Tiranë, më 29 dhjetor 2007

 

Kryeministri z. Sali Berisha dhe ministri i Arsimit z. Genc Pollo përgëzojnë bursantët e Fondit të Ekselencës

Sot 25 përfituesit e parë të Fondit të Ekselencës u takuan me kryeministrin z. Sali Berisha dhe Ministrin e Arsimit z. Genc Pollo në një ceremoni të organizuar në hotel Rogner.

Për herë të parë, Qeveria shqiptare caktoi një fond të veçantë në dispozicion të studentëve, kërkuesve të rinj të shkëlqyer shqiptarë, kryesisht pedagogë, të diplomuar në universitetet e vendit apo të huaja, me synim mbështetjen financiare të tyre për të vazhduar studimet doktorale apo postdoktorale në universitete apo qendra kërkimore të njohura perëndimore. Këta kërkues pas studimeve duhet të kthehen në atdhe për të kontribuar për të paktën 5 vjet me dijet e tyre, të marra nga këto studime financuar nga taksapaguesit shqiptarë.

Fondi i Ekselencës i mbështetur edhe në ligjin e ri të Arsimit të Lartë, këtë vit ka një vlerë 500 mijë euro që do të rritet në vitet në vazhdim. Ky fond do të përdoret nga MASH jo vetëm për bursa të posaçme, për kryerjen të studimeve të doktoratës apo post-doktoratës, por edhe për çmime për studentët fitues në konkurse apo olimpiada ndërkombëtare, si dhe për të mbështetur botime me nivel të lartë shkencor.

Gjatë fjalimit të tij gjatë në këtë ceremoni Ministri Pollo tha:

“Jemi këtu sot në një nga ceremonitë më të bukura të fundvitit, e cila kurorëzon dhënien e mbështetjes së më të mirëve, më të shkëlqyerëve të shoqërisë sonë, që kanë fituar mundësinë, në sajë të talentit dhe meritës, për të doktoruar në universitetet më të njohura perëndimore; një mbështetje e premtuar nga qeveria jonë, që është ajo e duhura, në mënyrë që shoqëria jonë të ketë edhe një të ardhme më të mirë.

Është ceremonia e parë që bëhet për Fondin e Ekselencës dhe ju jeni të parët fitues.

Kjo ceremoni në një farë mënyre është një rikthim në traditë, sepse kur lexojmë për historinë e viteve ‘20-‘30, shpesh figurat e shquara që kanë studiuar jashtë shtetit, kanë fituar bursa mbretërore, një traditë që u rifillua  në vitet ‘80 edhe pse e deformuar keqas nga regjimi.

Kemi vazhduar këta 15 vjet me bursa bilaterale, por nje mekanizem i tille i mbeshtetur nga buxheti i Shtetit  mungonte qartësisht. Ka qenë një premtim i vitit 2005, një angazhim, që të ndihmohen të talentuarit e universiteteve tona, për të arritur nivele të tilla akademike, që i shërbejnë jo vetëm realizimit të tyre personal por edhe vendit, që i mbështeti dhe i ngriti deri në këtë pikë. Për herë të parë në mënyrë të organizuar dhe me kritere të qarta, me procedura transparente, organizohet kjo “mbështetje e trurit”.

Dhe në një aspekt tjetër, ne sot promovojmë ata që duhet të shërbejnë edhe si një model social i suksesit për rininë tonë, në një kohë kur ka edhe konfuzion vlerash dhe kur duhet të theksohet puna, zelli, përkushtimi dhe merita si virtyte themelore të  njeriut e shoqërisë.

Sot marrin kontratën 25 fituesit doktorantë të Fondit të Ekselencës, një kontratë që parashikon edhe një nen që e kemi hasur në të gjitha programet e ngjashme kur konceptuam udhëzimin për Fondin e Ekeselencës. Neni për detyrimin për të punuar për 5 vjet në atdhe, që besoj se është më se i arsyeshëm, duhet ta përkrahim të tërë. Madje 5 vjet është minimumi.

Gjithashtu do të doja të përshëndesja edhe fituesit e konkurseve nderkombetare, duke filluar nga SIFE dhe fituesit e tjerë të olimpiadave të fizikës dhe matematikës, të cilët gjithashtu kanë përfituar përkrahje finaciare nga MASh edhe përpara Fondit të Ekselencës, por tani në mënyrë të organizuar mbështeten prej tij.

Këta fitues na kanë bërë të gjithëve të ndihemi krenarë kur emri i tyre, i vendit të tyre dhe flamuri kombëtar është ngritur në qendra të mëdha të botës në shenjë vlerësimi  të talentit dhe arritjeve të këtyre të rinjve shqiptarë.

Doktorantët kanë një pjesë të kërkimit shkencor në punën e tyre. Dhe kjo ndodh kur një reformë historike që bashkon kërkimin shkencor me arsimin e lartë tashmë është realizuar dhe sistemi i ri zhvillohet e konsolidohet.  Nga ana tjetër mundësitë për financimin e kërkimit shkencor, janë bërë të mundura, jo vetëm nga buxheti, por edhe nga programe madhore të Bashkimit Evropian, si ai i FP7, ne te cilin kërkuesit shqiptarë gjejnë akses pas nënshkrimit të memorandumit me Komisionin Evropian.

Të gjitha këto janë mundësi të reja që duhen shfrytëzuar mirë, por për këtë duhen njohuritë që ju do të arrini në universitetet ku doktoroni. Por edhe një qasje dhe një mentalitet i ri që do të sillni, që është për tu adoptuar e përhapur edhe në vendin tonë, në mënyrë që këto mundësi të mos mbeten pa shfrytëzuar, dhe këto mundësi të jenë në përfitimin tuaj personal, por në radhë të parë në të mirën e shoqërisë.

Urimet më të mira për sukses në projektet tuaja.”

Me këtë mbështetje financiare të ofruar rritet mundësia e formimit të një brezi të ri shkencëtarësh, të përgatitur dhe azhornuar me dijet më të avancuara të kohës në të gjitha fushat.

Po ashtu, universiteteve tona u krijohen mundësi më të mira jo vetëm për staf të ri të kualifikuar, por dhe për kontakte të reja të nivelit të lartë në shkencë me homologët evropianë në mbështetje të përpjekjeve të tyre për përfshirjen me sukses në Zonën Evropiane të Arsimit te Lartë dhe Kërkimit.

Kriteret për vlerësimin dhe klasifikimin e aplikimeve u hartuan nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, organi i ekspertëve në këshillim të qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Komisionet përzgjedhëse, të ngritura nga profesorati shqiptar, me përfaqësues të fushave të ndryshme të shkencës, shqyrtuan dhe vlerësuan aplikimet e bëra dhe shpallën fitues të fondit të ekselencës studentë të doktoratës në fusha të shumta dhe të rëndësishme për zhvillimin e vendit, si ato të shkencave mjekësore, shoqërore e humane, inxhinierike apo bujqësore.

Kandidatët që përfituan nga fondi i ekselencës këtë vit, pas verifikimit të dosjeve nga komisionet përzgjedhëse (KP) ishin:

Për studimet e Doktoratës

        a. Në fushën e shkencave shoqërore

1)      Albana Cenollari                 90 pikë             Psikologji-Oxford Brookes

2)      Anamaria Skanjeti              90 pikë Shkenca Sociale, Itali

3)      Valbona Karapici               90 pikë             Ekonomiks-  Gjermani

4)      Ersi Bozhegu                      90 pikë             Jurisprudencë- Itali

5)      Roland Ilia                          85 pikë Shkenca Sociale, Gjermani

6)      Redi Myshketa                   80 pikë             Ekonomi - Hungari

7)      Dritan Karadaku                 75 pikë             Filozofi- Paris, Francë  

8)      Julian Bejko                        75 pikë             Filozofi- Paris, Francë

9)      Sonila Sadikaj                    75 pikë             Universiteti Bavarez” J. Maximilian” Gjermani

10)  Ilir Kalemaj                        75 pikë             Pedagogji- Selanik, Greqi

11)  Klodiana Beshku                70 pikë             Gjeopolitik- Itali

12)  Erion Kristo                        60 pikë             Estetikë-Letërsi, Romë

13)  Etleva Lala                         55 pikë             Histori- Budapest, Hungari

14)  Rafaela Marteta                  55 pikë

a.2 Në fushën e shkencave të aplikuara

1)      Dariel Thereska                  85 pikë Mjekësi, Gjermani

2)      Dorian Minarolli                  75 pikë Inxhinieri Elektronike, Gjermani

3)      Ledjan Malaj                      75 pikë             Teknologji-Farmaceutike, Itali

4)      Brunilda Alushi                   75 pikë             Mjekesi – Universiteti Torino

5)      Ardita Aliko                       65 pikë             Stomatologji - Milano

6)      Altin Gjevori                       65 pikë             Fizikë - Gjermani

7)      Dhurata Skuqi                    65 pikë             Fizikë-Universiteti Bolonjës

8)      Elior Vila                            65 pikë             Fizikë-Sofie

9)  Xhevaire Dulja                    65 pikë             Mjedis- Bari, Itali

b. Për studimet e Postdoktoratës

1)      Klara Lagji             95 pikë             Informatikë Gjuhësore, Francë

     II.      Renditja e kandidatëve që kanë fituar çmime në konkurse ndërkombëtare është si më poshtë:

a.      SIFE

b.      Gjergji Zaimi

c.       Henri Dimo 

**********

Bashkë me këta bursantë kryeministri dhe ministri shpallën sot edhe fituesit e olimpdiadave ndërkombëtare për vitin 2007.

1.       Redi Haderi - Medalja e Bronxtë, Olimpiada ballkanike matematike dhe Medalje e Bronxtë në Olimpiadën Botërore të Matematikës, Kolegji “Hasan Riza Pasha”, Shkoder

2.       Mario Banushi - Medalja e Bronxtë, Olimpiada ballkanike matematike për të rinj dhe Medalje e Bronxtë në Olimpiadën Botërore të Shkencave të Natyrës për të Rinj, shkolla “At Pjetër Mëshkalla”, Shkodër

3.       Erlin Zylalaj – Medalja e Argjendtë, Olimpiada ballkanike matematike per te rinj, shkolla Flatrat e dijes”, Fier

4.       Beniada Shabani - Medalja e Bronxtë, Olimpiada ballkanike matematike, Kolegji “Mehmet Akif”, Tiranë

5.       Klevis Ymeri - Medalja e Bronxtë, Olimpiada ballkanike matematike, Shkolla “Perla” Vlorë

6.       Kristiana Tulina - Medalja e Bronxtë, Olimpiada ballkanike matematike për të rinj, shkolla “Ahmet Dakli”, Elbasan