Tiranë, më 26 prill 2007

 

Ministri Pollo: “Studentët me këtë projektligj më të përfaqësuar e më të ndërgjegjshëm për Arsimin e Lartë dhe cilësinë e diplomave të tyre”

Diskutimi i projektligjit për Arsimin e Lartë (pligji për AL), që pritet të miratohet së shpejti në Parlament, ishte objekt diskutimi në një tavolinë të rrumbullakët me kryetarë dhe përfaqësues të forumeve rinore të partive politike kryesore në vend. Ky takim, i pari në llojin e vet, u organizua nga Forumi Rinor i Partisë Demokrate të Re (FORERI) me qëllim shkëmbimin e pikëpamjeve për sa i përket kapitujve të pligjit për studentët dhe merrnin pjesë kryetarët e FRESSH, LRI, të forumeve rinore të PD, PDK, PR, PAA, PBDNJ, dhe PSD.

I ftuar në këtë tavolinë ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo tha se studentët duhet të ndërgjegjësohen për rolin e tyre të rëndësishëm dhe qëndror në vendimmarrjen e universiteteve. Ai pohoi se “organizatat rinore të partive politike janë një mekanizëm i shkëlqyer për të zhvilluar debatin në këtë sens dhe për të realizuar këtë ndërgjegjësim. Studentët duhet të ndërgjegjësohen që cilësia e shkollave të tyre, ka pasoja imediate propocionale me cilësinë e diplomave të tyre dhe ky është një çelës për suksesin në jetë. Prandaj mendoj se ushtrimi i votës është një përgjegjësi e madhe, jo vetëm një e drejtë e fituar, sepse me këtë studentët janë një element i rëndësishëm, gati qendror në përzgjedhjen e dekanit a të rektorit përkatës.”

Ndërsa përfaqësuesit e forumeve rinore të pranishëm përshëndetën takimin dhe shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen aktuale të shkollave të larta në vend, duke pohuar se një ligj i ri për Arsimin e Lartë duhet të miratohet sa më shpejt. Ata morën përgjigje nga ministri Pollo rreth çështjeve më të debatuara së fundi në këtë pligj.

Gjatë fjalimit të tij ministri Pollo tha:

“Faleminderit FORERI-it dhe të gjitha forumeve të partive politike parlamentare që janë sot të pranishëm këtu.

Gjithkush prej jush mund të marrë fjalën dhe të thotë pse ky takim tani që pligji është në parlament dhe mund të jetë një vërejtje e drejtë. Por gjithsesi pligji është në parlament dhe pret sugjerime, amendamete eventuale për tu diskutuar në seancë plenare. Por megjithëse në këtë kohë, unë e konsideroj shumë të rëndësishëm dialogun politik me organizatat rinore të partive kryesore, sepse ky dialog prek direkt këto forume dhe komunitetin rinor që ata përfaqësojnë, që në një masë të madhe është edhe komuniteti studentor.

Ka ligje që debatohen fort, nganjëherë edhe ashpërsisht në parlament, dhe nuk janë objekt i konsesusit mes maxhorancës dhe opozitës. Ka ligje të tjera që opozita ose është shprehimisht dakord, ose nëpërmjet amendameneteve anësore dhe qëndrimit pak a shumë të butë, lë të kuptojë që nuk ka kundërshtime të forta në të. Kjo është praktikë te ne, është praktikë edhe në parlamentet e tjera.

Ligji për AL është një ligj shumë i rëndësishëm, dhe unë kam thënë në fjalimet e mia të para në parlament, që konsesusi tradicional midis maxhorancës dhe opozitës shtrihet në fusha si politika e jashtme, politika e mbrojtjes, sigurimi kombëtar në përgjithësi dhe pastaj në cështje të tjera. Por fill pas tyre, unë do të kisha preferuar që politikat tona në fushën e arsimit, të bazohen sa të jetë e mundur e më shumë në konsesus.

Ka patur debate për këtë pligj, edhe në fazat fillestare. Unë do të kisha preferuar që qysh atëherë, para se MASH ta dërgonte pligjin në qëveri dhe qeveria ta dërgonte pligjin në Kuvend, që të kishim një debat dhe një diskutim të paktën për linjat kryesore të tij, sepse nenet dhe detajet janë gjithmonë në përpunim. Por u preferua, pata përshtypjen, nga partitë e opozitës, që ky proces debati ti lihej periudhës parlamentare. Dhe kjo periudhë, sic e dini nga mediat, ka filluar dhe komisioni i edukimit po e diskuton ligjin me palët që ky komision i gjykon të rëndësishëm.

Por duke qënë që ligji për AL është për Arsimin e Lartë, nuk është ligji i ministrisë, i qeverisë, nuk është as ligji i opozitës, i dekanëve a rektorëve, nuk është as ligj i studentëve. Është një ligj i të gjithëve nga pak, dhe është më shumë se kaq, është ligj që i intereson gjithë shoqërisë. Sepse Arsimi i Lartë mënyra se si organizohet, cilësia e diplomave, i intereson shoqërisë dhe shtetit në mënyrë kryesore, dhe më pas të gjitha grupeve të tjera. Nga komisioni në këto 15 ditë dhe nga MASH për këto 15 muaj, kjo ka qenë për sa i përket konsultimeve një proces model. Një maxhorancë mund ta ketë të lehtë të paraqesë menjëherë një pligj të caktuar dhe me numrat legjitim të votave ta miratojë atë zyrtarisht. Ne humbëm 15 muaj kohë, por jam i bindur që është një investim që vlen për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e ligjit, sepse janë konsultuar me shumë durim jo vetëm të gjithë grupet e interesit, por të gjithë grupet e ideve, lidhur me mënyrën se si do të organizohet AL dhe unviersitetet tona. Për të marrë pastaj hap pas hapi vendime të rëndësishme, të ndërmjetme, në mënyrë që të arrinim këtu ku arritëm, duke besuar se në sajë të këtyre konsultimeve, të ekspertizës më të mirë të marrë, të krahasimit me përvojën tonë, kemi kryer një proces që ka ecur shumë mirë në vetvete. Një takim me forumet rinore partiake është shumë pozitiv dhe nuk po them zëvendësues, por komplementar me dialogun që zhvillojnë partitë politike në nivelin senior të tyre.

Pa dyshim që mendoj, se interesi imediat i përfaqësuesve politikë rinor është roli i studentëve në funksionimin e universitetve, por interesi nuk kufizohet këtu. Sepse universitetet janë më tepër se kaq dhe kanë të bëjnë kryesisht me atë që i japin një të riu kur del në jetë, kur diplomohet, kur detyrohet të punojë, dhe arsimi i lartë duhet të përgatisë qytetarë të formuar me ndërgjegje demokratike, pjesmarrës aktivë në procesin politik, por edhe diplomantë me aftësi dhe njohuri mundësisht më të avancuara në një botë që zhvillohet me shumë shpejtësi. Pra në këtë linjë duam të ecim edhe ne. Dhe ky është një pligj që përpiqet, jo ta sigurojë i vetëm këtë, por të japë kuadrin ligjor që aktivitetit unviersitar mësimdhënës dhe kërkimor shkencor, ti krijojë mundësitë dhe ti heqë të gjitha pengesat e mundshme, që avancimi të bëhet e para në këtë drejtim dhe të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur duke patur parasysh kushtet e Shqipërisë.

Procesi i Bolonjës ka një rëndësi të madhe, pasi ky pligj vërtet që i jep kornizën e duhur legjislative, që shkollat tona të adaptojnë procesin e Bolonjës. Kjo jo thjesht meqë është në modë, por sepse Bolonja me karakteristikat e saj, sjell elementë që për gjendjen që ne kemi në universitet tona, është një ndihmë e madhe për të kapur disa standarde të vështira për tu arritur, e sidomos të vështira pa punë të bërë mirë, kontrolluar mirë dhe të certifikuar sic duhet.

Por lidhur me studentët, roli i tyre në një universitet është të mësojnë dhe të përgatiten. Por koncepti i një universiteti tashmë në vitin 2007, nuk është ai klasiku i një shkolle të Lartë, e qeverisur vetëm në mënyrë hierarkike, ku studentët ishin pak a shumë si ushtarët e batalionit. Kudo në Evropë dhe më gjerë në botë, studentët janë përfituesit kryesorë të universiteteve, por edhe kontribuesit kryesorë me anën e tarifave të tyre, në shkallën 20-24%. Pra studentët kanë një zë në kapitull në mënyrë legjitime, sepse paguajnë për të. Për më tepër që studentët në momentin e diplomimit janë edhe produkti i universitetit sepse arsimi i lartë është një sistem i përgjithshëm, pjesë e shoqërisë dhe e shtetit, i cili ka për detyrë të formojë qytetarë të mirë dhe me ndërgjejgje demokratike, por edhe me aftësi për të përballuar jetën për veten e vet, familjen por edhe për shoqërinë.

Prandaj roli i studentëve në këtë pligj është menduar shumë më i lartë sec ka qënë përpara, sec është në ligjin ekzistues. Në qeverisjen e unviersiteteve, përvec detyrës së pashmangshme dhe të padisktutueshme për studentët për tu përgatitur sic duhet, ata duhet të marrin pjesë edhe në mënyrën e zgjedhjes së titullarit, të rektorit ose të dekanit. Përpara zgjedhja bëhej nëpërmjet senatit, që ishte një trupë me 40 a 50 vetë dhe tarafizmi është një fenomen i shoqërive ballkanike, përfshi edhe shoqërinë shqiptare. Në pligj është ruajtur parimi i zgjedhjeve, një parim i cili siguron pranueshmërinë e rektorit/dekanit nga profesorët e tjerë, megjithë se është një parim disi i brishtë si vetë demokracia pasi mund të kapet, mund të abuzohet mund të manipulohet.

Ne jemi përpjekur që duke shtrirë bazën e zgjedhësve në të gjithë profesoratin dhe të gjithë studentët, ta reduktojmë mundësinë e manipulimit. Dhe ky është një fenomen që ndodh. Detyra e ligjvënësit është që të parashikojë sisteme të tilla, që edhe një mundësi e supozuar e keqe apo një zhvillim negativ, të korrigjohet dhe të ketë pengesa në procedurat që parashikon ligji apo aktet e tjera zyrtare.

Kuptohet që afro 70.000 studentë të universiteteve tona nuk mund të jenë të barabartë me votat e tyre me një numër shumë më të vogël të personelit akademik dhe ka nevojë të koeficentohet. Ne në dialog edhe me përfaqësueist studentorë kemi rënë dakord për shifrën 20%.

Dje një koleg në komisionin e edukimit bëri pyetjen nëse një pjesmarrje kaq e plotë e madhe e studentëve përbën një rrezik për cilësinë e universitetet tona. Kjo sepse ndodh shpesh apo mendohet se mund të ndodhë, që studentët mund t'ia japin votën atij profesori që do të bëhet dekan ose rektor që është “dorëlëshuar” me ta. Por ky shqetësim nuk mund të jetë i vlefshëm, por i kuptueshëm. Sepse kemi trashëguar një klimë që nuk e kultivon sa duhet respektin për rigorozitetin dhe seriozitetin në punë dhe cdo angazhim tjetër. Është një klimë që duhet të ndryshojë dhe kam përshtupjen se në një farë mase po ndryshon. Kjo vlen edhe për unviersitetin. Ka qënë gjithmonë dilema e kalimit nga diktatura në demokraci, edhe kur diktatorët kanë qënë “mendjendritur” të cilët prapë kanë patur shqetësim nëse populli do të ishte i aftë për të zgjedhur qeveritarë të mirë a të përgjegjshëm, pavarësisht se nuk kanë qënë ata vetë. Edhe kjo mund të ketë qënë e kuptueshme por jo e vlefshme.

Gjykimi ynë ka qenë që edhe tërësisë së personelit akademik, por edhe tërësisë së studentëve duhet ti besohet, sepse është një pëgjegjësi që u jepet dhe një pasojë që ata do ta vuajnë nëse do ta përdorin keq. Pra studentët duhet të ndërgjegjësohen dhe organizatat rinore politike të partive, janë mekanizëm i shkëlqyer për të zhvilluar debatin në këtë sens dhe për të realizuar këtë ndërgjegjësim. Studentët duhet të ndërgjegjësohen që cilësia e shkollave të tyre, ka pasoja imediate propocionale në cilësinë e diplomave të tyre, dhe cilësia e diplomave të tyre është një çelës për suskesin në jetë. Dhe nëse studenti do toleronte shkelje, dëmi nuk do i bëhej thjesht shkollës së lartë, por secilit student.

Prandaj mendoj se ushtrimi i votës është një përgjegjësi e madhe, jo vetëm një e drejtë e fituar, sepse me këtë studentët janë një element i rëndësishëm, gati qendror në përzgjedhjen e dekanit a të rektorit përkatës. Gjithashtu ka sugjerime për ta rritur këtë 20% të peshës së votimit të studentëve, por kjo është një dicka që duhet ushtruar me përgjegjësi. Studentët duhet të jenë të pranishëm në organet drejtuese të unviersiteteve, bashkë me Këshillin Administrativ, një organ që synon bashkëveprimin midis universiteteve. Këta të fundit, dikur tradicionalisht kulla të fildishta të dijes, por që sot kanë nevojë për një hapje ndaj shoqërisë dhe bashkëpunim dhe ndërveprim me të. Pra Këshilli Administrativ duhet të jetë një organ që do të diskutojë bashkë me organet e tjera akademike sidomos për buxhetin, që vjen nga paraja publike.”