhe të qendrave përbëhen 15 për qind nga studentë, 5 për qind nga personel joakademik dhe pjesa tjetër nga personel akademik.
3. Autoritetet drejtuese në një institucion publik të arsimit të lartë zgjidhen sipas modaliteteve të mëposhtme:
a) rektori i institucioneve publike të arsimit të lartë zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e institucionit;
b) dekani/drejtori zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit/kolegjit profesional;
c) përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik respektiv.
4. Në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese, votat e studentëve dhe votat e personelit joakademik përllogariten me përqindje, ato vlejnë 20 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për studentët dhe 5 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për personelin joakademik.
5. Rektori apo autoriteti i barasvlefshëm me të, në institucionet e arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, propozohet nga ministri përkatës dhe emërohet nga Presidenti i Republikës.
6. Dekani apo autoriteti i barasvlefshëm me të, në institucionet e arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, emërohet nga ministri përkatës.
7. Përgjegjësit e departamenteve në institucionet e arsimit të lartë, në varësi të Ministrisë së Brendshme, zgjidhen me të njëjtat procedura, të përcaktuara në shkronjën “c” të pikës 3 të këtij neni.
8. Presidenti i Republikës emëron rektorin e zgjedhur. Rektori emëron dekanin/drejtorin e zgjedhur. Dekani/drejtori emëron përgjegjësin e departamentit/ qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.
9. Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall ditën e fillimit të procesit zgjedhor në institucionet publike të arsimit të lartë. Zgjedhjet zhvillohen sipas rregullores së zgjedhjeve, të përgatitur dhe miratuar nga institucionet e arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj. Rregullorja e zgjedhjeve përcakton procedurat dhe kriteret për organizimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet për organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë.
Neni 22
Autoritete të tjera të institucioneve publike të arsimit të lartë
1. Autoritete të tjera të institucionit publik të arsimit të lartë janë:
a) kancelari i institucionit;
b) zëvendësrektori/ët;
c) zëvendësdekani/ët apo zëvendësdrejtori/ët;
ç) kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore.
2. Kancelari i institucionit është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të institucionit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.
3. Kandidatura për kancelar e një institucioni të arsimit të lartë përzgjidhet nga këshilli i administrimit dhe rektori ia paraqet atë Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratim. Kancelari i një institucioni të arsimit të lartë duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarit të institucionit përcaktohet me akt të veçantë.
4. Zëvendësrektorët emërohen dhe shkarkohen nga rektori, pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në senatin akademik.
5. Zëvendësdekanët/zëvendësdrejtorët emërohen dhe shkarkohen nga dekani/drejtori pas miratimit të kandidaturave të propozuara prej tij në këshillin e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit.
6. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore është përgjegjës për drejtimin e përditshëm, administrativ dhe financiar të fakultetit, për zbatimin e buxhetit, për mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimeve financiare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë.
7. Kancelari i fakultetit ose i njësive të tjera kryesore duhet të ketë formim universitar, juridik ose ekonomik dhe së paku 5 vjet përvojë pune. Ai emërohet nga rektori mes tri kandidaturave të propozuara nga këshilli i administrimit i institucionit.
8. Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë në statutet dhe rregulloret e tyre të drejta dhe detyra të tjera të këtyre autoriteteve, si dhe kualifikimet respektive.
Neni 23
Kohëzgjatja e mandatit për organet dhe autoritetet drejtuese
1. Organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen për një mandat 4-vjeçar. Autoritetet drejtuese zgjidhen deri në dy herë radhazi në të njëjtin funksion. Autoriteti drejtues i një institucioni publik të arsimit të lartë, që konkurron në mandatin e dytë për të njëjtin funksion, duhet të sigurojë 60 për qind të numrit të vlefshëm votave për t'u shpallur fitues.
2. Rektori i një institucioni të ri publik të arsimit të lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, sipas propozimit të bërë nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, me një mandat njëvjeçar në drejtim. Ky mandat mund të përsëritet, por jo më shumë se dy herë radhazi.
3. Rektori, i emëruar sipas pikës 2 të këtij neni, cakton dekanin/drejtorin. Dekani/drejtori i emëruar cakton përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkimit dhe zhvillimit.
4. Postet për autoritetet drejtuese, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni, kriteret që këto autoritete duhet të plotësojnë dhe procedurat për përzgjedhjen e tyre bëhen publike.
5. Senati, këshilli i fakultetit, institutit, qendrës së një institucioni të ri publik të arsimit të lartë përbëhen nga i gjithë personeli akademik i institucionit, që gëzon së paku titullin “Doktor shkencash”. Ata qëndrojnë në këtë detyrë deri në zgjedhjen e organeve drejtuese, sipas këtij ligji. Për këtë periudhë funksionet e këshillit të administrimit kryhen nga senati akademik.
6. Mandati për organet dhe autoritetet e tjera drejtuese dhe administruese të një institucioni të ri publik të arsimit të lartë është i njëjtë me atë të rektorit.
Neni 94
Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall menjëherë, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese të institucionit. Zgjedhjet do të bëhen sipas procedurave të këtij ligji dhe rregullores së zgjedhjeve. Rregullorja për zgjedhjet e para për autoritete dhe organe drejtuese përgatitet, sipas këtij ligji, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në konsultim me Konferencën e Rektorëve. Institucionet publike të arsimit të lartë përgatisin bazën ligjore të nevojshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve të para.
|