Tiranë, më 29 mars 2007

 

Projektligji i ri për Arsimin e Lartë: Rritet Autonomia dhe Transparenca në Shkollat e Larta.

Projektligji i ri për Arsimin e Lartë i miratuar së fundi nga qeveria garanton rritjen e autonomisë së Shkollave të Larta dhe të transparencës së tyre përballë publikut.

Kjo autonomi sanksionohet fillimisht në zgjedhjet e drejtuesve të këtyre institucioneve. Dekanët dhe rektorët  zgjidhen me një votim ku marrin pjesë të gjithë studentët, stafi akademik dhe personeli ndihmës. Votat e studentëve dhe të personelit ndihmës shumëzohen përkatësisht  me 20% dhe 5%.

Në bazë të këtij projektligji institucioneve të Arsimit të Lartë ju garantohet autonomi e plotë

  1. Institucionale,
  2. Akademike dhe
  3. Financiare.

Në të sanksionohet e drejta e Shkollave të Larta:

  1. për të hartuar dhe miratuar statutin dhe rregulloret e tyre,
  2. për të zgjedhur organet dhe autoritetet e tyre drejtuese,
  3. për të organizuar strukturat e tyre të brendshme dhe veprimtaritë,
  4. të drejtën për të zgjedhur personelin akademik dhe administrativ të të gjitha llojeve,
  5. të drejtën për të caktuar kushte te veçanta të pranimit të studentëve në programet e studimeve,
  6. të drejtën për hartimin dhe zhvillimin e pavarur të programeve të studimit dhe të projekteve të kërkimit,
  7. të drejtën për të mbledhur fonde nga donatorët,  
  8. të drejtën për të realizuar marrëveshje të pavarura për studime, trajnime, kualifikime, ose për projekte kërkimore,
  9. të drejtën për përdorimin e grantit të buxhetit të shtetit,
  10. të drejtën për të programuar veprimtaritë e tyre, nëpërmjet shërbimeve që sigurojnë burime të tjera financiare, etj.

Këshilli i Administrimit, një organ i ri në universitete,

  1. do të rrisë efikasitetin në menaxhimin financiar e administrativ të shkollave të larta
  2. do të rrisë përgjegjësinë e tyre ndaj shtetit dhe taksapaguesve,
  3. do të rrisë transparencën në përdorimin e fondeve dhe përzgjedhjen e stafit akademik
  4. si dhe do t'i hapë këto instuticione ndaj shoqërisë.

 Zgjedhjet e para të autoriteteve dhe organeve drejtuese në Institucionet e Arsimit të Lartë do të zhvillohen menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Projektligji i ri i arsimit të lartë është hartuar me ndihmën e përfaqësuesve nga më të njohurit të stafeve universitare dhe është bazuar në përvojën e legjislacioneve evropiane për arsimin e lartë.

Gjithashtu, kanë dhëne mendime në materialin përfundimtar edhe:

  • Të gjitha strukturat e shkollave të larta, që në mënyrë institucionale kanë debatuar dhe paraqitur vlerësimet dhe objeksionet e tyre.
  • Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës.
  • Ekspertë evropianë, nga më të njohurit në fushën e arsimit të lartë dhe legjislacionit respektiv, si Drejtori i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në Këshillin e Evropës, Kryetari dhe ish Kryetari i Komitetit drejtues për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor pranë Këshillit të Evropës, Presidenti i Shoqatës së Universiteteve Evropiane, eksperti i Bankës Botërore që punoi për Masterplanin e Arsimit të Lartë, si dhe ekspertë vendas nga shoqëria civile.
  • OJF Universitare, si Kryesia e Kolegjit të Profesoratit, Asambleja e Kolegjit të Profesoratit, Shoqata per Autonomi Universitare, etj.
  • Të gjitha ministritë e linjës dhe Këshilli i Ministrave.

Projektligji i ri për Arsimin e Lartë është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe aktualisht është në Parlament për miratimin e tij përfundimtar.

Një draft i këtij projektligji mund të gjendet edhe në www.mash.gov.al