Tiranë, më 28 mars 2007

Projektligji i ri për Arsimin e Lartë, studentët pjesmarrës aktivë në vendimarrjen e universiteteve

Projektligji i ri për Arsimin e Lartë është miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave dhe aktualisht është në Parlament për miratimin e tij përfundimtar.

Studentët, kapitull i veçantë

Studentët dhe të drejtat e tyre zënë një vend të rëndësishëm në projektligjin e ri të Arsimit të Lartë. Për herë të parë përfaqësimi i tyre në senate dhe këshilla do të jetë jo rastësor sipas preferencave të rektorëve apo dekanëve, por nga studentët e zgjedhur nga vetë këto këshilla studentore. Për herë të parë është parashikuar përfaqësimi studentor në nivel kombëtar.
Janë parashikuar gjithashtu një sërë lehtësirash për studentët më të mirë, si bursa studimesh brenda dhe jashtë vendit.
Në projektligj sanksionohen mundësi reale të mobilitetit të studentëve, pra të transferimit të kualifikimeve të fituara, që është dhe një nga qëllimet kryesore të Marrëveshjes së Bolonjës.

Nisur nga rëndësia e pjesmarrjes së studentëve në veprimtarinë e Institucioneve të Arsimit të Lartë, (të Shkollave të Larta) si qëllim edhe i Deklaratës së Bolonjës, si një hap përpara drejt autonomisë institucionale, në projektligj është përfshirë një kapitull i veçantë për:

· të drejtat dhe detyrimet e studentëve,
· për organizimin institucional të tyre,
· për rritjen e pjesëmarrjes reale të tyre në qeverisjen e Shkollave të Larta,
· në procesin e vlerësimit te brendshëm të cilësisë,
· si dhe në mekanizmat e kontrollit financiar.

Njohja e diplomave

Në nenet 37 dhe 38 të projektligjit, krijohet mundësia e njohjes së një programi studimi, apo pjesë të tij, të kryer jashtë vendit. Më konkretisht, ky projektligj për herë të parë njeh dhe lejon njohjen dhe transferimin e programit apo pjesëve të programit të studimit nga një shkollë në një tjetër brenda dhe jashtë vendit, pjesë të sistemit të arsimit të lartë ose jo. Pra lejohet njohja, vlerësimi dhe ekuivalentimi i ciklit të plotë apo pjesë të tij me qëllim që studenti të mund të transferohet apo të vazhdojë ciklin tjetër të studimeve në degë brenda një trungu të përbashkët (brenda fakultetit), sipas rregullave të brendshme të vetë Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Cilësia / Akreditimi

Nenet 59 – 62 janë të rëndësishme për sigurimin e cilësisë së institucioneve dhe programeve të tyre të studimeve. Ato sanksionojnë mekanizmat ligjorë për kontrollin dhe garantimin e cilësisë së diplomave si dhe për akreditimin e institucioneve dhe të programeve të studimeve që ata ofrojnë. Gjithashtu, këto kërkesa janë të njëjta si për institucionet publike, ashtu dhe për institucionet private të arsimit të lartë.

Përveç sistemit të vlerësimit të jashtëm në universitete do të krijohen njësi që do të bëjnë një vetëvlerësim, në kuadër të vlerësimit të brendshëm të shkollave të larta.
Sistemi i akreditimit, është edhe ky një pikë e rëndësishme e këtij projektligji. Për herë të parë liberalizohet sistemi i akreditimit; përcaktues nuk do të jetë vetëm institucioni publik i MASH, Agjensia e Akreditimit Kjo do të thotë se procesi i Akreditimit të Shkollave të Larta do të jetë i hapur edhe për rrjetin evropian të Akreditimit.

Një draft i këtij projektligji mund të gjendet edhe në www.mash.gov.al.