Tiranë, më 1 maj 2007

 

Ministri Pollo në Komisionin e Edukimit: Pligji, mbetet parimi i zgjedhjeve, por me mekanizma të reja

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Edukimit dhe të mjeteve të Informimit Publik ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo mbrojti projektligjin për Arsimin e Lartë (AL) të miratuar nga qeveria dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve sidomos për nenet më të kontestuara nga drejtuesit e universiteteve:

Si u hartua pligji i ri për AL?

“Ju faleminderit për dëgjimin nga Komisioni i Edukimit dhe Medias për një prligj shumë të rëndësishëm, deri tani më i rëndësishmi që MASH e Këshilli i Ministrave ka sjellë në Kuvend dhe përkatësisht në komisionin tuaj.

Unë fillimisht do të përshëndesja mënyrën se si ju keni dëgjuar ata që keni gjykuar se janë të njohur apo të interesuar për pligjin për AL . Dhe mendoj se kjo është një mënyrë të proceduari në parlament dhe në përgjithësi në vendimarrje, shumë e rëndësishme në mënyrë që të mos arrijmë në vendimmarrje të precipituara dhe të ngutura.

Do të doja t'ju thoja se një kurs të tillë ka ndjekur edhe MASH, sepse në 15 muajt e fundit debati më i vazhdueshëm dhe më i pandërprerë ka qënë ai për AL. Këtë e kemi filluar para një viti e tre muajsh, e kemi diskutuar me grupe të shumta dhe të ndryshme pune me institucionet përkatëse të universiteteve tona publike dhe private; me ekspertë të jashtëm të ofruar nga Banka Botërore; me drejtorinë e AL në Këshillin e Evropës; me shkëmbime edhe me Konferencën Evropiane të Rektorëve; Dhe mendoj që një kohë e gjatë që ka kaluar me debatimin e këtij pligji, nga një pikëpamje mund të konsiderohet një kohë e humbur për reforma shumë të domosdoshme dhe të nevojshme, disa me të drejtë mund ti quajnë emergjente për AL. Por nga ana tjetër, shqyrtimi me hollësi i cdo detaji, debatimi me të gjitha palët e përfshira dhe lënia kohë për një diskutim shterues me të gjitha palët, për të gjetur midis ideve, propozimeve dhe kërkesave të ndryshme variantin më optimal në rrethanat tona, mendoj se ia ka vlejtur. Sepse në linjat kryesore të këtij pligji kemi vendosur disa parime, orientime, që pikërisht për shkak të kohëzgjatjes së debatit dhe shtjellimit të plotë të çështjeve do ti qëndrojnë më shumë kohës dhe do ti shërbejnë më shumë reformimit të arsimit të lartë, rritjes cilësore të standardeve edhe shërbimit më të mirë që AL do ti bëjë Republikës së Shqipërisë, formimit të studentëve të tij si qytetarë të thjeshtë me ndërgjegje demokratike, por edhe me aftësi dhe njohuri për tu konfrotuar me jetën dhe për tu përshtatur me tregun e punës.

Pse ishte i nevojshëm një pligj i ri për AL?

Lidhur me përmbajetjen e pligjit: Ishte një domosdoshmëri hartimi i një pligji të ri për AL sepse ligji i vitit ‘99 i ndryshuar dhe gjendja aktuale në vitin 2007 e AL kanë një diferencë shumë të madhe. Ka një zhvillim të rëndësishëm të AL në Shqipëri, gjithashtu ka një zhvillim të rëndësishëm në AL në Evropë. Në qeverinë e mëparshme Shqipëria ka pranuar të jetë pjesë e procesit të Bolonjës, ndërsa në 8 vitet e fundit procesi i Bolonjës ka shënuar zhvillime të rëndësishme institucionale dhe palët, përfshirë edhe vendin tonë janë të detyruar ti ndjekin ato. Kuadri i vjetër ligjor nuk jepte mënyrën më të mirë dhe kornizën e duhur legjislative për të përfshirë Institucionet e Arsimit të lartë (IAL) të vendit tonë në këtë proçes. Gjithashtu për shkak të zhvillimeve të reja në unviersitetet tona, përvojave të reja të akumuluara, testimit të ligjit në fjalë me funksionimet e tij të mira dhe mosfunksionimit e tij, të gjitha këto të marra së bashku, bëjnë një motiv të mjaftueshëm që të kemi një pligj të ri të AL, i cili i vë theksin standardeve dhe formateve të Bolonjës, duke përfshirë këtu edhe ciklet e studimit. I vë theksin edhe sigurimit të cilësisë dhe bashkëpunimit më të mirë të aktorëve të vlerësimit të jashtëm dhe të sigurimit të cilësisë, si dhe hapjen e mundësive për agjensi të huaja. Krijon struktura të cilat ne besojmë se do ti shërbejnë një qeverisje të mirë dhe transparente të AL.

Ky është një debat që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë e më gjerë, sepse ka patur një trend shumë pozitiv që universitetet të dalin nga një traditë e tyre e vjetër, madje mesjetare, e të qënit pak a shumë të mbyllur në një kullë të fildishtë (nuk bëhet fjalë për të gjithë). Por gjithsesi të tëra universitetet, edhe ato më modernet, kanë nevojë të hapen ndaj shoqërisë dhe ndaj nevojave të saj dhe jo të mbeten konklava jotransparente me pjesën tjetër të shoqërisë, sepse edhe misioni i tyre është kryesisht ti shërbejnë shoqërisë. Jo vetëm universitetet, por edhe një sërë institucionesh të tjera kanë etosin e tyre, krenarinë e tyre, autonominë e tyre; por të gjitha këto të marra së bashku sado të lavdërueshme që të jenë, nuk duhet të na bëjnë ne që të harrojmë, që misioni kryesor i një institucioni, konkretisht i një universiteti, është që të prodhojë dhe të transmetojë dije, të formojë qytetarë dhe njerëz me aftësi për jetën reale.

Prandaj edhe një sërë institucionesh janë parashikuar në këtë pligj dhe besojmë që ato të shërbejnë për një ndërshkëmbim më të mirë me shoqërinë, duke ia përshtatur universitetin në radhë të parë nevojave afatshkrurta, afatmesme por edhe afatgjata të shoqërisë.

Pligji i qëndron parimit se autoritetet drejtuese të AL duhet të zgjidhen nga kolegët e tyre, në mënyrë që pranueshmëria e një rektori/dekani të jetë e garantuar. Por duke parë efektet jo pozitive që ka dhënë aplikimi i këtij parimi në vendin tonë përmes klientelave, formimit të grupeve tarafore, jemi përpjekur që duke ruajtur të njëjtin parim, të aplikojmë mekanizma të reja që do ta zbehin efektin negativ. Dhe konkretisht e kam fjalën për pjesmarrjen në votime të të tërë pedagogë, të 100% të studentëve, kuptohet të koeficentuar si total, por dhe në një masë shumë më të vogël të personelit jo akademik. Kjo është një arritje që ka nevojë pa dyshim edhe për më shumë mekanizma të reja si këto, që ne kemi parashikuar në këtë pligj, por do të jetë detyrë, në mos e kësaj legjislature e legjislaturës pasardhëse, që të gjykojë mbi mënyrën e realizimit të këtyre objektivave, mënyrën e funksionimit të mekanizmave të parashikuara, për të zhvilluar më tej kuadrin legjislativ të AL”