Tiranë, më 9 maj 2007

 

Ministri Pollo: “Për reformat në arsim, Papandreu shembull i mirë për Ramën”

 

Sot ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo deklaroi para mediave në një konferencë për shtyp:

“Sot, kryetari i Partisë Socialiste z. Edi Rama deklaroi një qëndrim negativ ndaj projektligjit për Arsimin e Lartë.

Kjo për mua është shumë e habitshme, sepse dje shumë nga amendamentet e propozuara nga deputetët e opozitës, janë miratuar nga Komisioni i Edukimit në Kuvend.

Shpresoja shumë për një qasje racionale të PS dhe të opozitës në përgjithësi ndaj këtij pligji. Por me sa duket kjo nuk ka ndodhur dhe kjo është për tu ardhur keq.

Megjithatë unë shpresoj ende te mundësitë e korrigjimit.

Dhe z. Rama, do ti thoja të merrte shembullin e qëndrimit të zotit Georges Papandreu kryetari i PASOK në Greqi dhe kryetar i partive të majta evropiane, me të cilin shfaqet shpesh në evenimente publike. Të marrë shembull edhe për mënyrën se si sillet një politikan me staturë si z. Papandreu, që ka përkrahur reformat universitare të qeverisë së djathtë, reforma shumë të nevojshme për Arsimin e Lartë në atë vend. Z. Papandreu i ka përkrahur reformat e qeverisë së djathtë edhe kundër zërave të partisë së vet, të motivuara ideologjikisht.

Mendoj se ky është një model i mirë për z. Rama dhe për shumë të tjerë, për një qëndrim të arsyeshëm, ku qeveria do të kishte meritën e vet me miratimin e këtij pligji, por edhe opozita do të kishte meritën e vet. Ky qëndrim i përbashkët nuk do tu shërbente grupimeve partikulariste, por do ti shërbente Arsimit të Lartë në Shqipëri, të gjithë shoqërisë shqiptare që përfiton prej tij.”