Ministri Pollo në Turqi, nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në kërkimin shkencor.
Me ftesë të ministrit të Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, z. Huseyin Çelik, ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Genc Pollo, bëri para ca ditësh një vizitë zyrtare në Turqi.
I shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Ambasadës sonë në Republikën e Turqisë, z. Neritan Kolgjini dhe nga Konsulli ynë i Përgjithshëm znj. Elvira Isufi, vizita e ministrit Pollo në Turqi u çel me vendosjen e një kurore në Anitkabir, në mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut.
Më vonë ministri u prit në Ministrinë e Arsimit Kombëtar të Turqisë nga homologu i tij, z. Huseyin Çelik. Në këtë takim, pasi u vlerësuan marrëdhëniet miqësore tradicionale dhe bashkëpunimi i ngushtë midis dy shteteve dhe qeverive tona në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e arsimit, bashkëbiseduesit u përqendruan në reformat arsimore që po zhvillohen në Turqi dhe në Shqipëri dhe në nevojën për zbatimin e tyre me vendosmëri e sipas standardeve ndërkombëtare, në dobi të një integrimi të shpejtë dhe të natyrshëm të të dy vendeve tona në Evropë. Gjatë takimit ministrat shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit arsimor në të ardhmen.
Në fund të takimit, Ministri Pollo e ftoi Ministrin turk të Arsimit Kombëtar, z. Hyseyin Çelik, për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë të cilën ai e priti me kënaqësi dhe premtoi se do ta realizonte së shpejti.
Qëllimi i takimit ishte nënshkrimi i “Marrëveshjes së Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik ndërmjet MASH dhe Këshillit të Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik të Republikës së Turqisë (TUBITAK)” përfaqësuar nga Zëvendëspresidenti i këtij Këshilli, z. Omer Anlagan.
Duke vlerësuar rëndësinë e shkencës dhe teknologjisë në zhvillimin e ekonomive kombëtare të të dy vendeve, palët, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, kanë rënë dakord që bashkëpunimi i tyre të shprehet veçanërisht në:
- Realizimin e kërkimeve të përbashkëta dhe projekteve të zhvillimit, duke përfshirë shkëmbimin e rezultateve kërkimore dhe të shkencëtarëve, specialistëve dhe kërkuesve;
- Shkëmbimin e shkencëtarëve dhe ekspertëve të veçantë për realizimin e punëve kërkimore, shkëmbimin e informacionit për veprimtaritë kërkimore, zbatimin e metodave të reja shkencore, mbajtjen e leksioneve, vendosjen e kontakteve të reja shkencore për zhvillimin e projekteve të përbashkëta;
- Organizimin dhe pjesëmarrjen në takime, konferenca, simpoziume dhe workshope të përbashkëta shkencore;
- Shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit shkencor dhe teknologjik;
- Forma të tjera të bashkëpunimit teknik dhe shkencor, për të cilat mund të bihet dakord në të ardhmen.
Pas përfundimit të procedurave të brendshme ligjore për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, të dy palët do të ngrenë një komitet të përbashkët, i cili do të përcaktojë fushat prioritare të bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik, do të miratojë programe bilaterale të aktiviteteve dhe do të krijojë lehtësitë për implementimin e programeve dhe projekteve të përbashkëta.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Turqi, Ministri Pollo zhvilloi një vizitë në qytetin e Stambollit, ku u prit nga nëndrejtori i Drejtorisë Arsimore të këtij qyteti dhe personalitete të tjera lokale. Në takimet e zhvilluara në këtë qytet u shkëmbye eksperiencë lidhur me organizimin e sistemit arsimor parauniversitar, menaxhimin e drejtorive arsimore rajonale, rekrutimin dhe trajnimin e mësuesve, etj.