Studentët përshëndesin nismën e MASH: “Të zbatohen rregulloret në fakultete.”
Sot në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës u organizua një diskutim me studentë të universiteteve, lidhur me nismën e fundit të ministrisë mbi rishikimin e procedurave për vlerësimin e studentëve në shkollat e larta.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin titullarë të MASH, përfaqësues nga grupi i punës të vlerësimit të provimeve, studentë, përfaqësues të Këshillave Studentorë, (Qeverisë Studentore Shqiptare), anëtarë të organizatave joqeveritare, të interesuar për problemet e korrektesës dhe transparencës etj.
Ky ishte takimi i parë me grupet e interesit, me studentët, dhe brenda kësaj jave MASH do të organizojë takime të tjera me drejtues universitarë, për të marrë mendimet e tyre për një vlerësim sa më korrekt e transparent të provimeve semestrale.
Gjatë fjalës së tij në takim ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Genc Pollo, theksoi rëndësinë e këshillave studentorë si një pjesë e thelbësore në jetën e brendshme të universiteteve:
“...Roli i studentëve, përfshirja e tyre në ketë përpjekje është shumë e rëndësishme, sepse sado që të përpiqen pedagogët, drejtuesit universitarë dhe ministria, nëse nuk është presioni i duhur nga ana e studentëve për korrektesë, transparencë dhe rigorozitet, ne nuk mund të arrijmë synimin tonë në mënyrë të suksesshme në çdo fakultet, në çdo departament, në çdo katedër dhe në çdo provim...
...Veç te tjerave, grupi i punës ka konkluduar një gjendje jo të kënaqshme, që i vë para përgjegjësisë drejtuesit universitarë. Rezulton se aty ku ka rregullore të menduara mire, zbatimi i tyre lë për të dëshiruar dhe këtu duhet të nxirren përgjegjësitë përkatëse, por edhe kontrollet përkatëse nga ministria bashkë me përgjegjësit e shkollave te larta. Të kuptohemi që këtë gjë ministria e nxit, por janë universitetet që duhet ta konceptojnë e ta zbatojnë. Kjo është përgjegjësi e tyre morale që jo vetëm përpara ministrisë e qeverisë por në radhë të parë para shoqërisë.
Por të mos jemi naiv, dimë që nostalgjikët e konkurseve korruptore janë praktikantë të provimeve abuzive, por si kudo tjetër ata janë një pjesë e vogël, sepse nuk është vetëm arsimi i lartë, janë edhe segmente të tjera të arsimit , janë edhe segmente të tjera të shtetit, por gjithsesi janë një pjesë e vogël, të cilën nuk po kërkojmë ta shkatërrojmë por ta shërojmë. Dhe partnerët tanë ne këtë përpjekje te rëndësishme për shoqërinë shqiptare janë ata drejtues universitarë, profesorë, docentë, pedagogë, në përgjithësi shumica e stërmadhe e shkollave tona, që vërtet bëjnë një detyrë në kushte jo të lehta shpeshherë, por një detyre që e kane për pasion dhe e bëjnë me ndershmëri intelektuale... “- përfundoi ministri.
I ftuar në këtë takim, kryetari i Qeverisë Studentore Shqiptare, (me ligjin e ri do të emërtohet Këshilli Studentor) z. Tahir Lamçe u shpreh dakord me propozimet e paraqitura. Ai shtoi se “Mbështesim shumë këtë iniciativë dhe do të bashkëpunojmë me MASH që këto propozime të jenë sa më funksionale në fakultete. Pas këtyre rekomandimeve duhet ti shkohet deri në fund punës, duhet monitoruar implementimi i këtyre propozimeve, në mënyrë që ato të bëhen të zbatueshme”
Në fillim të dhjetorit 2006, është ngritur pranë MASH një grup pune, për çështjen e vlerësimit të provimeve të fund-semestrit në Shkollat e Larta, përfundimet e të cilit janë bërë tashmë publikë.
Kjo nismë erdhi pas problemeve dhe ankesave të shumta të studentëve e familjarëve të tyre, kundrejt këtyre testeve dhe është në vijim të nismave të MASH për eliminimin e korrupsionit dhe abuzimit, për sundimin e korrektesës dhe meritës, në mënyrë që të kthehet e të forcohet besimi i publikut në institucionet arsimore.
Prof. Emil Lamani, kryetari i grupit të punës foli sot për rekomandimet e dhëna të grupit dhe tha se: “Duke patur parasysh se përmirësimi i metodave dhe procedurave të vlerësimit të studentëve është një proces i vazhdueshëm, Grupi i Punës ka dalluar disa masa apo ndërhyrje që mund të kishin impakt të plotë ose të pjesshëm që në sezonin e provimeve të dimrit të këtij viti, pra Janar-Shkurt 2007. Pjesa e dytë e raportit e cila po finalizohet dhe do të publikohet së shpejti, do të mbulojë një reformë më afatgjatë, që lidhet me sigurimin e cilësisë universitare si një linjë qendrore e procesit të Bolonjës.
Në formulimin e këtij raporti, përveç diversitetit të Shkollave të Larta dhe i fushave disiplinore që ato mbulojnë, është patur parasysh përvoja e Maturës Shtetërore 2006, përvoja e universiteteve tona publike dhe e universiteteve evropiane. “
|
|