Shoqata e Bankave, 51 mijë euro për TIK-shkollat
51 mijë euro është donacioni i fundit për Masterplanin TIK-shkolla nga 17 banka në vend.
Me rastin e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi mes UNDP (United Nations Development Program) dhe Shoqatës së Bankave të Shqipërisë Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi sot në sallën e Collegium-it një konferencë shtypi. Të pranishëm në këtë konferencë ishin kryetari i SHBSH z. Edvin Libohova dhe zv. drejtori i UNDP z. Philip Peirce.
Gjithsej 17 banka në vend kanë kontribuar me 3 mijë euro secila për ndërtimin e tre laboratorëve kompjuterikë dhe lidhje me internet në shkollat “Havzi Nela” në Kukës, shkollën “Faik Konica" Korçë dhe në shkollën e mesme të gjuhë të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë.
Gjatë konferencës ministri i Arsimit pasi falenderoi Shoqatën e Bankave për kontributin tha ndër të tjera se “Për herë të parë buxheti i shtetit 2007 parashikoi 7,4 milion euro fonde vetëm për projektin e TIK-shkollave.
Ai shtoi se “Pas nënshkrimit të kontratës mes MASH dhe Albtelecom-it, secila shkollë do ketë një portë ADSL për të patur një furnizmim 24 orë në ditë me internet.
Kjo është një arritje pas një pune dhe investimi dy-vjeçar. Por ne shpresojmë shumë që pas një viti, të jemi në gjendje të shpallim diçka të tillë edhe për arsimin bazë. Por pas dy vjetësh ne mund të shpallim se brenda këtij viti të gjitha shkollat e mesme, gjimnazet dhe shkollat profesionale të jenë të pajisur me laboratorë kompjuterikë.”
I iniciuar në dhjetor të vitit 2005 Masterplani i TIK-Shkollave do të bëjë të mundur edukimin e nxënësve të shkollave 9-vjecare dhe të mesme në njohuritë dhe përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikacionit (ICT Information and Communication Technology; në shqip TIK) si dhe shërbimeve të internetit.
Rreth 1749 shkolla 9-vjeçare dhe 384 shkolla të mesme do të jenë përfituesit kryesorë të këtij projekti.
Programi i informatizimit ka për qëllim t'u mësojë nxënësve aftësitë e duhura në përdorimin e internetit: ata do të mund të përfitojnë nga teknologjitë moderne të informacionit dhe komunikimit në një mënyrë të re, dinamike, gjithashtu edhe argëtuese. Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme do të pajisen me laboratorë kompjuterash ndërkohë që është parashikuar në këtë program edhe trajnimi i mësuesve.
Ky program hap dyert për mundësi të reja zhvillimi që Teknologjia e Informacionit dhe Komunikacionit i ofron komunitetit duke e lidhur atë me sektorin privat, shërbimet shoqërore dhe tregun.Përmes TIK-Shkolla dhe programit ‘Adopto një shkollë” është menduar të krijohen Qendra Interneti të cilat do të punojnë edhe pas orëve të mësimit në mënyrë që të përfitojnë jo vetëm nxënësit por edhe gratë, bizneset me qëllim zhvillimin e aftësive të përdorimit të TIK dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror.Ky program do të mobilizojë partnerët dhe burimet e tjera për të siguruar një proces të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të TIK në shkolla dhe në krijimin e aftësive menaxhuese në mbështetje të laboratorëve shkollorë.
Informatizimi i shkollave është bërthama e zhvillimit dhe kjo do të mbështesë aspiratat e Shqipërisë në integrimin në Bashkimin Evropian duke siguruar edhe standarde të larta në arsim. Për zbatimin e këtij projekti qeveria shqiptare do të kërkojë ndihmën e partnerëve si: komunitetit, universiteteve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe Pushtetit Lokal.
Ky program është hartuar në bashkëpunim me UNDP dhe partnerë të tjerë dhe zhvillohet në kuadrin e memorandumit të mirëkuptimit të qeverisë shqiptare me UNDP në katër fusha kooperimi: luftën kundër veprimeve joligjore, bashkëpunimi në reformën e taksave, hyrjen e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në shkolla, iniciativa e thithjes së trurit, mjedisi dhe turizmi.
|