Tiranë, më 6 mars 2007

 

Ministri Pollo te shkolla “7 marsi”: “Dita e mësuesit i kushtohet në radhë të parë mësuesve veteranë”

Me rastin e “Javës e Arsimit" të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nga datat 1-7 Mars 2007, dhe 120-vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë, sot ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo ishte në shkollën bazë “ 7 marsi” në Tiranë për të festuar në një takim me mësuesit, nxënësit, ish-mësues dhe ish-nxënës e kësaj shkolle. Në këtë takim brezash ministri Pollo tha:
“Mendoj që në këtë datë dhe festë të shënuar, në kujtim të një dite të veçantë në historinë e vendit, të çeljes së shkollës së parë shqipe, ku mund të kundrojmë traditën e krijuar në këta 120 vjet, një traditë e krijuar me shumë vështirësi punë dhe mund, është momenti, në radhë të parë, për të shprehur vlerësimin dhe sidomos respektin për shumë breza mësuesish, që në mënyrë të pa lodhur dhe me shumë përkushtim kanë bërë punën e tyre të edukatorit dhe kanë bërë të mundur që ne të jemi sot me këto arritje dhe në këtë nivel.

Festa e mësuesit në vendin tonë është pikërisht një festë e tillë që i dedikohet, në radhë të parë, këtyre brezave dhe mua më vjen mirë që në këtë sallë të shkollës “ 7 Marsi”, janë ftuar dhe janë të pranishëm një pjesë e mirë e atyre, që vitet më të shumta të jetës ia kushtuan kësaj detyre fisnike të rëndësishme, ia kushtuan mësuesisë.
Tashmë në pension, këta mësues mblidhen me kolegët e tyre më të rinj që janë ende në detyrë dhe së bashku edhe me nxënësit, që luajnë gëzueshëm në oborr, festojnë “7 Marsin”, përkujtojnë 120-vjetorin e shkollës shqipe, por në mënyrë njerëzore takojnë njëri-tjetrin, bisedojnë për vitet e shkuara, bisedojnë për përvojat e sotme, bisedojnë për sfidat e nesërme.
Prandaj kjo është një ditë shumë e veçantë dhe unë ju falenderoj dhe për ftesën dhe për angazhimin e shkollave, jo vetëm të Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë në një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe festive në kujtim të shkollës së parë shqipe.
Mendoj që është edhe një moment reflektimi dhe kqyrje për çfarë është arritur dhe si është arritur, por edhe një moment për të parë se ku shkon shkolla, drejt c’të ardhme orientohet ajo, sepse bashkë me shkollën ashtu orientohet e gjithë Shqipëria. Dhe për ne, për qeverinë, shkolla, dhe arsimi në përgjithësi është një prioritet madhor i pa lëkundshëm, një prioritet që duhet realizuar përmes përkrahjes, investimeve dhe reformave, të cilat nuk kanë munguar dhë të cilat në një pjesë janë mbyllur, një pjesë janë në vazhdim dhe në një pjesë tjetër do të vijojnë dhe në të ardhmen e afërt, me synimin që të kemi një shoqëri nesër ashtu siç e modelojmë arsimin sot.

Dhe për të aritur këtë, ne kemi nevojë per bashkëpunim, për këshillim, ne kemi nevojë për aktivizimin e të gjitha palëve, të mësuesve, të nxënësve, të familjes, të shoqërisë në përgjithësi, të pushtetit vendor, të grupeve të interesit, të organizatave qeveritare e kështu me radhë. Pa harruar dhe median që na shoqëron gjithmonë me interes të lavdërueshëm. Kjo është një përpjekje që nuk është se ka një fillim dhe ka një fund, kjo është një përpjekje që vazhdon gjithmonë, vetëm se duhet bërë me vizionet e duhura për të ardhmen dhe me vullnetin për të realizuar reforma dhe arritje konkrete.

Edhe një herë ju falenderoj për festën e sotme, për ftesën në këtë festë, për mikpritjen e shkollës suaj me emër simbolik.
Jam shumë i gëzuar që ndodhem mes jush, shpresoj që kjo festë të kalojë sa më bukur. ”
Më vonë ministri Pollo ishte i pranishëm në sallën e liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në një koncert festiv për të vlerësuar punën dhe përkushtimin e mësuesve të kryeqytetit , organizuar me mjeshtëri nga mësuesit dhe nxënësit e këtij liceu. Një koktejl i përgatitur, po në ambientet e liceut artistik, nga nxënësit e shkollës së mesme profesionale të Hoteleri-Turizmit në Tiranë mbylli axhendën e aktiviteteve për ditën e 6-të të Javës së Arsimit.

Krahas aktiviteteve të shumta në kryeqytet, me rastin e 120-vjetorit të festës së mësuesit, të gjitha Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore në vend janë udhëzuar të organizojnë veprimtari kulturore dhe artistike në këtë jubile, (1887-2007) në të cilat do të përfshihen të gjitha shkollat e vendit.

Veprimtaritë për 120- vjetorin e çeljes së Shkollës së Parë Shqipe, ku do të spikasë festa më 7 mars në Korçë, te shkolla ku pikërisht 120 vjet më parë u dha mësim në gjuhën shqipe, do të vijojnë me konkurse, veprimtari sportive, koncerte, ekspozita, takime me mësues të dalluar, vizita në familjet e mësuesve veteranë etj.
Në këto aktivitete priten të marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar dhe personalitete nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.