Tiranë, më 17 korrik 2007

Miratohet udhëzimi për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për përfituesit e Fondit të Ekselencës

Fituesit duhet të kthehen për 5 vjet në atdhe

Sot në një deklaratë për mediat, zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës znj Ardiana Gjonaj tha:

“Miratohet udhëzimi i ministrit të Arsimit dhe Shkencës për përcaktimin e kritereve, masës dhe procedurave për përfituesit nga Fondi i Ekselencës për studentët dhe shkencëtarët e rinj të shkëlqyer.

Qeveria shqiptare po kontribuon për herë të parë me një fond të posacëm për studime të plota doktorate apo postdoktorate të dhjetra shkencëtarëve të rinj në universitete perëndimore prestigjioze. Këta studiues, që do të formohen me dijet e kohës dhe detyrimisht do të japin kontributin e tyre për 5 vjet në Shqipëri, do të jenë një mbështetje e rëndësishme e Arsimit tonë të Lartë dhe Kërkimit Shkencor. Ata do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen cilësore të formimit dhe kërkimit në universitetet tona, por edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit me universitetet perëndimore, ku këta studiues do të kryejnë kualifikimin e tyre.

Fondi i Ekselencës i mbështetur edhe në ligjin e ri të Arsimit të Lartë, këtë vit ka një vlerë 50 milion lekë (500 mijë euro) që do të rritet në vitet në vazhdim. Ky fond do të përdoret nga MASH jo vetëm për bursa të posaçme, për kryerjen të studimeve të doktoratës apo post-doktoratës, por edhe për çmime për studentët fitues në konkurse apo olimpiada ndërkombëtare, si dhe për të mbështetur botime me nivel të lartë shkencor.

Aplikimet do të jenë individuale dhe klasifikimi i kandidatëve do jetë transparent dhe publik.

Ditët në vijim MASH do të shpallë hapjen e procedurave të aplikimit për vitin akademik 2007-2008.

Udhëzimi i plotë me të gjitha kriteret do të jetë nga sot në faqen e internetit të MASH ( www.mash.gov.al )”

 

Per aplikimet personi i kontaktit eshte :
Anila Theodhori
Specialiste ne Drejtorine e Politikave te Arsimit te Larte ne MASH
Nr tel : 04 230 462; Cel: +355 682134803
E-mail : atheodhori@mash.gov.al