Tiranë, më 25 maj 2007

 

MASH: Miratohen nivelet e studimit Master për tërmetet dhe sizmiologjinë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit

Miratohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, hapja e studimeve Master në specialitetet e “Inxhinierisë Strukturore” dhe “Inxhinierisë së Tërmeteve”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë dhe Ndërtimit të Universitetit Politeknik Tiranë.
Pas ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit Politeknik Tiranë dhe Institutit Sizmik të universitetit të Shkupit, krijohet edhe në Shqipëri mundësia e studimeve të përbashkëta master dhe doktoraturë të përgatitura në bashkëpunim nga pedagogë tanë dhe maqedonas të Institutit Sizmik.
Instituti i Inxhinierisë Sizmike i Universitetit të Shkupit njihet si një qendër ekselence për çështjet e ndërtimit në raport me tërmetet. Marrëveshja konsiston gjithashtu edhe në “huazimin” e pedagogëve maqedonas të këtij instituti. Në fakt përveç pedagogëve tanë, për dhënien e leksioneve do të angazhohen edhe profesorë nga Maqedonia, Gjermania, Italia dhe SH.B.A.

Duke filluar nga viti që vjen, ky Master që do të zgjasë 2 vjet, do të funksionojë për të gjithë studentët e interesuar që kanë përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë me mesatare mbi 8.
Tarifa për vitin e ardhshëm është e njëjtë si për Masterat e tjerë (rreth 1.000 euro) me një kuotë fillestare për 30 studentë.

Ky Master veç të tjerash shënon një fazë të re në kuadrin e proçesit të Integrimit të sistemit të Arsimit të Lartë në vendin tonë, i cili po bën përpjekje për një kurrikul të matshme dhe të krahasueshme me nivelin evropian.

Bashkëpunimi me Maqedoninë
Në dhjetor të vitit 2005 dy ministrat e Arsimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, z. Genc Pollo dhe z. Azis Pollozhani firmosën një protokoll bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik në fushën e arsimit.
Në këtë protokoll bashkëpunimi, palët përkatëse janë angazhuar se do të nxisin kërkimet e përbashkëta në programet dhe projektet multilaterale ndërkombëtare për kërkim e zhvillim, duke i dhënë përparësi programeve dhe projekteve të Bashkimit Evropian, në të cilat shtetet përkatëse kanë akses, si dhe në projektet rajonale brenda Programeve të Bashkimit Evropian, si COST, CARDS, Leonardo, Copernicus, FP-6, FP-7, programet e zhvillimit të UNESCO-s, Nisma e Evropës Qendrore.
Palët do të inkurajojnë dhe mbështesin bashkëpunimin në fushën e shkencës dhe të teknologjisë midis institucioneve të tyre publike.
Format e bashkëpunimit që do të zbatohen në kuadrin e këtij protokolli janë:

1. Projekte të Përbashkëta Kërkimore (PPK);
2. Shkëmbime shkencëtarësh dhe ekspertësh; me synim përfitimin e metodave të reja shkencore, shkëmbimin e literaturës, shkëmbimin e eksperiencës në fushën e menaxhimit shkencor dhe në procecin e politikëbërjes.
3. Veprimtari të përbashkëta kërkimore;
4. Shkëmbim informacioni dhe dokumentacioni shkencor e teknik

Në këtë protokoll, por edhe në vizitat dy palëshe gjatë këtyre 2 viteve, bashkëpunimi i universiteteve, mobilitet më i lartë midis studentëve dhe profesorëve të të dy vendeve, projekte të përbashkëta të kërkimit shkencor, tekste që mund të përdoren në të dy vendet, shkolla të binjakëzuara, janë vetëm disa nga çështjet për të cilat ministrat e Arsimit të Tiranës e Shkupit kanë rënë dakord për të bashkëpunuar.