Ministri Pollo: "Përshëndesim qëndrimin e Komisionit të Integrimit për projektligjin e Arsimit të Lartë"
Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo përshëndet qëndrimin objektiv dhe profesional, për projektligjin e Arsimit të Lartë, të shprehur nga Komisioni Parlamentar për Integrimin dhe kryetari, z. Ilir Meta.
Nga konkluzionet e bëra të ditura vërejmë se anëtarët e këtij komisioni vërtet janë thelluar në leximin e këtij projektligji, i cili synon ndër të tjera edhe integrimin e Arsimit tonë të Lartë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (Europian High Education Area EHEA).
Një nga objektivat specifikë të projektligjit është edhe përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asosiciimit.
Nga MSA kërkohet respektimi i Deklaratës së Bolonjës dhe në veçanti:
- Ndërtimi i kurrikulave në përputhje me tre ciklet e studimit;
- Futja e Sistemit Europian të Transferimit të Krediteve (ECTS), si dhe shtojcës së diplomës.
- Hartimi dhe implementimi i standardeve kombëtare për sigurimin e sistemit të cilësisë, zhvillimi i procesit të akredimit, si një proces i pavarur;
- Kryerja e procesit të njohjes së diplomave dhe gradave mbi bazën e procedurave dhe standardeve evropiane;
- Eliminimi i pengesave në lidhje me mobilitetin e studenteve dhe te stafit akademik;
- Detyrimi që mësimdhënia të shoqërohet me kërkimin shkencor;
- Autonomi në mënyrën e financimit dhe të përdorimit të fondeve nga vetë Institucionet e Arsimit të Lartë për të krijuar kushte për realizimin e objektivave të tyre.
Në vitet 1994 dhe 1999 u ndërtuan dy ligje të reja për arsimin e lartë në vendin tonë. Por megjithatë, legjislacioni aktual megjithë ndryshimet e bëra, ishte bërë pengesë për përshtatjet ligjore dhe për përmbushjen e detyrimeve të MSA-së.
Me këtë projektligj legjislacioni i arsimit të lartë merr një trajtë të re, pikërisht për të pasqyruar ndryshimet e gjithë sistemit, në përshtatje me modelet evropiane dhe me standardet e Këshillit të Evropës.
|
|