Tiranë, më 25 prill 2008

 

Nga ky vit shkollor, shërbimi psikologjik do të ndihmojë nxënësit të kapërcejnë problemet

Shërbimi Psikologjik Shkollor (Sh.P.Sh.) duke filluar që nga ky vit do të jetë pjesë e sistemit tonë arsimor, sipas një urdhëri të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Deri më sot ky shërbim ka funksionuar në bazë të eksperimentimit.

Qëllimi kryesor i Shërbimi Psikologjik Shkollor është promovimi i mirëqënies mendore dhe fizike të nxënësve si dhe lehtësimi i procesit të të nxënit. Ky shërbim mendojmë se është i dobishëm për gjimnazistët, për ti ndihmuar ata në problemet e moshës, raportet në familje e shoqëri, vështirësitë në mësimnxënie e provime.

Megjithatë shtrirja e këtij shërbimi do të bëhet në mënyrë graduale me plotësimin e kushteve (kabinetit të psikologut në shkollë) dhe sigurimit të specialistit me arsim përkatës (me diplomë universitare në degën e psikologjisë, ose me master në psikologji dhe pedagogji).

Aktualisht në shkollat tona punojnë tona 144 punonjës të shërbimit psikologjik shkollor sipas të dhënave të muajit mars 2008.

Urdhri i ri për Shërbimin Psikologjik Shkollor përcakton

  • Funksionimin e këtij shërbimi në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar duke futur këtu edhe kopshtet, gjë që nuk ka qenë më parë.
  • Paga e psikologëve do të jetë e njëjtë me rrogat e mësuesve të sistemit të detyruar apo të mesëm.
  • Raporti i psikologut me numrin e nxënësve do të jetë 1 në 1500-1800 nxënës.

Sipas udhëzimit të ri për Shërbimin Psikologjik Shkollor:

  • Në ndihmë të punës së psikologut shkollor do të ngrihet grupi mbështetës i nxënësit që përbëhet nga mësues me përvojë, psikologu i shkollës dhe drejtori i shkollës.
  • Psikologu shkollor duhet të ketë një diplomë të shkollës së lartë. Gradualisht do të zëvendësohen të gjithë psikologët e punësuar me diplomë mësuesie dhe më vonë psikologët me diplomë në punë sociale.
  • Një manual i shërbimit psikologjik do të përcaktojë më konkretisht detyrat dhe përgjegjësitë e psikologut shkollor dhe personelit tjetër të shkollës (drejtues, mësues, etj.) që së bashku do të sigurojnë funksionimin e këtij shërbimi.