Tiranë, më 9 maj 2007

 

Fjala e ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo “Promovimi i Dosjes Kombëtare për Arsimin 2005-2006” MASH Salla e Konferencave 9 maj 2007

 

“ Arsimi në Shqipëri - Dosje kombëtare, na vihen në dispozicion në kohën kur arsimi po kalon në një proces reformimi tërësor të të gjitha hallkave të tij, të institucioneve, të manaxhimit dhe të aspekteve të tjera përbërës.

Këto vitet e fundit, në arsim kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme të cilat përbëjnë fillesat e zbatimit të objektivave madhore që duam të arrijmë në vitet 2010 dhe përtej. Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Strategjia Arsimi për të Gjithë, Master Plani për Arsimin e Lartë dhe Projekti Cilësi dhe Barazi në Arsim, janë nisma të gjera që përfshijnë të gjithë sistemin si një të vetëm. Ato kërkojnë koordinimin e të gjitha përpjekjeve, mobilizimin e kapaciteteve njerëzore dhe financiare. Objektivat që kemi përcaktuar, do të realizohen me sukses kur politika arsimore, planifikimi dhe realizimi i veprimtarive të bazohen njohje të thelluar të sistemit, në të dhëna të besueshme, mbi bazën e analizës së elementeve të veçantë dhe prirjeve të çdo treguesi. Dosja kombëtare u vjen më së miri në ndihmë të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë proces reformimi.

Arsimi në Shqipëri-Dosje kombëtare, tregues dhe prirje, na jep një tablo të qartë të gjendjes së tashme dhe ndryshimet më të fundit të cilat do t'i shërbejnë studiuesve dhe të gjithë të interesuarve të tjerë për të njohur më nga afër sistemin arsimor dhe për të kontribuar në zhvillimin e tij.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, nisur nga rëndësia që kanë të dhënat, treguesit dhe përshkrimet për gjendjen dhe perspektivën e sistemit, do të mundësojë që ky botim të dalë në mënyrë periodike, sa herë që në arsim ndodhin ndryshime dinamike me qëllim që lexuesve, studiuesve dhe të gjithë të interesuarve të tjerë, t'u jepet gjithnjë informacion i freskët dhe i vlefshëm.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, përshëndet Qendrën për Arsim Demokratik dhe UNICEF që mundësuan botimin e kësaj Dosje kombëtare. Po ashtu falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, punonjës të Ministrisë së Arsimit, të institucioneve të saj të varësisë dhe të tjerë, që kontribuan në hartimin e kapitujve të ndryshëm të saj

Me këtë rast, uroj që Dosja Kombëtare për Arsimin në Shqipëri të përmbushë sa më mirë qëllimet për të cilat botohet, duke na dhënë gjithnjë tablonë e ndryshimeve dinamike të sistemit”