Panairi i Arsimit
MASH më afër publikut me reformat e saj
Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo ishte sot i pranishëm në Panairin e Arsimit, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri nga organizata Congress Event Organisation (CEO).
Ekspozuesit në këtë panair ishin nga të gjitha trojet shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, si dhe nga shtetet e Komunitetit Evropian. Ndërsa pjesëmarrës ishin përfaqësues nga i nstitucione të ndryshme të edukimit, shkolla të mesme dhe të larta, publike dhe jopublike, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët për tri ditë me radhë (15-17 maj) do të prezantohen para vizitorëve dhe publikut që interesohet për problematikën dhe aktorët në fushën e arsimit në Shqipëri.
“Ne sot për herë të parë po inagurojmë një panair arsimor, - tha ministri Pollo sot në panairin e arsimit. -Është një nismë private për tu përshëndetur, një nismë private që përkrahet dhe duhet të përkrahet më tej edhe nga qeveria. Sepse duke organizuar një panair të tillë, i cili në vendet e tjera të Evropës ka dalë me një traditë, ne i ofrojmë publikut një mundësi më të madhe, një oportunitet më shumë për tu informuar për ofertën arsimore që japin shkollat në vendin tonë.
Kjo është shumë e rëndësishme, në kuadrin e priotitetit që qeveria i ka dhënë arsimit, në kuadrin e përqëndrimit të resurseve tona, jo vetëm financiare dhe njerëzore por edhe të përqëndrimit të debatit tek reformat, tek rritja e cilësisë në arsimin tonë, duke qënë të bindur se duke u përpjekur për një arsim më të mirë dhe modern, ne ngrejmë një themel të shëndoshë për një shoqëri shqiptare të së nesërmes.
Prandaj edhe një herë, do të doja ta përshëndesja këtë nismë, duke ju uruar që vizitorët e këtij panairi të jenë sa më të shumtë dhe të përfitojnë sa më shumë nga infromacioni. Të përfitojnë edhe nga shpjegimet që shkollat e ndryshme, në stendat e këtij panairi, ofrojnë me stendë, me semire që do të organizohen, me informacionet në faqet e tyre të internetit. Në mënyrë që ky shkëmbim dinamik që ka filluar, përvec panairit të ngrihet në një nivel më të lartë dhe në një nivel të institucionalizuar.”
Ditët e Panairit do të shoqërohen nga aktivitete të shumta shkencore, forume, por edhe kulturore.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, krahas përfaqësimit të saj me një stendë në Panair, do të vijë edhe më afër publikut të gjerë dhe sidomos maturantëve me seminarin e saj të hapur mbi çështjet e Maturës Shtetërore, të Gjuhës Angleze; më afër studentëve që studiojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë me seminarin mbi Njohjen e Diplomave dhe Kualifikimeve të tjera shkencore, por edhe mësuesve me më tepër informacion mbi formimin profesional dhe kualifikimin e tyre.
Qëllimi është njohja e e publikut, punonjësve arsimorë, nxënësve, studentëve, etj, me një sërë reformash të suksesshme të ndërmarra së fundmi në arsim.
Gjatë gjithë ditëve të panairit pritet të prezantohen rreth 100 universitete dhe shkolla, dhe të marrin pjesë mbi 30.000 vizitorë.
|
|