Programi Junior Achievement Albania : Përgatitja e studentëve për një ekonomi globale
Në mjediset e shkollës “Besnik Sykja” në Tiranë u organizua sot ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.
Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Arsimit z. Genc Pollo, presidenti i USAID në Tiranë z. Edward Landau si dhe përfaqësues nga Drejtoritë Arsimore Rajonale të Tiranës dhe Durrësit.
Një ndër synimet e kësaj marrëveshje është implementimi i Programit Arsimor të Sipërmarrjes “Junior Achievement Albania”, i cili ka si qëllim promovimin dhe kuptimin e koncepteve të ekonomisë së tregut dhe sipërmarrjes së lirë në sistemin arsimor, si një komponent i rëndësishëm i tij dhe domosdoshmëri për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe faktor për integrimin e vendit në BE.
“Junior Achievement in Albania” është anëtare e organizatës ndërkombëtare ”Junior Achievement Worldwide” dhe ka zbatuar programe të suksesshme arsimore dhe në vende të tjera të Evropës. Programi për Shqipërinë ka filluar të zbatohet që në janar 2007, në 25 shkolla në Tiranë dhe Durrës dhe pritet të zgjerohet në shumë rrethe të tjera të vendit.
JAA (Junior Achievement Albania) synon të pajisë shkollat me programet e sipërmarrjes me moton “të mësuarit duke vepruar” për të gjitha grup-moshat nga shkolla bazë deri në vitet e para të universitetit. Ai konsiston në 6 aktivitete për edukimin ekonomik, të cilët do t’i shërbejnë edukatorëve dhe studentëve për njohjen me ekonominë e tregut dhe me praktikat etike dhe të suksesshme të biznesit.
Fokusi i tij është rëndësia e ekonomisë së tregut, roli i biznesit në ekonomi, lidhja e arsimit me prodhimin, impakti që ka ekonomia për edukimin e të ardhmes së nxënësve dhe angazhimi i biznesit për çëshjtet etike, sociale dhe mjedisore.
Junior Achievement-Evropë është furnizuesi më i mirë i shkollave për programet e arsimit në fushën e sipërmarrjes, ku marrin pjesë 2.2 milion studentë nga 40 vende. Kjo organizatë bashkon sektorët privatë dhe publikë me synimin për të pajisur të rinjtë në shkollat bazë deri në të mesme dhe në vitet e para të universitetit me programin arsimor të një cilësie të lartë, duke u mësuar atyre konceptet e sipërmarrjes së lirë dhe biznesit në mënyrë praktike.
Programi i kësaj kompanie njihet nga drejtoria e përgjithshme e Komisonit Evropian për sipërmarrjen, si praktika më e mirë për arsimimin nëpërmjet sipërmarrjes së lirë.
|
|