NJOFTIM PER SHTYP
Pas publikimit të Vendimit të qeverisë për të akorduar pension suplementar të gjithë profesorëve, Profesorëve të Asociuar Drejtues Kërkimesh dhe Mjeshtër Kërkimesh, ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja sqaroi edhe një herë për mediat përmbajtjen e këtij vendimi.
Të pranishëm në konferencën për mediat të dhënë sot në MASH, ishte edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, z. Gudar Beqiraj dhe Kryetari i Konferencës së Rektorëve z. Jorgaq Kacani.
Ministri Beja sqaroi se “nga vendimi i qeverisë për pensione suplementare do të përfitojnë të gjithë Profesorët dhe Profesorët e Asociuar, si ata që janë tashmë në pension dhe ata që do të dalin në pension. Ky përfitim shkon drejtpërdrejt te kjo kategori njerëzish të vlerësuar të shoqërisë shqiptare, profesorët të cilët kanë nxjerrë gjatë dekadave breza specialistësh në të gjitha fushat.
“Dua të theksoj, -vijoi Ministri, - edhe një herë që në vendimin e qeverisë të dhënies së pensionit suplementar për të gjithë Profesorët dhe Profesorët e Asociuar është marrë në konsideratë doemos kontributi i gjithësecilit dhe njëkohësisht edhe vjetërsia në marrjen e titullit Porfesor ose Profesor i Asociuar. Kjo përcaktohet për secilin në bazën e një koeficienti që është 1.3 % e pagës referuese të Profesorit dhe 1.1% e pagës referuese të Profesorit të Asociuar. Njëkohësisht vendimi i qeverisë vendos edhe disa kufizime për pensionin minimal dhe maksimal për të garantuar që të gjithë profesorët të përfitojnë. Tavani i shumës është 4 pensione pleqërie bazë, sipas ligjit përkatës, për ata profesorë, të cilët do të kontribuojnë me të ardhurat e tyre të sotme (me sigurime shoqërore) në ushtrimin e detyrës së tyre. Në një kohë që shuma do të shkojë deri deri në 50% të të ardhurave të atyre që kanë dalë në pension dhe nuk mund të kontribuojnë për këtë pension suplementar.
Unë dua të shpreh edhe një herë vendosmërinë e qeverisë, që me këtë hap që ka bërë, i cili është një hap në dinamikën e lëvizjes nga e kaluara, sot dhe në të ardhmen, me qëllimin për tu ardhur në ndihmë kësaj kategorie njerëzish shumë të vlerësuar të shoqërisë shqiptare, për të cilët të gjithë kemi detyrime.
Ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave, z. Gudar Beqiraj tha se “kjo nismë është ndërmarrë në përpjekje të disa viteve, me synimin që për profesorët të ketë një vlerësim më të madh për punën e tyre. Pensioni aktual për mendimin tim nuk ishte ai i duhuri. Ajo që është e rëndësishme është që rritja e pensionit është jo statike, por dinamike. Është një shtesë pensioni e konsiderueshme, shumë e kënaqshme për profesorët. Kjo edhe pasi ata do të mund të dalin në pension në moshën sipas Kodit të Punës. Kjo do të ndihmonte edhe në ndërrimin e kuadrove në universitete e institucione të tjera.
Me një llogaritje fillestare mund të themi që pensioni do të shkojë deri në 48 mijë lekë të reja.”
Z Kacani falenderoi maksimalisht Minsitrin Beja për lajmin e mirëpritur nga të gjithë profesorët. “Qeveria ka bërë një hap mjaft pozitiv, ka vlerësuar punën dhe figurën e profesorëve, e cila është një punë, jo vetëm si kontribut individual, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Është një investim i gjithë jetës dhe përsëri e vlerësoj këtë hap. Numri mesatar i profesorëve dhe profesorëve të asociuar që do të përfitojnë nga ky pension është rreth 450.”
|