Ministri Beja: Ja arritjet kryesore të reformës në sistemin arsimor për gjashtë muajt e parë të vitit 2009.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi sot në hotel “Adriatik”, Durrës, Konferencën e Gjashtë për rishikimin 6-mujor të realizimit të programit vjetor të reformës arsimore, projekti ‘Cilësi dhe Barazi në Arsim”.
Në këtë Konferencë merrnin pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja, përfaqësues të donatorëve të projekteve, Banka Botërore, Banka e Këshilllit të Evropës, Bankës Evropiane e Investimeve, rektorë të universiteteve publike dhe private, drejtorë të Drejtorive Arsimore Rajonale, drejtues të Pushtetit Vendor në Shqipëri, etj.
Gjatë kësaj konference Ministri z. Fatos Beja përvec investimeve në godina shkollore, përmendi disa nga reformat kryesore që janë ndërmarrë gjatë periudhës dhjetor 2008- prill 2009 sic janë reforma në sistemin parauniversitar, programi e-School, por edhe për angazhimin e MASH për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në Institucionet e Arsimit të Lartë publike dhe private.
Projekti ‘Cilësi dhe Barazi në Arsim” mbështet tashmë që nga viti 2006 e deri në 2010 zbatimin e prioriteteve të Strategjisë Kombëtare të Arsimit dhe është një bashkëfinancim i Qeverisë Shqiptare, Bankës Botërore, Bankës Europiane për Investime dhe i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës me vlerë 75 milionë USD.
Objektivi i Përgjithshëm i projektit është përmirësimi i cilësisë dhe kushteve të mësimnxënies për të gjithë nxënësit dhe rritja e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm, të ardhur kryesisht nga shtresat e varfra të shoqërisë.
FJALA E MINISTRIT
TAKIMI ME DONATORËT E PROGRAMIT ''CILËSI DHE BARAZI NË ARSIM''
(Durrës 5 Maj 2009)
Të nderuar zonja dhe zotërinj, pjesëmarrës në takimin e sotëm të programit “Cilësi dhe Barazi në Arsim”,
Kanë kaluar pak muaj nga konferenca e mëparshme ku diskutuam bashkarisht për reformën në arsim në Shqipëri dhe përcaktuam qëllimet dhe objektivat për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Në këtë takim gjashtëmujor me donatorët tanë të BB, BEI dhe BZHKE, ne do të analizojmë ecurinë e programit CBA nga 2 dhjetori i kaluar deri sot, por edhe detyrimet e përbashkëta për të garantuar suksesin e ndërmarrjes sonë të përbashkët për transformimin e arsimit në Shqipëri. Dëshiroj me këtë rast të falenderoj përfaqësuesit e këtyre institucioneve të pranishëm sot në konferencë dhe t'ju uroj të gjithëve sukses dhe rezultate në analizën e sotme.
Përtej këmbënguljes sonë për rezultate sa më të shpejta në mënyrë që ne shqiptarët të kompensojmë kohën e humbur në të kaluarën dhe përtej mospajtimit me çdo vonesë për shkak të mosveprimeve të ndërsjellta në kohë, dua të shpreh vlerësimin tim për arritjet e përbashkëta të pesë muajve të fundit, të cilat kanë merituar vlerësimin e nxënësve, mësuesve dhe opinionit publik. I falenderoj dhe i përgëzoj të gjithë ata ndërmjet jush që kanë qenë pjeë e përkushtimit, mundimit dhe këmbënguljes për këto arritje, dhe ju ftoj të gjithëve që të bëheni pjesë e angazhimit dhe suksesit në muajt e ardhshëm.
Duke qenë se kjo konferencë është e fundit në këtë legjislaturë qeverisjeje, nuk mund të mos përmendim sot edhe arritjet e suksesin e pohuar gjerësisht në opinionin publik për sistemin tonë arsimor. Kur institucione monitoruese ndërkombëtare zbulojnë se sot arsimi është pak i prekur nga korrupsioni ne sigurisht e ndjejmë veten të kënaqur që përpjekjet që kemi bërë kanë prurë rezultatin e kërkuar. Edhe pse ne e kemi ndjerë vlerësimin e publikut kur, me futjen e sistemit transparent meritë-preferencë në përzgjedhjen kompjuterike të maturantëve që hyjnë në universitetet publike, u zhdukën denoncimet për korrupsion në regjistrimin e studentëve. Ashtu siç e kemi ndjerë që futja e altertekstit dhe decentralizimi i përzgjedhjes së teksteve këputi fije të fuqishme korruptive, zhduku tregun e zi të teksteve që rëndonte familjet dhe krijoi kushtet për nxjerrjen përfundimtare të tregtimit të teksteve nga MASH dhe shkolla në tregun e lirë, ku autoritetet zyrtare të arsimit kontrollojnë vetëm përmbajtjen e teksteve, ndërsa konkurrimi në treg nxit çmimet e ulëta të teksteve për nxënësit. Në të njëjtin drejtim çon edhe hapi i ditëve të fundit, ku MASH po nxit futjen në treg dhe në shkollën shqiptare të teksteve të huaja për metodat e gjuhëve të huaja dhe për disa tekste të lëndëve shkencore të gjimnazit, si hap i parë për të hapur tregun shqiptar të teksteve edhe për tekste të standarteve të përparuara evropianoperëndimore. Po ashtu, kemi bërë mirë që granti qeveritar për objektet shkollore nuk përdoret më nga MASH-i, por u shpërndahet me kritere objektive njësive të pushtetit vendor, të cilave ne duam t'u japim gjithënjë e më shumë përgjegjësitë që u takojnë për shkollimin e fëmijëve të komunitetit. Ashtu sic e nxorrëm nga Ministria financimin e AL dhe u a dhamë universiteteve, për t'u rritur atyre autonominë, por edhe përgjegjësinë për administrimin e tyre. Pa vendime të tilla të vendosura besimi i publikut ndaj arsimit nuk do të kishte ndryshuar rrënjësisht.
Pa dyshim,vlerësimi publik ka qenë i dukshëm për përmirësimin e trajtimit të mësuesve. Pak ditë më parë hyri në fuqi vendimi i qeverisë për dyfishimin e pagës së mësuesve të të gjitha kategorive në raport me pagën që ata merrnin në 2005. Ishte një vendim që u morr me shumë dëshirë nga qeveria, edhe pse jo i lehtë, po të kemi parasysh se mësuesit janë gati gjysma e punonjësve buxhetorë dhe tashmë kriza është bërë kryefjala e ditës në të gjitha vendet. Mësuesët tanë nuk kanë më rrogat më të ulëta të kontinentit si para pak viteve. Po ashtu, në vitet 2005-2009 janë ndërtuar 198 shkolla të reja të të gjitha kategorive dhe rindërtuar 802 të tjera, çka do të thotë ndër të tjera që më shumë se gjysma e mësuesve punojnë në kushte shumë më të mira se para katër vjetëve.
Ndërkohë, mësuesit, godinat, ne të gjithë, jemi në dispozicion të nxënësve. Nxënësi/studenti ka qenë në qendër të të gjitha reformave që ne kemi ndërmarrë në këto vjet, me objektivin që ata të kenë të njëjtat shanse si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e përparuara për t'u edukuar dhe përgatitur për jetën. Transformimet programore e kurrikulare në arsimin bazë dhe të mesëm, shumëllojshmëria e teksteve, futja e teknologjive didaktike moderne, miratimi i Kornizës Kurrikulare dhe Standarteve të reja të Nxënies për gjimnazin apo konsolidimi i sistemit të Bolonjës në arsimin tonë të lartë, u garantojnë fëmijëve tanë siguri në rrugën e madhe të dijes, kualifikimit dhe suksesit në jetë dhe botën e punës. Vitet e fundit shënuan rritjen e ndjeshme të shkollimit dhe të rritjes së njohurive tek shqiptarët: mjaftojmë të përmendim se u rrit një vit shkollimi bazë për të gjithë nxënësit; arrin në 60% numri i atyre që regjistrohen në arsimin e mesëm, u dyfishua numri i studentëve në të gjitha format e arsimit të lartë dhe llogariten me mijëra ata që vijojnë studimet në universitetet jashtë vendit. Ndërkohë një arritje më vete është vlerësimi objektiv i njohurive të nxënësve e studentëve: vlerësimi i jashtëm nëpërmjet provimeve të Maturës Shtetërore për maturantët, dhe këtë vit edhe për nxënësit që japin provimet e lirimit, vlerësimi me kredite e pajisja me diplomë + suplement të studentëve. Njëkohësisht futja gjithënjë e më shumë e mundësive të zgjedhjes për nxënësin e studentin rrit angazhimin e tij në procesin mësimor dhe eficencën e shkollimit. Ashtu si futja e teknologjive didaktike moderne në procesin arsimor, përshpejton zgjerimin e njohurive të shkollarëve tanë dhe konsolidon përgatitjen e tyre për jetën.
Më lejoni t'ju kujtoj se vetëm nga takimi i kaluar i dhjetorit e deri sot, pra në 5 muaj, ne kemi futur në sistemin arsimor 2000 laptopë+videoprojektorë, kemi instaluar 600 nga 665 kabinete informatike që janë në proces. E përsëris: ne jemi në kërkim të kohës së humbur. Ju kujtoj se në fund të vitit 2004 ne kishim gjithsej 32 kabinete informatike në shkollat tona, kurse sot kemi 1400 kabinete dhe 17 000 kompjutera. Po ashtu, javët e fundit kemi futur internetin në 435 shkolla dhe brenda këtij muaji do ta fusim atë në 2107 shkolla. Ne jemi të vendosur të ecim me të njëjtat ritme për të kapur me shpejtësi standartet e vendeve të BE.
Një reformë të përshpejtuar dhe shumë-përmasore po vëmë në jetë në arsimin e lartë, i cili po kalon nëpërmes një procesi të zhvillimit dinamik, mbështetur në parimet e Procesit të Bolonjës për t'ju përgjigjur sa më mirë kërkesave rajonale dhe globale të tregut të punës. Arsimi i lartë cilësor është një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor si dhe garant i zhvillimit të demokracisë.Në përputhje me Strategjine Kombëtare të Arsimit të Lartë të miratuar vitin e kaluar, ne organizuam në muajin shkurt, me konsulencë nga BB, Konferencën për orientimin e IAL në hartimin e planeve të tyre strategjikë duke ndjekur objektivat kryesorë të AL shqiptar si dhe objektivat specifikë të universiteteve të vecanta në mënyrë që universitetet tona të kthehen në qendra të zhvillimit rajonal.
Për të forcuar autonominë financiare të universiteteve ne realizuam këtë vit për herë të parë që financimi nga buxheti i shtetit të jepet në formën e grantit sipas një formule që garanton nevojat e funksionimit të çdo universiteti dhe transferta me konkurim për investime. Kjo mënyrë financimi kërkon një përgjegjshmëri në rritje të Këshillave të Administrimit dhe të kancelarëve të Universiteteve dhe MASH do të ndihmojë me konsulencë të huaj gjatë vitit 2009 për zbatimin me sukses të kësaj mënyrë financimi.
MASH është angazhuar në përmirësimin e vijueshëm të përmbajtjes së studimeve të larta në universitetet tona në përputhje me direktivat e procesit të Bolonjës. U krye një punë voluminoze për ristrukturimin e programeve ekzistuese të ciklit të parë dhe hapjen e programeve të reja të ciklit të dytë. Organizimi i studimeve në cikle si edhe i programeve të studimit sipas standardeve evropiane u siguron studentëve tanë një arsim cilësor të krahasueshëm dhe të njohur në të gjithë zonën evropiane të AL. Në funksion të këtij objektivi është parashikuar edhe marrja e një kompanie të huaj konsulence për përcaktimin e standarteve dhe hartimin e programeve të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, doktoraturat nga IAL si edhe për hartimin e përshkruesve sektorialë në Kuadrin Kombëtar të Kualifikimeve.
Ne duam që universitetet tona të hapen drejt një bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimit të studentëve dhe të stafit akademik, çka kërkon një përafrim të shpejtë të cilësisë së formimit në universitetet tona me atë të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë. IAL tona janë nën presionin e njohjes së diplomave jo vetëm nga tregu lokal i punës por edhe nga ai global. Kjo kërkon jo vetëm rritjen cilësore të IAL por edhe vlerësimin e cilësisë dhe akreditimin e tyre. Për këtë ne do të angazhojmë edhe specialistë të huaj në procesin e forcimit të vlerësimit të brendshëm e të jashtëm të cilësisë në universitetet tona.
Përafrimi i arsimit tonë në të gjitha shkallët me sistemet e avancuara arsimore të kontinentit është pjesë e strategjive tona integruese në Bashkimin Evropian. Ne kemi çuar në qeveri Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, e njëformëshe me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, për të garantuar nivele të njëjta edukimi dhe formimi profesional për shkollarët tanë të të gjitha niveleve dhe për aksesin e tyre në treg në të njëjtën mënyrë si në vendet e BE. Garantimi i cilësisë së këtij përafrimi dhe i integrimit të sistemit tonë arsimor në atë evropianoperëndimor është sfida dhe përgjegjësia jonë e përbashkët, që unë uroj ta fitojmë bashkarisht.
Dëshiroj të theksoj se programi “Cilësi dhe Barazi në Arsim” na jep krahë në ambiciet tona dhe për këtë ne u jemi mirënjohës donatorëve që na mbështesin në rrugën tonë për arritjen e standarteve të përparuara. Duke i falenderuar ata shpreh besimin tim se ky takim do t'i shërbejë suksesit tonë të përbashkët në realizimin e projektit.
Punë të mbarë të gjithëve! Faleminderit.
|