Tiranë, më 24 janar 2007

 

Ngrihet Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës

Pas miratimit të ligjit nr. 9576, në datë 3 korrik 2006, sot Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, si organ këshillimor i Ministrisë së Arsimit dhe i Këshillit të Ministrave, për hartimin dhe zhvillimin e strategjive dhe të programeve kombëtare për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Përbërja e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës”, është parashikuar, e tillë që, 15 anëtarët të përzgjidhen me konkurrim publik nga fusha të ndryshme të shkencës, nga një komision Përzgjedhjeje, i ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe i përbërë me përfaqësues nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Konferenca e Rektorëve.

Menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit të mësipërm, në muajin shtator 2006, Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri publike kërkesën për anëtarë në Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe njëkohësisht kërkoi nga institucionet përkatëse caktimin e personave për në Komisionin e Përzgjedhjes.

U paraqitën 54 aplikime, nga përfaqësues, ekspert të fushës së arsimit të lartë, shkencës, teknologjisë si dhe të sektorit privat. Komisioni i Përzgjedhjes u përbë nga një përfaqësues nga Kuvendi, Komisioni i Edukimit dhe Medias, një përfaqësues i caktuar nga Këshilli i Ministrave, një përfaqësues i caktuar i Konferencës së Rektorëve dhe, një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Vlerësimi i komisionit ishte individual dhe me logjikën e vlerësimit në total të kritereve, duke vlerësuar nga 1 në 10 pikë, për secilin kandidat. Mbështetur në vlerësimin përfundimtar të Komisionit të Përzgjedhjes, u propozua lista e 15 kandidatëve (lista e mëposhtme) të renditur të parët me numrin maksimal të pikëve. Anëtarët përfaqësues të caktuar nga Ministri i Financave, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Kryetari i Konferencës së Rektorëve, do të plotësojnë përbërjen e plotë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. 1. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës të përbëhet nga 19 anëtarë si më poshtë:

a) Në detyrë funksionale shtetërore:

i. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Kryetar;
ii. Kryetari i Akademisë së Shkencave anëtar;
iii. Kryetari i Konferencës së Rektorëve anëtar;
iv. Një përfaqësues, i caktuar nga Ministria e Financave, anëtar.

b) 15 përfaqësues, ekspertë të fushës së arsimit të lartë, shkencës, teknologjisë dhe sektorit privat:

1. Artan Fuga
2. Anila Godo
3. Aleksandër Xhuvani
4. Bardhyl Musaj
5. Evan Roco
6. Lindita Lati
7. Llukan Puka
8. Marenglen Gjonaj
9. Myqerem Tafaj
10. Petraq Petro
11. Romeo Gurakuqi
12. Spiro Qirko
13. Thoma Korini
14. Ylli Pango
15. Xhezair Zaganjori