Ministri Beja: Integrimi i kërkimit shkencor në universitete na përfshin në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë
Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës organizoi sot konferencën me temë “E ardhmja e ujit, burimeve të energjisë dhe mbrojtja liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës”.
Në këtë konferencë merrnin pjesë Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Fatos Beja dhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Malit të Zi dhe Kosovës.
Në fjalimin e tij në këtë konferencë Ministri Beja vuri në dukje përpjekjet e MASH në përfshirjen në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, duke synuar formimin e një gjenerate të re të diplomuarish me njohuri shkencore dhe profesionale të cilësisë së lartë, të aftë për të konkurruar në një ekonomi të hapur e në zhvillim.
Reforma e ndërmarrë nga qeveria në shkencë, sipas tij, optimizoi përdorimin e burimeve ekzistuese njerëzore dhe financiare e infrastrukturore, duke integruar në një sistem të vetëm arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Universiteteve iu bashkëngjitën disa qindra shkencëtarë e kërkues, shumë laboratorë dhe infrastrukturë tjetër kërkimore, me krijimin e 12 qendra universitare shkencore në universitetet publike shqiptare.
Në fjalën e tij Ministri Beja u ndal në:
- Financimin për arsimin e lartë në 2009 kundrejt 2005, rritet nga 4.370.000 Lekë në 9.680.000 Lekë, ose dyfish.
- Mbështetjen e politikës reformuese dhe fuqizuese të sistemit të kërkimit shkencor, financimi vetëm për programet dhe projektet për shkencë në vitin 2009 është 5 herë më I madh se në vitin 2005, ose nga 1 mln USD në 2005, në mbi 5 mln USD në 2009. nëpërmjet këtij fondi janë financuar me dhjetra projekte kërkimore në kuadrin e projekteve kombëtare apo të bashkëpunimit bilateral me vendet e tjera.
- Në ndjekeje të politikës për rinovimin dhe fuqizimin e infrastrukturës kërkimore didaktike janë dhënë 2 mln Euro dhe është në fazë përfundimtare një financim I ri me rreth 2.3 mln Euro të tjera për të cilin janë bërë rreth 90 aplikime nga departamentet.
Ndër nismat e MASH, Ministri përmendi edhe programin Brain Gain, CEEPUS, hyrjen e Shqipërisë në programin Kuadër FP7, si dhe dyfishimin e fondit në mbështetje të ekselencave shqiptare.
|
|