Tiranë, më 20 prill 2008

 

Parlamenti miraton ngritjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar

”Nisma  e MASH  për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar u miratua së fundmi në kuvend. Ky  këshill do të jetë një organ, që do të mbështesë Ministrinë  për formulimin  e politikave  e zhvillimit të Arsimit Parauniversitar.
Konkretisht ai do te kontribuoje me keshillim per:

• Strategjitë dhe programet kombëtare për Arsimin Parauniversitar,
• për reformën kurrikulare,
• për projekt buxhetin e dhe mënyrën e shpërndarjes së tij,
• për standardet e vlerësimit të institucioneve të Arsimit Parauniversitar, etj.

Deri tani rolin e këtij këshilli e kanë luajtur grupet e përhershme të punës të ngritur në MASH. Përmes këtij amendamenti, një praktikë e tillë institucionalizohet me ligj. Ky është një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e politikave afat gjatë në arsim.
Këshilli do të përbëhet nga 13 anëtarë të tjerë ekspertë të zgjedhur me konkurrim publik por edhe me përfaqësues  Ministrisë së Financave, të  Brendshme, të Punës, të Shëndetësisë, të Mjedisit, dhe përfaqësues të pushtetit vendor.”

Reforma arsimore e shprehur në dokumentet e hartuara (strategji e projekte të ndryshme), në zbatim, ka vlerën e një platforme kombëtare, ku të gjitha grupet e interesit duhet të japin kontributet e tyre. Parë në këtë optikë, MASH dhe qeveria vlerësojnë si domosdoshmëri ngritjen e këtij këshilli për sigurimin e një angazhimi, intesiv dhe profesional, për vendosjen e dialogut gjithëpërfshirës dhe për ndërtimin e mirëkuptimit ndërmjet aktorëve realizues, me synim ndërtimin e një sistemi arsimor, kombëtar e modern, që mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe konsolidimin e demokracisë.

Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar do të ndihmojë me këshillime shumë të kualifikuara Ministrine Arsimit dhe Shkencës, në kryerjen e funksioneve dhe të detyrave të tij, në drejtim të vendimmarrjes, me impakt afatgjatë dhe të rëndësisë së vecantë. Këshilli organizon analiza për zhvillimet themelore, që parashikohen të ndërmerren në procesin e reformimit të sistemit, si dhe ndërhyrjet e nevojshme për zhvillimin, përmirësimin, planifikimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (SKAP). Oponenca konstruktive e anëtarëve të këshillit për problemet që ai trajton rrit objektivitetin dhe efektivitetin e vendimmarrjes duke siguruar njëkohësisht vendimmarrjen e nevojshme për probleme zhvillimore strategjike.

Krijimi i këtij këshilli mbështet përgatitjen dhe instalimin e vizioneve afatgjata në sistemin e Arsimit
Parauniversitar, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së.