Përurohet në MASH Dosja Kombëtare për Arsimin
Dosja Kombetare, është përpjekje për të portretizuar me objektivitet gjendjen e tashme, ndryshimet më të fundit dhe njëkohësisht perspektivën e parashikueshme të arsimit shqiptar për studiuesit dhe lexuesit e sotëm.
Dosja Kombëtare i përgjigjet nevojës së vazhdueshme për të përditësuar, në radhë të parë, të gjithë të interesuarit me situatën e sistemit arsimor dhe për ta krahasuar atë me sistemet simotra ndërkombëtare, në aspekte thelbësore dhe parimore.
Studimi është konceptuar për t'i shërbyer një spektri të gjerë lexuesish: mësues, nxënës, prindër, specialistë të arsimit, administratorë dhe studiues të ndryshëm, vendas e të huaj. Materialet e renditura në formë kapitujsh, gjithsej 16, synojnë në përqasjen më të mirë të programeve të ndihmës ndërkombëtare me nevojat dhe prirjet reale të zhvillimit të arsimit shqiptar, duke nxjerrë në pah veçoritë dhe problemet.
Nëpërmjet Dosjes Kombëtare synohet të paraqitet një analizë e mënyrës së ndërtimit dhe e funksionimit të sistemit tonë arsimor, duke pasur si kriter efektivitetin dhe rendimentin. Krahas tyre, një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe tipareve të tilla si: demokratizimi dhe pjesëmarrja e klientëve, e profesionistëve dhe e publikut në përgjithësi.
Ky botim, me të dhënat e konfirmuara nga burime të ndryshme zyrtare, ka për qëllim të paraqesë një tablo sa më të saktë të shifrave të përpunuara kryesisht nga MASH-i dhe nga INSTAT-i. Autorët kanë sjellë informacionin më të freskët dhe vlerat më të fundit të treguesve të arsimit, duke mbetur gjithsesi të ndërgjegjshëm për kufizimet që ekzistojnë, të cilat janë të pashmangshme. |