Tiranë, më 2 qershor 2009 |
|
Përfundon normalisht provimi i Gjuhë-Letërsisë i Maturës Shtetërore 2009
Në një konferencë për shtyp, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës z. Halit Shamata tha sot për mediat: “Dje, në orën 22.00 të mbrëmjes, filloi shpërndarja e testeve të provimit të parë të detyrueshëm për Maturën Shtetërore 2009, atë të Gjuhë-letërsisë nga Agjensia Qëndrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) në drejtim të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore (DAR/ZA). Sipas një grafiku të caktuar, zonat më të thella tërhoqën të parat testet e provimit. Shpërndarja filloi me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 6.00 të mëngjesit të sotëm. Të gjitha makinat që kryen transportin drejt Drejtorive Arsimore Rajonale u shoqëruan nga Policia e Shtetit. Nga raportimet e vazhdueshme për shtabin e ngritur në MASH, gjatë këtyre 24 orëve të shpërndarjes dhe kryerjes së provimit, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore gjithçka eci normalisht. Sot, u zhvillua në kushte normale dhe pa probleme provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i Gjuhë-Letërsisë. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 dhe zgjati 2 orë e gjysëm. Ashtu si edhe vitet e kaluara maturantët u testuan krahas njohurive për letërsinë, edhe për gjuhën shqipe. Në provim morën pjesë gjithsej 38.499 maturantë dhe u testuan për 7 lloje të ndryshme testesh të gjuhë-letërsisë. 2.500 administratorë të provimit (AP) u përfshinë në këtë proçes dhe mbikqyrën maturantët në 282 mjediset e provimit të përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale.
Sot pasdite në faqen e internetit të MASH-it ( www.mash.gov.al ) do të publikohen përgjigjet e kërkesave (pyetjeve) të testit të gjuhë-letërsisë.”
|
|