Tiranë, më 27 mars 2007

 

Matura 2007, Më tepër kohë për të vendosur, më pak shpenzime e mundime për procedurën

Regjistrimet për lëndët me zgjedhje në prill. Regjistrimet për fakultetet në muajin qershor. TË GJITHA NË GJIMNAZ!

“Sot do të doja që maturantët e vitit 2007 t'i informonim për disa nga rregullat e provimeve të Maturës Shtetërore 2007.

Së pari, do të doja t’ju njoftoja që maturantët, brenda muajit prill, duhet të caktojnë dy lëndët që ata do të japin si provim me zgjedhje të Maturës 2007.
Maturantët do ta bëjnë këtë përcaktim përmes plotësimit të formularit A1, të cilin do ta marrin në shkollën e mesme të tyre dhe pas plotësimit do ta dorëzojnë po aty.
MASH ka bërë tashmë publike listën e lëndëve me zgjedhje dhe listën e lëndëve të preferuara për çdo fakultet. Kjo praktikë është ndjekur edhe vjet.

Ajo që ndryshon këtë vit dhe që është favorizuese për maturantët, është që ata do të kenë më shumë kohë për të përcaktuar degët në të cilat ata duan të vazhdojnë shkollën e lartë.
Brenda muajit qershor maturantët duhet të dorëzojnë në shkollën e mesme të tyre formularin A2 të plotësuar. Në këtë formular maturantët mund të përzgjedhin deri në 10 degë të fakulteteve te universiteteve tona publike, sipas një rendi preferencial, duke filluar me atë që dëshirojnë më shumë.

Ndryshe nga praktika e vitit të kaluar, maturantit i jepet më shumë kohë për të bërë zgjedhjen e jetës, i kursehet mundimi dhe shpenzimi për aplikimin në fakultetet e ndryshme.
Pra, nëse vjet për të aplikuar në 10 fakultete, maturanti priste radhën në 10 sekretari dhe paguante 10 herë tarifën e regjistrimit, pasi udhëtonte drejt Shkodrës, Tiranës apo Vlorës, sivjet nuk do të ketë as udhëtim, as radhë pritje, dha as pagesa shumëfishe, por vetëm një formular të plotësuar që dorëzohet në gjimnaz.

Për maturantët që duan të vazhdojnë studimet jashtë Shqipërisë është e domosdoshme që ata të informohen për kushtet që vendos universiteti apo vendi përkatës dhe nëse duhen provimet me zgjedhje, ata duhet të regjistrohen përmes formularit A1.

Gjithashtu për maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë Shqipërisë dhe duan të vazhdojnë universitetin publik në vendin tonë, ndryshe nga vjet nuk do jetë e nevojshme të jepen dy provimet me detyrim, por vetëm dy provime me zgjedhje, ndërkohë që deftesa e tyre do të ekuivalentohet sipas rregullave në fuqi."

Brikena Kollçinaku
Zyra e Shtypit MASH