Tiranë, më 14 prill 2009

 

NJOFTIM SHTYPI

Të dashur studentë!

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO na bëri të gjithëve krenarë. Ky sukses do të ishte i pamundur pa vullnetin dhe angazhimin tonë për të merituar këtë anëtarësim. Hyrja në BE, përsëri një aspiratë e fuqishme gjithëkombëtare, kërkon vullnetin dhe angazhimin e të gjithëve. Edhe Tuajën, të studentëve, që qenë të parët që kërkuan “Shqipërinë si gjithë Evropa”. Ju jeni brezi i shqiptarëve që do të jeni qytetarë komunitarë. Ju do të mishëroni identitetin tonë shqiptar në familjen e madhe evropiane.

Karta e re e identitetit tonë shtetëror është e parametrave më të larta në Evropë dhe ju përafron ju denjësisht me studentët perëndimorë. Le ta nxisim bashkarisht këtë përafrim. Unë do të gëzoja shumë që studentët të jenë shtresa e parë e shoqërisë shqiptare që ka 100% ID tonë të re evropiane. Ky do të ishte mesazhi i qytetarit të emancipuar që e do shoqërinë të vendosur fort në dokument, ligj e rregull.

Unë e vlerësoj lart thirrjen e Këshillit Kombëtar Studentor në Website-in e tij dhe në Facebook për të sensibilizuar mjediset studentore dhe bashkohem me këtë nisëm që synon të shpejtojë lëvizjen, liberalizimin e vizave, integrimin, progresin dhe zhvillimin e demokracisë shqiptare.

Çmimi prej 200 lekë që vendosi qeveria për të gjithë ata studentë që nuk kanë pasaportë dhe aplikojnë për ID deri në 1 maj, e lehtëson shpejtësinë tuaj të veprimit. Unë ju ftoj të promovojmë bashkarisht me shoqatat tuaja studentore dhe profesorët tuaj që në datën 1 maj të mos ketë student pa pasaportë që nuk ka aplikuar për ID. Le të japim mesazhin se studentët tanë janë gjithmonë promotorë të përparimit të Atdheut.

Të dashur studentë!

Le të shkojmë tek çdo i ri, tek çdo familje, tek çdo mjedis me thirrjen tonë për të mos humbur asnjë minutë kohë për të aplikuar, për të garantuar zgjedhjet dhe demokracinë. Me këtë akt qytetar, atdhetar dhe dinjitoz, ne hapim edhe një portë tjetër drejt integrimit në Bashkimin Evropian, misionarë elitarë të të cilit ju jeni. Shoqëria shqiptare beson shumë tek ju. Ne besojmë shumë tek ju dhe tek angazhimi juaj. Ju studentët jeni fytyra evropiane e kombit.

Unë kam besim se ftesa ime, për ju dhe për angazhimin tuaj në sensibilizimin e të gjithë qytetarëve, është pjesë e misionit të përbashkët dhe do të gjejë mirëkuptimin tuaj.

Ju përshëndes ngrohtësisht ,

 

Fatos Beja