Tiranë, më 14 shkurt 2008

 

Shpallen Programet Orientuese Lëndore 2008

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Programet Orientuese Lëndore (POL) për provimet e Maturës Shtetërore 2008 dhe nga dita e sotme ato do të shpallen edhe në webfaqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës www.mash.gov.al

Programet Orientuese u hartuan nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimeve (IKT) dhe janë baza për hartimin e testeve të provimeve të Maturës Shtetërore nga Agjensia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) . Ato përmbajnë nga 50 - 60% të programit të plotë të lëndëve të shkollave të mesme.

Programet Orientuese për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Matematikë, si dhe programet për lëndët me zgjedhje Kimi, Fizikë, Anglisht dhe Biologji do të jenë të njëjta me ato të një viti më parë.

Meqënëse këtë vit për herë të parë edhe nxënësit e shkollave të mesme social-kulturore dhe tekniko-profesionale do të japin si lëndë të detyruara Matematikën dhe Gjuhën e Letërsinë shqipe, janë hartuar Programet Orientuese lendore e reja dhe që nga muaji nëntor 2007, janë shpërndarë tashmë në shkolla.

Gjithashtu për lëndët Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, dhe Gjuha frënge, të cilat këtë vit do të jepen si lëndë me zgjedhje të vecanta, apo bllokun e ri të lëndëve Njohuri për ekonominë dhe Filozofi, janë përgatitur programet e reja orientuese lendore.

Programet do të shpërndahen në shkolla në datën 18 shkurt 2008, por për një mbarëvajtje më të mirë të nxënësve gjatë semestrit të dytë të vitit të fundit të shkollës së mesme MASH u bën thirrje të gjithë maturantëve të përqendrohen në tërësinë e lëndëve dhe jo vetëm në pjesën e programit që përmbajnë këto Programe Orientuese lendore.